Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Besimtari është pasqyrë për besimtarin”
Pejgamberi (savs) i është lutur Allahut të Plotfuqishëm: “O Allah, më jep dashuri për Ty, dashuri për atë që të do Ty dhe dashuri për veprimin që më afron me dashurinë Tënde.” Një beduin e pyeti Pejgamberin (savs): “O Muhamed, kur do të jetë Kijameti?” Pejgamberi i tha: “Ç’ke me të! Kijameti do të vijë herët a vonë, por pyetja e vërtetë është çfarë ke përgatitur ti për të?” “O Pejgamer, unë nuk kam përgatitur shumë namaze apo shumë agjërim, por e dua Allahun dhe Pejgamberin e Tij.” Pejgamberi (savs) i tha: “Njeriu do të jetë me atë që e do!” Imam Buhariu në Sahih, pranë këtij hadithi ka shënuar: “Asnjë hadith nuk i ka gëzuar muslimanët sikurse ky.” Për të shmangur konfuzionin, me termin shumë namaze dhe shumë agjërim, të themi se këtu mendohet për namazet nafile dhe për agjërimin vullnetar, jo për namazet farze as për agjërimin e ramazanit të cilat janë të kuptueshme.
Të dashur vëllezër!
Ne po jetojmë në një kohë të një sistemi me vlera të rrënuara në shoqëri. Njerëzit përpiqen, pa zgjedhur mjetet dhe rrugën, për t’i arritur begatitë e kësaj bote, kurse të rinjtë janë të fiksuar pas dëshirës për popullaritet. Feja na mëson se njeriu duhet të përpiqet të jetë njeri i mirë, dhe kjo nuk varet as nga pasuria as nga popullariteti. Edhe ai që është i panjohur në shoqëri, edhe ai që jeton në margjinat e ngjarjeve shoqërore, mund të jetë njeri i mirë; mund të bëjë vepra të mira, vepra të cilat do ta afrojnë te dashuria e Allahut. Ja një shembull; një grua emri i së cilës nuk është i shënuar në koleksionet e haditheve, kujdesej për pastërtinë e xhamisë së Pejgamberit (a.s.) në Medine. Një ditë, Pejgamberi vuri re se nuk e kishte parë për ditë të tëra, kështu që i pyeti sahabët e tij për të dhe ata i thanë se ajo ishte shpërngulur në botën tjetër. “Pse nuk më keni njoftuar për vdekjen e saj”, tha Pejgamberi (a.s.). Pastaj kërkoi që t’ia tregonin varrin e saj dhe ai shkoi dhe ia fali namazin e xhenazes. Jeta e saj ishte jetë besimtari. Ajo bëri vepër e cila e afroi te dashuria e Allahut. Buhariu në Sahihun e tij transmeton nga Ebu Hurejre (r.a.) se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush e kthen zemrën e tij nga Allahu (xh.sh.), Allahu do t’i kthejë drejt tij zemrat e besimtarëve.” Pra, popullariteti në një shoqëri fetare arrihet duke bërë mirë dhe duke ecur Rrugës së Drejtë.
Osmani (r.a.), na mëson duke thënë: “Katër gjëra në pamjen e tyre të jashtme janë të lavdëruara, kurse në thelb janë të obliguara; 1. „Shoqërimi me njerëz të mirë është i lavdëruar, kurse imitimi i tyre është i obliguar.” Me kë shoqërohet besimtari? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Allahu i Plotfuqishëm duke thënë: „Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.“ Pse? “Sepse ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin…“ (et-Teube, 71) Kështu, besimtari, duke ndjekur udhëzimet e Allahut, miqësohet me besimtarin, sepse Muhamedi (a.s.), thotë se „Besimtari është pasqyrë për besimtarin.“ Kur doni të dilni nga shtëpia, kur dilni në shoqëri, së pari qëndroni para pasqyrës, ajo j’ua tregon të metat në pamjen tuaj dhe ju i largoni shpejt, duke dashur të dukeni bukur, gjë që edhe Islami e kërkon. Ai që rri pranë jush në saf në namaz dhe ju për të jeni pasqyra të njëri-tjetrit. Nëse Pejgamberi (a.s.) i lutej Allahut që ta afronte me veprimin i cili do ta afronte me dashurinë e Tij, edhe ne kemi të njëjtën nevojë që të lutemi por edhe të bëjmë atë që do të na sillte në shoqërinë e zgjedhur të Xhenetit, nën strehën e dashurisë dhe kënaqësisë së Allahut. Shoqërimi në emër të Allahut dhe tregimi i gabimeve njëri-tjetrit është veprim që na afron me Allahun. Prandaj besimtari është i obliguar që t’ia tregojë gabimin vëllait të tij, besimtarit, kurse ai, të cilit i tregohet gabimi, është i obliguar që të jetë mirënjohës dhe i lumtur që ka një shok të tillë, i cili dëshiron ta shpëtojë nga Zjarri. Sikur ta ka shtrirë dorën për të të shpëtuar nga një lumë i fryrë, është kur të thotë që t’u shmangësh fjalëve të këqija, thashethemeve; sikur ta ka shtrirë dorën për të të shpëtuar nga fatkeqësia kur të këshillon ta evitosh ndonjë mangësi, apo ndonjë mëkat. A do të kemi fuqi brenda nesh që ta kalojmë atë kufi dhe që të jemi gati ta pranojmë vërejtjen dhe këshillën e një vëllai në mënyrë që të mos akuzohemi atje për gabimet. Prandaj është detyrë e jona jo vetëm që të shoqërohemi me njerëz të mirë, por edhe ta përvetësojmë ndershmërinë nga të ndershmit dhe sinqeritetin nga të sinqertët, sepse shoqërimi me njerëz të mirë është i lavdëruar, kurse imitimi i tyre është obligim për ne.
Osmani (r.a.), vazhdon të na mësojë: 2. “Leximi i Kuranit është i lavdëruar, kurse veprimi i asaj që thotë ai është i obliguar.“ Imagjinoni sa skenë e mrekullueshme do të ishte sikur një njeri të vinte mes nesh dhe të na gjente të gjithëve duke lexuar Kuran. Dhe tani le të imagjinojmë që i njëjti person vjen në shoqërinë tonë dhe sheh që njerëzit jetojnë me ndershmëri, sepse Kurani këtë e kërkon prej nesh, e sheh se askush në shoqërinë tonë as nuk jep dhe as nuk merr ryshfet, as nuk ka ndonjë formë të korrupsionit sepse Kurani e ndalon atë, dhe e sheh që njerëzit studiojnë dhe edukohen, vazhdimisht orvaten dhe përpiqen që të jenë sa më të mirë sepse këtë e kërkon Kurani. Allahu i Plotfuqishëm na urdhëron që të lexojmë Kuran, dhe ne gjatë leximit të Kuranit do të lexojmë shumë ajete të cilat na kërkojnë që të veprojmë, që të punojmë dhe të zbatojmë. Le ta dëgjojmë së bashku këtë ajet: „Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë (mal) të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut…“ (el-Hashr, 21). Tani, le të jemi të sinqertë me veten. Ne atë që lexojmë në Kuran e trajtojmë sikur Allahu të mos na flet neve. Ne sillemi sikur me diçka që është thënë shumë kohë më parë dhe që ka të bëjë me njerëz të tjerë, të vdekur prej kohësh. Kurse ne dëgjuam, që Pejgamberi (a.s.) iu lut Allahut të Plotfuqishëm që t’i jepte dashuri për veprimin që do ta afronte me dashurinë e Tij. Allahu i Plotfuqishëm na urdhëron që të falemi. Çfarë pamjeje do të ishte sikur ai që erdhi dhe na gjeti duke lexuar Kuran, nesër në mëngjes në të gjitha shtëpitë tona t’i shihte dritat e ndezura dhe të mrekullohej sesi të gjithë po zbatonin urdhrin e Allahut për faljen e namazit, sesi po i përgjigjeshin thirrjes për shpëtim. Ne mund të jemi të lumtur, edhe shoqëria mund të jetë e lumtur nëse jetojmë atë që na ka shpallur Allahu, nëse Kurani është jeta jonë.
Osmani (r.a.), na mëson më tutje duke thënë: 3. “Vizita e varrezave është e lavdëruar, kurse përgatitja për jetën e përjetshme është e detyruar.” Kudo përreth nesh ka varreza. Pejgamberi (a.s.) na inkurajon që t’i vizitojmë ato. Nga vizita e varrezave kanë dobi edhe ata që banojnë në to. Kështu, ne e dimë se kur shkojmë tek ata dhe ju japim selam, shpirti i tyre ju kthehet për t’iu përgjigjur selamit tonë, por ne nuk e dëgjojmë atë. Ne e dimë se ata gëzohen me lutjen që bëjmë për ta. Por Kurani është, para së gjithash, për t’i paralajmëruar ata që janë të gjallë, kështu që edhe ata, të varreve, janë aty për të na paralajmëruar vazhdimisht se do të vijë dita kur edhe ne do të vendosemi në varr, i cili, siç na thotë Pejgamberi (a.s.) mund të jetë një kopsht i kopshteve të Xhenetit, por mundet të jetë edhe një greminë e greminave të Xhehenemit. Se cila prej tyre do të jetë varet se a jeni të vetëdijshëm për këshillën: “Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (el-Xhum’a, 8).
Osmani (r.a.) na thotë edhe pikën e katërt: 4. „Ta vizitosh të sëmurin është e lavdëruar, por të marrësh mësim nga i sëmuri është e obliguar.” Si duhet ta marrim atë mësim? Imagjinoni, keni vizituar një njeri të palëvizshëm dhe jeni në gjendje t’i ofroni atij përmirësim, por me kusht që pas kësaj ai të shkojë në xhami çdo mëngjes për faljen e namazit të sabahut me xhemat. A do ta pranonte ai këtë?! Imagjinoni, keni vizituar një njeri që vuan nga një sëmundje e pashërueshme, dhe ju jeni në gjendje t’i premtoni atij shërim, por me kusht që ai ta agjërojë ramazanin. A do ta pranonte ai këtë? Pse duhet t’i vizitojmë të sëmurët? Për t’i ndihmuar, për t’u folur në sëmundjen dhe vuajtjen e tyre, por edhe për ta ndihmuar veten tonë, që gjithmonë në mendime të na jehojnë fjalët e Pejgamberit (a.s.): “Përfitoni nga shëndeti para se të sëmureni.“
E dini se çfarë është lutur Pejgamberi (a.s.), ai është lutur që Allahu i Plotfuqishëm ta afrojë te veprimi i cili atë do ta afrojë tek Allahu. Pa veprim të mirë njeriu nuk mund t’i afrohet Allahut. Prandaj, edhe ne, le t’i lutemi Allahut të Plotfuqishëm, ashtu siç është lutur Pejgamberi (a.s.): „O Allah, na dhuro dashuri ndaj Teje, edhe dashuri ndaj atyre që të duan Ty, edhe dashuri ndaj veprimit i cili do të na afrojë te Ti!“ Amin.
Autor: Izet ef. Čamdžić
Përkthim: Miftar Ajdini