Mos më fol ti mua për veten tënde….

430

Mos më fol ti mua për veten tënde, qëndrimi yt ndaj çështjeve të njerëzve të tjerë,
do të më tregojë mua se çfarë njeriu je ti

Një burrë tregon:

“Nuk munda ta gjeja sëpatën time, kështu që dyshova se fqinji im e kishte ‎vjedhur dhe fillova ta shikoj me kujdes. Ecja e tij më ngjante me ecjen e hajdutit të sëpatës ‎sime, fjalimi i tij më ngjante, gjithashtu, me hajdutin e sëpatës, madje edhe lëvizjet e tij dhe ‎shenjat e caktuara të duarve, më thoshin mua se askush tjetër nuk e kishte vjedhur sëpatën, ‎përveç tij.‎

Atë natë e kalova i hidhëruar dhe nuk mund të flija, po mendoja se si t’i afrohesha fqinjit tim ‎dhe t’i thosha se unë e di që ai e ka vjedhur sëpatën time. Mirëpo, në mëngjes e gjeta ‎sëpatën nën grumbullin e barit të thatë, të cilin djali im e kishte vendosur mbi të.‎

Ditën tjetër, unë e shikova fqinjin tim dhe tek ai nuk pashë asgjë, që do të tregonte se ai e ‎kishte vjedhur sëpatën time: as në ecjen e tij, as në fjalimin e tij, as në shenjat e duarve të tij. ‎Përkundrazi, gjithçka fliste se ai ishte krejtësisht i pafajshëm.‎

Në atë moment, e kuptova se në fakt unë isha hajdut. E vodha nga fqinji im besimin dhe ‎pafajësinë e tij, e vodha, gjithashtu, nga jeta ime një natë të tërë duke kaluar zgjuar, duke ‎menduar se si të ballafaqohem me njeriun për të cilin isha i bindur se e ka vjedhur sëpatën ‎time, kurse ai ishte i pafajshëm dhe nuk kishte asnjë lidhje me vjedhjen e sëpatës sime.”‎

Nga ky tregim mund të nxjerrim disa mësime, do t’i përmendi tri:‎

‎1. Është fakt se ndjenjat tona e kontrollojnë botëkuptimin tonë për jetën. Kur dikë e duam, ‎ne e shohim vetëm të mirën e atij që e duam, ndërsa nëse shohim ndonjë të keqe tek ai, ne ‎e mashtrojmë vetveten se atë nuk e kemi parë. Dhe e kundërta, kur dikë e urrejmë, ne nuk ‎shohim asgjë tjetër, përveç të keqes tek ai që e urrejmë, ndërsa nëse shohim një të mirë tek ‎ai, vetveten e mashtrojmë dhe e bindim se atë nuk e kemi parë. E vërteta të cilën shumica ‎prej nesh e neglizhon dhe përpiqet të ikë prej saj, është se ne botën e shikojmë më shumë ‎me zemrat tona sesa me mendjet dhe me sytë tanë.‎

‎2. Momenti në të cilin njeriu dyshoi se fqinji i tij ia kishte vjedhur sëpatën, e shtyri që të besonte se ‎ajo me të vërtetë ishte ashtu, ndërsa momenti i bindjes së vërtetë (prova e dukshme), e bindi ‎atë se fqinji i tij ishte i pafajshëm. Shpesh herë ne ndërtojmë fiksime dhe iluzione, ashtu që ‎vetes i vendosim zinxhirë dhe pranga, dhe nëse ndalemi të reflektojmë për problemet tona të ‎shumta, do të zbulojmë se ne në të vërtetë jemi viktima të supozimeve, dyshimeve dhe ‎imagjinatës sonë.‎

‎3. Kur një person sjell gjykim për një çështje, ai me të nuk ua shpjegon të tjerëve të vërtetën ‎për atë çështje, sa ua shpjegon të vërtetën për veten e tij. Ne i bëjmë gjykimet tona në bazë të ‎parimeve tona, ideve tona, vlerave dhe besimeve tona, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ‎njerëzit ndryshojnë në gjykime për të njëjtin rast ose për të njëjtën çështje. Fakti mbetet fakt, ‎por ndryshojnë masat në bazë të së cilave gjykohen njerëzit dhe faktet.

Prandaj, mos më fol ‎ti mua për veten tënde, qëndrimi yt ndaj çështjeve të njerëzve të tjerë, do të më tregojë mua ‎se çfarë njeriu je ti. ‎

Autor: Edhem Sherkavi

Përkthim: Miftar Ajdini