Fakte për reflektim të thellë:
Muslimanët sot janë të vetmit njerëz me fat në botë që e kanë fjalën e Allahut të ruajtur plotësisht, të pa ndryshuar dhe fjalë për fjalë ashtu siç i është shpallur të dërguarit të Allahut a.s. Dhe po të njëjtët këta muslimanë janë njerëz të pafat të cilët me vete e kanë Fjalën e Allahut, e megjithatë janë të privuar nga begatitë dhe të mirat e saj të panumërta.
Kurani u është dërguar për ta lexuar, sipas tij për të vepruar, pastaj me ndihmën e tij në tokën e Allahut një bashkësi për ta konsoliduar, e cila do të jetonte në përputhje me ligjet e Allahut.
Kurani ka ardhur për t’ua njohur nderin dhe fuqinë; ka ardhur për t’i bërë përfaqësues të vërtetë të Allahut në tokë. Historia dëshmon se, kur ata vepruan në përputhje me të, ai ua tregoi fuqinë e tij dhe bëri që të jenë imamë dhe udhëheqës të botës.
Mirëpo, tani përfitimi i muslimanëve prej Kuranit është kufizuar në mbajtjen e tij në shtëpi për dëbimin e demonëve dhe shpirtrave, për shkrimin e ajeteve të tij në letër të cilat pastaj i varin rreth qafës, ose i lajnë në ujë të cilin pastaj e pijnë, ose për lexim të pavëmendshëm të përmbajtjes vetëm sa për bereqet.
Muslimanët sot në Kuran nuk kërkojnë udhëzim për aktivitetet e tyre të jetës. Ata nuk kërkojnë këshilla për besimet e tyre, nuk pyesin për veprimet e tyre, as si ta bëjnë biznesin, si të lidhin miqësi e si të sillen me armikun, cilat janë të drejtat e tyre dhe të fëmijëve të tyre, çka është për ta e vërtetë dhe çka është gënjeshtër, kënd duhet ta respektojnë e kënd jo, me kënd duhet të shoqërohen e me kënd jo, kënd e kanë mik e kënd armik, ku është nderi, prosperiteti dhe fitimi për ta, dhe ku është turpi, fatkeqësia dhe humbja?
Muslimanët e kanë braktisur mësimin e të gjitha këtyre nga Kurani. Për të gjitha këto, ata tani mësojnë nga jobesimtarët, politeistët, nga njerëzit e udhëhequr gabimisht dhe egoistë, si dhe nga zëri i keq e shpirtit të tyre, dhe të gjitha këto këshilla ata i ndjekin. Ajo që sipas rregullit ndodh nga mosrespektimi dhe neglizhenca e Zotit, ajo ka ndodhur dhe po ndodh në Hindustan, Kinë, Java, Palestinë, Siria, Algjeri, Marok dhe kudo.
Kurani është burimi i së mirës më të madhe. Ai do t’ua japë cilat mirësi dhe sa mirësi të kërkoni prej tij. Nëse prej tij kërkoni gjëra të thjeshta, të pavlefshme dhe kuazi-gjëra siç është dëbimi i demonëve dhe shpirtrave, ilaç për kollë dhe temperaturë, sukses në procese gjyqësore dhe siguri në punë, atëherë do t’i fitoni vetëm ato gjëra. Nëse nga Kurani e kërkoni udhëheqjen e botës dhe zotërimin e universit, edhe atë do ta fitoni. Por, nëse ju doni ta arrini kulmin e kënaqësive, Kurani edhe atje do t’ju çojë. Është vetëm çështje e aftësisë suaj personale që të kërkoni dy pika nga oqeani, përndryshe oqeani është i gatshëm që të ju japë aq shumë dhurata sa është edhe vet ai.
Vëllezër e motra!
Shakatë mizore të cilat i bëjnë vëllezërit tanë muslimanë me Librin e Shenjtë të Allahut, janë aq të ulëta, sa që nëse ata vetë do ta shihnin dikë tjetër duke bërë shaka të tilla në një rast tjetër, do të talleshin dhe madje do ta konsideronin të çmendur.
Thuani, a e ka marrë dikush një recetë të shkruar nga mjeku dhe e ka varur rreth qafës, pasi e ka mbështjellë në një copë pëlhure, apo e ka larë në ujë dhe atë ujë e ka pirë?
Çka do të thoni ju atëherë? A nuk do të qeshni, a nuk do ta quani të çmendur?
Po pikërisht një lojë e tillë po ndodh para syve tonë me recetën më të lartë të shkruar nga mjeku më i Madh, për ilaçin e mëshirshëm për të gjitha dobësitë dhe sëmundjet tona dhe askush për këtë nuk po qesh! Askush nuk po përpiqet ta kuptojë se receta nuk është një gjë që varet rreth qafës, apo që laget në ujë, por qëllimi i saj është që sipas saj të merret ilaçi, siç shkruan aty.
Është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe ta ndjekim Kuranin
Më thuani, a ka dikush, që është i sëmurë, pastaj e merr librin për mjekësinë dhe e studion duke menduar se leximi do t’i sjellë shërim?
Çka do të thoni për një njeri të tillë?
A nuk do të thoni se është jashtë mendjes dhe duhet të dërgohet në çmendinë?
Kurse ne aplikojmë proces të ngjashëm me librin të cilin Mjeku më i madh e ka dërguar si ilaç për sëmundjet tona. Ne e lexojmë atë dhe mendojmë se vetëm duke e lexuar me kujdes të gjitha dhimbjet do të na largohen, dhe se nuk është e nevojshme t’i ndjekim udhëzimet e dhëna në të, e as që është e rëndësishme t’u shmangemi gjërave që janë klasifikuar si të dëmshme.
Pse nuk po bëjmë të njëjtin gjykim për veten, si për atë njeriun i cili konsideron se vetëm leximi i librit për mjekësinë është ilaç i mjaftueshëm për sëmundjen e tij.
Nëse e pranojmë një letër në një gjuhë që ne nuk e kuptojmë, do të nxitojmë tek një njeri që e di atë gjuhë për ta mësuar përmbajtjen. Nuk jemi të qetë derisa ta kuptojmë përmbajtjen. Kështu veprojmë me letrat e biznesit, të cilat mund të na sjellim fitim.
Mirëpo, letrën të cilën na ka dërguar Sunduesi i botës duke na i përshkruar të gjitha të mirat e kësaj dhe të jetës së ardhshme, në mënyrë të shkujdesur e kemi lënë mënjanë, pa iteresim për ta mësuar përmbajtjen e saj. Nuk po tregojmë asnjë dëshirë për ta kuptuar mesazhin e saj. A nuk është kjo e habitshme dhe tronditëse?
“Parimet e Islamit”; Abul E’ala el Mevdudi
Përshtati: Miftar Ajdini