Falënderimi qoftë për Allahun e Plotfuqishëm, i Cili na ka dhënë dhe na jep begati të panumërta. Salavatet, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të dashurin e Allahut dhe të dërguarin e Tij të fundit Muhamedin a.s. mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar me të vërtetën në zemrat e tyre.
Vëllezër besimtarë, në hutben e sotme do të flasim në temën: Çka është jeta në këtë botë?
Tregohet se një njeri kishte parë në ëndërr se po shëtiste nëpër pyjet e Afrikës, ku natyra ishte tërheqëse dhe ku ishin rritur lisa të gjatë. Ai po kënaqej duke i shikuar begatitë e Allahut.
Dhe derisa po kënaqej në ato pejzashe të bukura, papritmas dëgjoi ulërimën e një luani i cili ishte duke vrapuar drejt tij. Burri filloi të ikte sa më shpejtë që mundet, kurse luani i shkonte pas. Kur luani iu afrua, ai e pa një pus të vjetër dhe e hodhi veten në të. Kur u gjet në pus u kap për një litar me të cilin e nxirrnin ujin nga pusi.
Kur u qetësua pak dhe erdhi në vete, dhe u hesht edhe ulërima e luanit, njeriu e dëgjoi zërin e një gjarpri, me kokë të madhe dhe trup të gjatë, i cili ishte në fund të pusit.
Dhe derisa ai ashtu po mendohej se si të shpëtonte nga luani dhe gjarpri, kur i pa dy minj, njëri i zi, kurse tjetri i bardhë, po ngjiteshin përpjetë nëpër litar dhe filluan ta grimcojnë litarin, veprim ky i cili njeriun edhe më shumë e frikësoi.
Në atë frikë filloi të kthehet majtas djathtas, dhe pastaj në muret e pusit e vërejti mjaltin që e kishin bërë bletët. E zgjati dorën e mori mjaltin dhe filloi të hajë. Nga bukuria e shijes së mjaltit, e harroi gjendjen në të cilën gjendej…
Kur njeriu u zgjua nga gjumi, shkoi te një dijetar që t’ia interpretojë ëndrrën e tij. Dijetari qeshi dhe i tha: “A nuk e di ti interpretimin e saj??” Njeriu u përgjigj: “Jo.”
Dijetari vazhdoi: “Sa i përket luanit që vraponte pas teje, ai është meleku i vdekjes, gjarpri në pus është varri yt në të cilin përfundimisht do të biesh, ndërsa litari për të cilin je kapur është jeta jote. Sa i përket dy minjve, i ziu dhe i bardhi, ata janë dita dhe nata që të marrin nga jeta jote.”
Burri e pyeti: “Po mjalti, i nderuari dijetar?
Dijetari iu përgjigj: “Ajo është dynjaja, me ëmbëlsirën e saj të ka bërë të harrosh se mbi ty është vdekja, ndërsa nën ty është varri dhe llogaridhënia.”
Vëllezër të respektuar!
Siç mund të shohim dynjaja është gënjeshtër e madhe, është iluzion dhe mashtrim i madh. Njeriu mashtrohet me bukurinë e saj të rreme, andaj krenohet dhe mendon se kurrë nuk do t’i vjen fundi, por pastaj nga ajo dehje e rreme e zgjon meleku i vdekjes, por atëherë bëhet shumë vonë për çdo gjë.
Për këtë arsye h. Aliu r.a. ka thënë: Njerëzit sa janë gjallë flenë, ndërsa kur vdesin zgjohen!
Vëllezër të nderuar!
Me të vërtetë vdekja njeriut ia zbulon atë që deri atëherë e kishte të panjohur. Atëherë njeriu do ta kuptojë se nuk do t’i bëjë dobi paraja, as ari, as argjendi, as toka, e asgjë tjetër nga dynjaja, e vetmja gjë që do t’i bëjë dobi janë veprat e tij të mira.
Pejgamberi savs thotë: Shembulli i njeriut, i veprave të tij dhe pasurisë është si shembulli i një njeriu i cili ka tre miq.
Njëri prej tyre i tha: Unë jam me ty derisa ti je gjallë, por kur të vdesësh as ti nuk më përket mua, por as unë ty. Kjo është pasuria e tij.
Shoku i dytë i tha: Unë jam me ty derisa të shkosh te varri, por kur të arrish aty, as unë nuk jam i yti, as ti nuk je i imi. Ky është fëmija i tij.
Shoku i tretë tha: Unë jam me ty edhe sa je gjallë edhe kur të vdesësh. Këto janë veprat e tij.
Për këto fakte njeriu bëhet i vetëdijshëm vetëm në fund të jetës së tij, andaj në këtë kontekst është edhe tregimi i cili thotë se një djalë i vogël e pyeti gjyshin e tij:
“Gjysh, a të vjen keq që ta lësh dynjanë?”
“Po të më pyeste dikush për këtë kur isha në moshën tuaj, do t’i përgjigjesha se më vjen keq.”
“Pra, nuk të vjen keq?!”
“Jo, në moshën time dynjaja e humb vlerën, e shohësh çdo gjë që është dashur ta shohësh. E përjeton çdo gjë që është dashur ta përjetosh, kështu që dynjaja në moshën time edhe nuk është shumë interesante. E vetmja gjë që më vjen keq, është pse nuk kam bërë më shumë sevape, e më pak gjynahe. Pse nuk kam falur më shumë namaze, pse nuk jam shoqëruar më shumë me Kuranin, dhe pse nuk kam ndarë më shumë nga ajo që kam pasur.”
Vëllezër të dashur!
Që të mos pendohemi edhe ne si ky gjyshi, le ta shfrytëzojmë kohën tonë të lirë dhe shëndetin e të vijmë në xhaminë tonë përveç xhumasë edhe ndonjë vakt gjatë ditës. Le ta dimë se kjo xhami do të jetë dëshmitar për ne ose kundër nesh.
Që të mos pendohemi edhe ne si ky gjyshi, le ta shfrytëzojmë kohën tonë të lirë, shëndetin dhe rininë, dhe të vijmë këtu te imami ynë dhe ta mësojmë leximin e Kuranit. Le ta dimë se Kurani do të jetë dëshmitar për ne ose kundër nesh.
Që të mos pendohemi edhe ne si ky gjyshi, le ta shfrytëzojmë pasurinë tonë para varfërisë dhe të bëjmë vakëf në ndonjë hajrat, qoftë edhe me një euro, dhe hajrati më i mirë është ai që bëhet në xhematin tonë, në vendin tonë.
Vëllezër, le ta dimë se vetëm ajo pasuri që e japim hajrat në emër të Allahut, është pasuri e jona, çdo pasuri tjetër është e tjetërkujt.
Një halif ishte i njohur si sundimtar i cili shpesh rrinte i menduar. Rrallë herë qeshej dhe kryesisht rrinte i heshtur. Një ditë një shërbëtor me turp i tha:
“O sundimtar, pranë gjithë këtij luksi dhe dukatëve që ke ti vazhdimisht po rri i menduar! Të tjerët në vendin tënd do të ishin të kënaqur dhe të gëzuar!”
“A e din ti sa dukat kam unë? – e pyeti halifi. “Sa të kesh dëshirë” – ju përgjigj shpejt shërbëtori.
Halifi mori frymë thellë, mendoi pak dhe tha: “Për vite, ti je shërbëtori im besnik dhe ndihmësi im, andaj mund ta tregoj ty sekretin tim. Unë i kam vetëm 50 dukat!” “Si kështu?”, – i çuditur e pyeti shërbëtori. “Njerëzit mashtrohen dhe mendojnë se dukatët dhe të mirat tjera të kësaj bote janë të tyre. Por, jo. Dije, o miku im besnik, se njeriu e ka vetëm atë që ia jep tjetrit. E vetmja ajo do të gjendet në Ditën e Gjykimit, në peshoren e veprave të tij, si diçka që vlen dhe që vërtet e posedon. Unë vetëm dy të varfërve ju kam dhënë nga 25 dukatë dhe kjo është e tëra që unë kam. Të gjithë dukatet tjerë që janë te unë janë kalimtarë. Në Ditën e Gjykimit unë do t’i gjej vetëm ata 50 dukatë, dhe vetëm ata unë vërtetë i kam. Ia shpjegoi halifi.
Të mundohemi të posedojmë sa më shumë pasuri e cila do të na gjendet në peshoren e veprave të mira në Ditën e Gjykimit. Ta mbushim llogarinë tonë të ahiretit duke ju ndihmuar të tjerëve, atyre që kanë nevojë. Sepse për të tillët Allahu i Plotfuqishëm thotë:
Atij që jep (bamirësi) dhe ruhet (prej gjynaheve) – dhe i cili dëshmon (vërteton) atë që është më e bukur (besimin) – Na, atij do t’ia lehtësojmë rrugën e lumturisë (Xhenetit); – kurse atij që është koprrac dhe e konsideron veten të pavarur (nga Zoti), – dhe e përgënjeshtron atë më të bukurën (besimin), – Na, atij, do t’ia lehtësojmë rrugën e rëndë (Xhehenemit). (el-Lejl, 5-10)
Këtë hutbe po e përfundojmë me këtë fjali:
Jeta në këtë botë është si shkuarja në market. Shkojmë rreth e rrotull dhe marrim çka na pëlqen nga malli i ekspozuar. Por mos të harrojmë se para neve është arka ku duhet t’i paguajmë ato që kemi marrë!
O Zoti ynë, mbështetemi te Ti të na mbrosh nga krenaria e pasurisë dhe nga poshtërimi i varfërisë. Amin !!!
Përshtati: Miftar Ajdini