Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Hutbeja e sotme titullohet: “Le të jemi muslimanë edhe pas ramazanit.”
Muaji ramazan ka kaluar. Ka kaluar muaji, në të cilin ne kishim mjaft të mbushura rreshtat në namazet e ditës, kurse në xhuma xhamia shpesh ishte e ngushtë për ne. Ka kaluar muaji, në të cilin kemi pasur një ndjenjë të veçantë si për xhematin ashtu edhe për fqinjin në nevojë, e qe besa, edhe për pjesën tjetër të umetit musliman. Ka kaluar muaji, në të cilin ata që para ramazanit thoshim se “nuk ka asgjë prej tyre”, megjithatë treguan se ka një shkëndijë besimi tek ata, sepse në atë muaj u larguan nga alkooli, nga bixhozi, nga fjalët e këqija, nga shqetësimi i fqinjëve… Ka kaluar muaji, në të cilin kemi fituar një numër të konsiderueshëm sevapësh duke bërë ibadete të përditshme. Ka kaluar muaji, në të cilin pamë se mund të jemi njerëz më të mirë, fqinjë më të mirë dhe muslimanë më të mirë. Ka kaluar muaji, kur dyert e Xhehenemit ishin të mbyllura dhe shejtanët ishin të lidhur.
Dhe shikoni mrekullitë! Sapo u liruan shejtanët, sikur harruam atë që bëmë kaq mirë në ramazan. Sapo u liruan shejtanët, në xhami kemi mbetur vetëm disa, kurse edhe në xhuma nuk e kemi aq ngushtë. Sapo u liruan shejtanët, tregtarët e alkoolit dhe pronarët e bixhozit filluan t’i fërkojnë duart me kënaqësi. Sapo u liruan shejtanët, ne e liruam gjuhën, kështu që filluam të përhapim gënjeshtra dhe thashetheme. Sapo të liruan shejtanët, ne filluam t’u kthehemi zakoneve dhe shprehive tona të vjetra.
Pse është kështu? Ndoshta sepse ne kaluam nëpër ramazanin, por ramazani nuk kaloi përmes nesh.
Dhe çfarë do të ndodhë me veprat tona të mira që i kemi bërë gjatë ramazanit? E lus Allahun që të na i pranojë dhe na shpërblejë me bollëk për to, por nëse nuk vazhdojmë të kryerjmë vepra të mira, dhe të shmangemi nga të këqijat edhe jashtë ramazanit, kam frikë se do të jemi si një lopë që jep 20 litra qumësht, por që në fund nxiton e derdh krejt.
Ku është shpëtimi? Shpëtimi është në vazhdimin me insistim në rrugën e së mirës.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melekët (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30)
Transmetohet nga Sufjan bin Abdullah Thekafi, se ka thënë: “Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, më trego diçka që duhet t’i përmbahem!” Ai tha: “Thuaj kam besuar Allahun, pastaj përqëndrohu në këtë!” Unë thashë: “O i Dërguari i Allahut, më trego nga çfarë ke më shumë frikë për mua?” Ai e kapi gjuhën e tij dhe tha: “Nga kjo!”
A mjafton vetëm të thuhet “Zoti im është Allahu”, dhe të shkohet në Xhenet? Natyrisht që jo, sepse kjo deklaratë, ky pranim i Allahut si Zot, duhet të shoqërohet me veprime, të cilat veprime ne i bëmë në mënyrë fantastike gjatë muajit ramazan.
Ramazani ka kaluar, por Islami ka mbetur, prandaj le të jemi muslimanë të mirë edhe pas ramazanit. Le të ngulmojmë në rrugën e së mirës dhe të mundim shejtanin e quajtur heqje dorë dhe neglizhencë.
Pejgamberi (savs) ka thënë: “Bëni vepra të mira aq sa mundeni, sepse Allahu nuk do të mërzitet (duke ju shpërblyer) derisa ju të mos mërziteni (duke bërë mirë)!” Veprat (e mira) më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen vazhdimisht, qoftë edhe nëse janë të vogla.”
O Zoti ynë, na i prano ibadetet e ramazanit, na forco në rrugën e Islamit edhe pas ramazanit dhe na bëj robër të qëndrueshëm dhe të sinqertë në rrugën Tënde.
O Zoti ynë, mos na merr shpirtin duke mos qenë Ti i kënaqur me ne. Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini