Si të bëhesh njeriu më i lumtur?

1522

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi dëshmorët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Ia kujtoj vetvetes dhe juve që të besojmë me vendosmëri në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Të dashur vëllezër!

Një sorrë jetonte në pyll dhe ishte plotësisht e kënaqur me jetën e saj. Një ditë ajo e pa një mjellmë dhe mendoi. “Kjo mjellmë është shumë e bukur dhe e bardhë, kurse unë jam e zezë.” “Ti duhet të jesh zogu më me fat në botë” – i tha ajo.

Mjellma iu përgjigj: “Edhe unë kështu mendova derisa e pashë papagallin, ai ka dy ngjyra dhe është vërtet i bukur. Mendoj se papagalli është zogu më i lumtur i krijuar ndonjëherë.”

Sorra e gjeti një papagall dhe e pyeti, se a ishte zogu më i lumtur në botë, kurse papagalli i shpjegoi: “Kam jetuar një jetë shumë të lumtur derisa e pashë palloin. Unë kam vetëm dy ngjyra ndërsa palloi ka shumë ngjyra.”

Sorra e viziton një pallua në një kopsht zoologjik dhe sheh mijëra njerëz që mblidhen dhe admirohen me bukurinë e tij. Kur njerëzit u larguan, sorra iu afrua palloit dhe i tha: “I dashur, ti je shumë i bukur. Çdo ditë mijëra njerëz vijnë për të të parë ty. Kurse kur më shohin mua, largohen menjëherë. Mendoj se ti je zogu më me fat në botë.”

Palloi u përgjigj: “Unë gjithmonë kam menduar se jam zogu më i bukur dhe më i lumtur në botë, por për shkak të bukurisë sime jam robëruar në kopshtin zoologjik. Unë e kam vëzhguar kopshtin zoologjik shumë herë dhe kam vënë re se sorra është i vetmi zog që nuk është në kafaz. Kështu që prej disa kohësh kam menduar se sa i lumtur do të isha po të isha sorrë, sepse mund të fluturoja ku të dua.”

Duke i dëgjuar të gjitha këto, sorra u gëzua dhe tha: “Unë nuk dua të jem asgjë tjetër, jam mirë kjo që jam”.

Vëllezër të dashur!

Nëse shikojmë përreth do të shohim se shumica prej nesh janë si kjo sorra; do të shohim se problemi kryesor i pakënaqësisë dhe fatkeqësisë sonë është krahasimi me të tjerët.

Ne shohim se si jetojnë njerëzit e famshëm (aktorët, sportistët, këngëtarët…), ndaj duam që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Shikojmë se çfarë bleu fqinji, çfarë vozit fqinji, pastaj nisim garën me dynjanë, që edhe ne të blejmë një makinë më të mirë se e tija, që të ndërtojmë një shtëpi më të mirë se e tija, e kështu me radhë…. po përse? Sepse kemi nevojë për të? Jo, por sepse jemi bërë ziliqarë, kurse zilia është sëmundja që na e shkatërron lumturinë tonë në këtë botë dhe që na i shkatërron veprat tona të mira në botën e ardhshme.

Të dashur vëllezër!

Islami na mëson që të jemi të lumtur dhe të kënaqur me atë që kemi. Islami na mëson se ekziston e mira dhe e këqija, se ka pasuri dhe varfëri, se ka sëmundje dhe shëndet… se të gjitha këto janë nga Allahu, dhe, se ne caktimin e Allahut nuk mund ta ndryshojmë.

Islami na mëson se, për sa i përket kësaj bote, ne duhet t’i shikojmë ata që janë më të varfër se ne, që kanë më shumë probleme se ne, kurse për sa i përket botës së ardhshme, na mëson që t’i shikojmë ata që janë më të devotshëm dhe më fetarë se ne.

Islami na mëson se kjo botë është vend vuajtjesh, kurse ahireti është vend kënaqësie.

Ai që e kupton këtë mësim islam do të jetë njeriu më i lumtur dhe më i kënaqur në botë, pa marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet.

Pejgamberi (savs) thotë: Puna e besimtarit është e çuditshme! Ngado që ta kthesh, është në të mirë të tij, dhe kjo nuk është për askënd tjetër, por vetëm për të. Nëse begatohet me diçka, ai falënderon, dhe kjo është mirë për atë, kurse nëse sprovohet me diçka, ai bën durim, dhe (edhe) kjo është mirë për atë!(Hadithin e transmeton Muslimi)

O Allah, na shto furnizimin dhe mos na e pakëso!

Na ndero dhe mos na poshtëro!

Na jep dhe mos na refuzo!

Ji i kënaqur me ne dhe na bëj të kënaqur! Amin!!! 

Përshtati: Miftar Ajdini