Muslimanët u bënë të parëndësishëm pasi ia kthyen shpinën Islamit

694

Shkruan: Edhem Sherkavi

Imam Ahmed ibn Hanbeli ka regjistruar një transmetim në të cilin thuhet: „Kur muslimanët e pushtuan Qipron, sahabiu Ebu Derda (r.a.), ishte në ushtrinë muslimane e cila e pushtoi këtë ishull. Derisa muslimanët ishin të preokupuar me festimin e fitores dhe me plaçkën e madhe të luftës, Ebu Derda (r.a.), u ul vetëm dhe qau. Duke e parë në atë gjendje, i afrohet  Xhubejr ibn Nufejri dhe i thotë: “Çfarë të shtyri të qash në ditën kur Allahu e lartësoi Islamin dhe pasuesit e tij?”

Ebu Derda (r.a.), i tha: “Mjerë ti, o Xhubejr! Më të përbuzurit tek Allahu janë njerëzit të cilët i shpërfillin urdhrat e Tij. Ata që ishin popull fitimtar, që kishin pushtet, por që pastaj i neglizhuan urdhrat e Allahut dhe u bënë këta që po i shohësh.”

Arabët në epokën paraislamike ishin fise në grindje; mes tyre bëheshin luftëra për kullota dhe ujë; disa prej tyre i ndiqnin bizantinët e disa i ndiqnin persët; zhvillonin luftëra të gjata mes tyre, madje edhe për shkak të deveve me të cilat organizonin gara.

Pastaj Allahu i Plotfuqishëm, nga mirësia dhe mëshira e Tij e pamasë, u dërgoi atyre pejgamberin më të mirë dhe më të zgjedhur, Muhamedin (savs), i cili ia ndryshoi faqen e tokës përgjithmonë.

Ai i shndërroi arabët nga barinj në udhëheqës të popujve dhe ndërtues të qytetërimit; nga fise të hasmuara, të ndara dhe ndërluftuese në forcë kolosale dhe të bashkuar kundër armiqve të tyre. Ata për disa vite i shkatërruan perandoritë të cilat i ndoqën dhe të cilave iu nënshtruan.

I Dërguari i Allahut (savs), nuk i ndryshoi mjetet e prodhimit siç pretendon komunizmi se pa to nuk ka ndryshim në shoqëri. Ai as nuk e çliroi ekonominë dhe nuk themeloi kompani gjigante ndërkombëtare, siç pretendon kapitalizmi se pa to nuk ka ndryshim në shoqëri. Ai i shkatërroi idetë e xhahilijetit dhe paganizmit dhe në vend të tyre rrënjosi dhe ndërtoi besimin e fortë në një Zot, Allahun e Plorfuqishëm.

Ai nuk prodhoi dhe zhvilloi makineri dhe vegla bujqësore, as nuk themeloi bursa. Në vend të kësaj, ai hyri në zemrat e arabëve duke i ndriçuar ata me fjalën e monoteizmit, dhe në mendjet e tyre duke ua treguar realitetin e tyre dhe realitetin e botës.

Ai i ngarkoi ata me amanetin e da’ves dhe thirrjes në fenë e Allahut, derisa Rub’ijj bin Amir hyri në kështjellën e Kisrasë dhe tha: “Ne jemi populli që Allahu e ka dërguar për t’i udhëhequr njerëzit nga robëria ndaj njerëzve për në robëri ndaj Zotit të njerëzve.”

Ne nuk e kemi përjetuar suksesin veçse me këtë fe të lartë, as nuk do të përjetojmë një lulëzim dhe rilindje të re pa Islamin. Qytetërimi i Endelusit, i cili ishte feneri i botës, nuk u ngrit veçse nën petkun e kësaj feje, as ne nuk u bëmë të parëndësishëm në raport me popujt e tjerë, përveçse kur e shpërfillëm fenë e Allahut dhe i shpërfillëm urdhërat e Tij.

Po, në mesin tonë ka njerëz të mirë dhe të devotshëm, kjo është e vërtetë, por në fund të fundit ne duhet ta dimë se ne jemi ummet dhe jo individë, dhe se nuk do të kthehemi në rrugën tonë derisa i gjithë umeti të jetë i mirë sikurse një person i mirë.

Përkthim: Miftar Ajdini