“Për zjarr, kurrsesi mos punoni!”

1037

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Për zjarr, kurrsesi mos punoni!

„Kam dëgjuar dhe mësuar katër mijë hadithe të Pejgamberit (savs). Njëri prej tyre më bëri veçanërisht përshtypje, i kushtova vëmendje të veçantë, dhe thashë me vete, nëse e zbatoj mesazhin e këtij hadithi, do ta gjej lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër!” – ka thënë dijetari i njohur islam Shibli. Ai hadith është ky: “Puno për këtë botë aq sa do të qëndrosh në të, puno për botën tjetër për aq kohë sa do të qëndrosh atje, puno për Allahun e Lartësuar për aq kohë sa do të kesh nevojë për Të, dhe puno për zjarrin për aq kohë sa mund ta durosh atë!” (Transmetom Muslimi)

Çdo musliman, çdo besimtar dëshiron lumturi në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Allahu i Lartësuar për këtë qëllim, pikërisht për këtë, që njerëzit ta gjejnë lumturinë këtu në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër e dërgon Pejgamberin dhe shpalljen. Ky hadith na ndihmon të gjejmë përgjigje për pyetjet e rëndësishme të jetës, të gjitha me qëllim të arritjes së lumturisë së kësaj bote dhe për ecjeje të sigurt drejt kënaqësive të Xhenetit. Ky hadith na ndihmon ta mësojmë se cilët janë miqtë tanë. Njerëzit këtu në këtë botë në përgjithësi kanë një mik, ose disa miq. Arsyet e shoqërimit të tyre janë të ndryshme; por më së shpeshti ata i lidh interesi, interesi material, interesi i kësaj bote. Janë të paktë ata që këtu shoqërohen në emër të Allahut, dhe po ua kujtoj se Pejgamberi (savs) ka thënë, se ata që këtu shoqërohen në emër të Allahut, për hir të botës tjetër, do të jenë nën hijen e Allahut në botën tjetër kur nuk do të ketë hije tjetër. Por ne jemi dëshmitarë se ka pak prej tyre. Ky hadith na ndihmon të mësoijmë se shoku i vetëm, i vërtetë, i njeriut janë veprat e mira, sepse sado miq të kesh dhe sido që të jenë ata, ata shoqërohen me ty vetëm në një fazë të jetës tënde, kurse ti jeton përgjithmonë. Ata shoqërohen me ju këtu në këtë botë, kurse Pejgamberi (a.s.) e ka përshkruar atë si një vend ku ne duhet të sillemi si udhëtarë; prandaj miku i vërtetë dhe i vetëm i sinqertë i njeriut janë veprat e mira. Prandaj, nëse dëshironi lumturinë këtu (në dynja) dhe shpëtimin atje (në ahiret), bëhuni miq me veprat e mira. Ato do të vazhdojnë të shoqërohen me juve edhe kur të largoheni nga kjo botë, ato do të vazhdojnë të jetojnë me juve edhe kur të jeni në fazën e dytë të jetës, dhe do të ju sigurojnë një vend të sigurt në fazën e tretë të jetës, atë që quhet përjetësi. Nëse dëshironi lumturi në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër, atëherë punoni për këtë botë aq sa do të qëndroni në të, kurse për botën tjetër aq sa do të qëndroni atje. Zgjidhni mikun e vërtetë dhe të sinqertë, dhe le t’ju inkurajojë këshilla e Pejgamberit (a.s.) për ta bërë këtë; sepse tri gjëra që e përcjellin të vdekurin deri në varr, dy prej tyre, pasuria dhe familja, kthehen në shtëpi, kurse vetëm veprat vijnë me juve. Bëni gjithçka që mundeni për t’i bërë ato vepra që të jenë vepra të mira.

Ky hadith na mëson, në fakt na ndihmon të kuptojmë se si ta trajtojmë pasurinë dhe të mirat materiale. Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme…“ (en-Nahl, 96) Pejgamberi (a.s.), duke na treguar për natyrën tonë njerëzore, kur thotë: “Njeriu flet, pasuria ime, pasuria ime, ka lakmi për të, bën mëkate duke e grumbulluar dhe harron se e tija është vetëm ajo që e ha dhe kalon nëpër të, ajo që e vesh dhe e gris, dhe ajo që ndan dhe kështu e përjetëson.” (Tirmidhiu) Këtë botë dhe çdo gjë që është në të, besimtari e kupton si mjet me të cilin mund të arrihet qëllimi, kurse qëllimi është Xheneti. Ndarja nga ajo me të cilën jemi furnizuar, është vepër që çon në Xhenet. Të kuptuarit e pasurisë si mjet, kurse të kuptuarit e vetvetes vetëm si përdorues të saj, e kurrsesi si pronar të saj, vjen si mesazh nga hadithi në të cilin thuhet: Për këtë botë punoni aq sa do të qëndroni në të, për botën tjetër aq sa do të jetoni atje, dhe për zjarrin aq sa mund ta përballoni. Shpesh njeriu duke dashur të mbledhë sa më shumë pasuri, futet në mëkate, në haram, prandaj është rast i mirë për ta paralajmëruar me këto fjalë të Pejgamberit (a.s.): “Kush përvetëson (tokë) sa një pëllëmbë nga prona e dikujt tjetër, shtatë kate të tokës do të rëndojnë mbi të në botën tjetër.”; “Kush e përvetëson pronën e dikujt tjetër, Allahu i Lartësuar ia ndalon Xhenetin dhe ia përcakton Zjarrin.” (Transmeton Muslimi)

Ky hadith na mëson dhe na përgjigjet në pyetjen “Pse njerëzit përplasen dhe grinden?” Shkaku i kësaj është zilia, kurse arsye për këtë janë të mirat e kësaj bote. Allahu i Plotfuqishëm e ndalon zilinë. Muhamedi (a.s.) flet shumë për atë mëkat që banon në ne dhe është shkaktar i urrejtjes dhe konfliktit. Ne e dimë se zilia i shkatërron veprat e mira sikurse zjarri që i shkatërron drunjtë, dhe, gjithashtu e dimë, se njerëzit gjithmonë dhe ekskluzivisht përplasen dhe luftojnë për shkak të asaj që do të jetë e pavlefshme kur të shkojnë në përjetësi. Prandaj Pejgamberi (a.s.) thotë: “Mos luftoni për atë që edhe ashtu do ta lini.” (Ebu Davudi) Nëse Pejgamberi (a.s.) ka thënë që të punojmë për këtë botë aq sa do të qëndrojmë këtu, kurse për botën tjetër aq sa do të qëndrojmë atje, atëherë ku po mbetët vend dhe hapësirë për zili, për grindje dhe për konflikt? Për të shpëtuar nga mëkatet të cilat na sjellin shqetësime neve dhe shoqërisë sonë, le ta dëgjojmë Pejgamberin (a.s.) i cili thotë: “Nëse dëshironi të jeni të kënaqur me këtë botë, shikoni atë që ka më pak se ju, kurse nëse e synoni botën tjetër, shikoni atë që është më i mirë në besim se ju, dhe atë i cili është bamirës më i madh.” (Transmeton Nesaiu) Zilia, urrejtja dhe armiqësia njeriun e shpijnë në Zjarr. O njeri, puno për zjarr aq sa mund ta durosh atë!

Ky hadith na mëson se kush është armiku i vetëm dhe i vërtetë i njeriut. Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Me të vërtetë, shejtani është armik për ju, andaj vështrojeni si armik…“ (Fatir, 6) Sa duhet të punojë njeriu për zjarrin? Aq sa mund ta durojë. Njeriu nuk ka forcë ta hedhë, që të ngarkohet me zili, urrejtje, keqdashje dhe të humbasë forcën e tij, që i nevojitet në luftën kundër armikut të vërtetë dhe të vetëm të njeriut, kundër shejtanit, sepse lufta me të nuk është aspak e lehtë. E nëse i rezistoni shejtanit me të gjitha forcat, do ta keni Allahun e Plotfuqishëm për ndihmës dhe mbrojtës. Sepse Ai në Kuran thotë: „Nëse ju ndihmon Allahu, s’ka kush t’ju mposhtë e, nëse ju lë pa ndihmën e Tij, kush është ai që do t’ju ndihmojë, përveç Tij…?!“ (Alu Imran, 160) Allahu i Plotfuqishëm, me siguri do t’i ndihmojë ata që e ndihmojnë veten e tyre. Kur e falni namazin e sabahut e ndihmoni vetveten, kur fitoni dituri, e ndihmoni vetveten, kur bëni një vepër të mirë, e ndihmoni vetveten, kur nuk bëni mëkat, e ndihmoni vetveten…

Ky hadith na mëson se kush është mbështetja e vërtetë dhe e vetme e njeriut në jetë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “… Kushdo që mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij….”(et-Talak, 3) Në Allahun mbështetet ai që punon për këtë botë aq sa do të qëndrojë këtu, për botën tjetër aq sa do të qëndrojë atje, dhe kjo sigurisht nënkupton se çdo ditë të kësaj bote ai përgatitet në mënyrë aktive për botën tjetër. Ai që mbështet tek Allahu, nuk punon për Zjarr, sepse zjarri nuk mund të durohet.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që të ruhemi nga Zjarri. Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)