“Xheneti nuk fitohet vetëm duke qëndruar ulur mbi sexhade“

1028

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër! Hutbeja e sotme e mban titullin: Xheneti nuk fitohet vetëm duke qëndruar ulur mbi sexhade

Këtu në Tokë ishte Ademi (a.s.). Në fakt, këtu njeriu e filloi ecjen e tij përgjatë shtegut të dynjasë. Mësimi ishte gjëja e parë që bëri njeriu kur erdhi në Tokë. Allahu i Plotfuqishëm ia mësoi emrat e gjërave dhe, natyrisht, ia tregoi rrugën e drejtë. Këtu ishte edhe Ibrahimi (a.s.). Në luginën e shkretë, ai e la Haxheren dhe Ismailin plotësisht i sigurt se ajo që po bënte sipas udhëzimit të Allahut ishte e drejtë, edhe pse mendjes së njeriut në momentin e kryerjes iu duk e paarsyeshme. Ai do të kthehet për ta ndërtuar Qaben me djalin e tij Ismailin dhe për t’i forcuar themelet e monoteizmit. Qabeja është shtëpia e parë e Allahut e ndërtuar në Tokë për të qenë simbol i monoteizmit të Allahut, për ta dëshmuar përgjithmonë monoteizmin.

Me kalimin e shekujve Qabenë e ndoten me politeizëm (shirk). Në të u sollën statuja dhe mbretëroi xhahilijeti. Injoranca u bë dominuese. Edhe pse Ademit (a.s.) iu mësuan emrat e gjërave, kurse Ibrahimit (a.s.) iu mësuan rregullat e haxhit dhe ritualet e tjera, prapseprap njeriu devijoi nga rruga e së vërtetës dhe shkoi në rrugë të gabuar. Kur njeriu filloi të adhurojë statuja, pastaj u zhyt edhe në mëkate të rënda dhe të mëdha. Ajo botë paraislame në Arabi nuk ishte analfabete, por kur bëhet fjalë për vlerat jetësore dhe respektim të rendit në Tokë, ishte në injorancë, në xhahilijet.

Një i ri i pamëkate nga fisi Kurejsh, nga familja Hashimite, el-Emin, e vëzhgoi jetën në Mekë dhe brenda vetes e kundërshtoi ashpër këtë koncept. Ai nuk mund të pranonte që njerëzit të përkuleshin para një statuje të pafuqishme dhe të prenin kurban për atë skulpturë prej guri. Ai nuk mund të pranonte që më i forti ta shtypte më të dobëtin; që luftërat midis fiseve të zhvilloheshin për dekada pa asnjë arsye të vlefshme; që gratë të mbaheshin pa asnjë të drejtë… Ai nuk mund t’i pranonte këto, andaj filloi të tërhiqej në paqen e shpellës Hira dhe të mendojë për gjithçka atje gjatë netëve. Kur shkoi atje, ai, Allahu e mëshiroftë, nuk ikte nga problemet, por pa u lodhur kërkonte zgjidhje për to.

Ishte ramazan, sipas mendimit të shumicës, ishte nata e 27 (njëzet e shtatë), kur heshtja e shpellës Hira u ndërpre nga fjala e Allahut IKRE’! Lexo, i bërtiti Xhibrili. Pa njohje nuk ka besim. Ademi (a.s), mësoi duke ecur në Tokë. Ibrahimi a.s, duke jetuar në Tokë, mësoi. Edhe ti, o Muhamed, për ta ruajtur dhe forcuar atë që ata e sollën dhe vendosën në Mekë, dhe për t’ia treguar njerëzimit rrugën e drejtë, duhet të mësosh.

“Unë nuk di të lexoj!”, reagoi i hutuar Muhamedi! Përsërite pas meje!, e urdhëroi Xhibrili. „Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit“ (el-Kadr, 1) Në atë natë më të zgjedhur të Kadrit, filloi të rrjedhë fjala e Allahut, filloi të zbresë te njeriu për ta ndryshuar, për ta udhëzuar, për ta fisnikëruar, për t’ia kthyer pastërtinë. Filloi të rrjedhë fjala e Allahut, e cila do t’u sjellë njerëzve liri dhe dinjitet. Filloi të rrjedhë fjala e Allahut, e cila do t’i rregullojë raportet e njeriut me Allahun, e cila do t’i rregullojë raportet e njeriut me njerëzit, raportet e njeriut me natyrën… Gjatë 23 (njëzet e tri) viteve të ardhshme, Muhamedi (a.s.), do t’i pranojë mbi gjashtë mijë ajete nga Zoti i botëve; do t’i pranojë 114 sure dhe gjithçka që do të pranojë gjatë viteve të shpalljes. Në vetë Shpalljen do të jetë e shkruar: “Tibjanen li kul-li shej’in”, Libër gjithëpërfshirës.

Njerëzimi tani e ka Kuranin. Ai filloi të shpallej kur fjala dhe urdhri e parë Ikre’! u tha në shpellën Hira në natën e Kadrit. Ikre’ do të thotë: lexo, kurse Kuran do të thotë: lexim.

Tani që po e presim natën e bekuar, natën më të zgjedhur, duhet t’ia kujtojmë vetes se ajo është më e vlefshme se 1000 muaj, në të cilët nuk është ajo natë. Duhet t’ia kujtojmë vetes se atë natë duhet ta kalojmë në ibadet. Le t’i kujtojmë fjalët e Pejgamberit (a.s.): “Kush e kalon natën e Kadrit në ibadet, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, Allahu do t’ia falë të gjitha mëkatet e mëparshme.” Megjithatë, nuk duhet të na ndodhë që, në natën e Kadrit, ibadeti ynë të reduktohet vetëm në disa rekate namaz nafile, në disa fjali lutjesh dhe në istigfar. Situata në të cilën ndodhemi, ne si popull dhe në të cilën ndodhet umeti ynë, na kërkon që ta pyesim veten se si të bëjmë ibadet në natën e Kadrit?!

Situata në të cilën ndodhemi kërkon që ne të mendojmë, të lexojmë dhe të veprojmë. Fjala Ikre’, të cilën Pejgamberi (a.s.) e dëgjoi shumë kohë më parë në vitin 610, në natën që po vjen sonte, e ndryshoi Mekën, e ndryshoi Arabinë dhe e ndryshoi botën. Pas atyre pesë ajeteve të para të pranuara atë natë, pasuan njëzet e tri vjet, të mbushura me shpallje e cila u mbajt në mend dhe u jetësua. Aty ku Ibrahimi (a.s.) derisa i mësonte rregullat e haxhit, thirri areftu, e njoha, aty Allahu i Lartësuar e plotësoi fenë dhe e përsosi begatinë e dhënë njerëzimit. Aty ajo që filloi me Ikre’, u bë Kuran. Aty njeriu më në fund e mori Librin, që nëse dëshiron të jetë në rrugën e drejtë dhe të jetë i fortë, duhet ta lexojë vazhdimisht dhe t’i kthehet gjithmonë. Nëse ia kthen shpinën, do të jetojë jetë të vështirë.

Në natën e Kadrit, e cila është kaq e vlefshme, e kemi për detyrë që të mendojmë për atë vlerë që kemi, që quhet Kuran, dhe të bërtasim areftu – e kuptova që Kurani është rruga. Ne kemi Librin që: “… udhëzon drejt asaj që është më e mira…“ (el-Isra’, 9); Ne kemi Librin: “… në të cilin nuk ka dyshim…“ (el-Bekare, 2); Ne kemi Librin: “… i cili është përkujtesë për ju…“ (el-Enbija’, 10);

Ne e kemi Librin i cili e ndan qartë të vërtetën nga e pavërteta; ne e kemi Librin që është dritë, udhëzim, këshillë, provë e qartë… Ne e kemi Librin, por kur e shikojmë veten, dhe kur e shikojmë umetin e Pejgamberit (a.s.), një ajet, ajeti i tridhjetë nga surja el-Furkan, na tregon raportin tonë me atë Libër: “Dhe i Dërguari do të thotë: „O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka të urryer.“ (el-Furkan, 10);

Edhe pse e dimë, e lexojmë nga Kurani, se ai na shpie në rrugën e vetme të drejtë, ne përsëri endemi në rrugë të devijuar. Uniteti është rruga e drejtë (siratul-mustekim), kurse umeti jeton thellësisht i ndarë, i copëtuar dhe në luftë. O umet, ja ku e ke Lejletul-Kadrin, “hudhil-kitabe bi kuvveh”merre Librin me forcë dhe mos bëni gara vetëm se kush do ta lexojë dhe recitoj ma bukur, por jertojeni atë. Ai ju urdhëron që të kapeni rreth një litari dhe kështu ta ktheni forcën dhe dinjitetin tuaj. Por çfarë do të ndodhë, nëse sonte të gjithë adhurojmë, duke falur namaz nafile, duke bërë lutje, kurse nesër përsëri u kthehemi të njëjtave armiqësi ndaj njëri-tjetrit?

Edhe pse e dimë, e lexojmë nga Kurani, se ai është Libri në të cilin nuk ka dyshim, ne i jetojmë dhe i ndjekim mesazhet e librave të tjerë në vend të tij. Shpëtimin, krenarinë dhe dinjitetin e kërkojmë në faqet e librave të tjerë, njerëzorë dhe të papërsosur. Njerëzit e kanë provuar edhe më parë dhe na i kanë përcjellë përvojat e tyre. “Ne ishim popull i poshtëruar, por Allahu na ngriti me Kuranin dhe Islamin dhe, sa herë që ta kërkojmë krenarinë dhe dinjitetin diku tjetër, do të poshtërohemi.” Kështu ka thënë Omeri (r.a.). Çfarë na vlen neve, nëse natën e Kadrit e kalojmë në adhurim kurse nesër i kthehemi rrugës së mëkatit? A është për ne kjo natë më e vlefshme se 1000 muaj? Nuk është me siguri. Edhe pse e dimë, në Kuran shkruan, se Kurani, në germën e tij është lavdia jonë, ne megjithatë jetojmë të poshtëruar. Ja ku e kemi Natën e Kadrit në të cilën Pejgamberi (a.s.) tha: “Unë nuk di të lexoj!“, kurse Xhibriki e urdhëroi  “Përsërite pas meje!”

Kurani është Libri që lexohet, i cili vazhdimisht përsëritet. Ne, e kemi të qartë, se pa Kuran nuk mund të shkojmë në rrugën e drejtë, në rrugën e çliruar nga dyshimi. Kjo natë që hyn sonte, do të jetë për neve më e vlefshme se 1000 muaj, nëse e marrim Librin me vendosmëri dhe nëse e kuptojmë se ka vetëm një libër në të cilin është me siguri fjala e Allahut, dhe Allahu i Plotfuqishëm na dëshiron lumturi dhe shpëtim. Kjo natë që hyn sonte, do të jetë për neve më e vlefshme se 1000 muaj, nëse e kuptojmë se leximi i këtij Libri është ibadet i barabartë me namazin që do ta falim sonte në natën e Kadrit.

O njeri! Nata e Kadrit pret prej teje që ikre’n – Fjalën e Allahut ta dëgjosh me zemër, ta lexosh, ta mendosh dhe ta veprosh dhe, të mos mendosh se Xheneti fitohet vetëm duke qëndruar ulur mbi sexhade!

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi na ndihmo! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)