“Vetëm ata që i shërbejnë Allahut janë të lirë“

1220

Izet ef. Čamdžić

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Vetëm ata që i shërbejnë Allahut janë të lirë

Në ditën e njëzetë të ramazanit, të vitit të tetë të hixhretit, që nesër është njëzetë ramazani, Pejgamberi (a.s.) dhe shokët e tij e çliruan Mekën. Bilali e thirri ezanin nga çatia e Qabesë dhe në këtë mënyrë e shënoi fundin e politeizmit në Gadishullin Arabik. Pejgamberi (a.s.) hyri në Mekë hipur mbi deve, me kokë të përkulur aq shumë sa që balli i tij e prekte shalën e devesë. Në këtë mënyrë, me përulësi, ai dëshironte ta shprehte falënderimin e tij ndaj Allahut të Plotfuqishëm për fitoren e madhe. Duke e kryer tavafin rreth Qabesë, ai i shkatërroi statujat që ishin brenda dhe rreth saj, pastaj hyri në Qabe, fali dy rekate namaz dhe pastaj iu drejtua masës së pranishme: “O Kurejshë, çfarë mendoni se do të bëj me ju?” Ata u përgjigjën: “Mirë, ti je vëlla fisnik dhe bir i një vëllai fisnik.” Atëherë Pejgamberi (a.s.) tha: “Sot do t’ua them atë që vëllai im Jusufi (a.s.) ua tha vëllezërve të tij qysh më parë. Unë as nuk do t’ju qortoj tani, Allahu do t’ju falë, Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve, shkoni, ju jeni lirë.”

Njëzet e një vjet kishin kaluar nga koha kur Pejgamberi e mori shpalljen e parë në Mekë derisa u çlirua nga xhahilijeti. Këto nuk ishin vite pritjeje, por ishin vite pune të palodhshme, vite të vetëmohimit dhe të luftës. Në ato vite kishte edhe thirrje të fshehta edhe publike për Islamin; kishte edhe tortura, persekutime, bojkote dhe kishte edhe dy hixhrete. Deri në çlirimin e Mekës, Pejgamberi (a.s.) dhe shokët e tij shijuan ëmbëlsinë e fitores në Bedër dhe hidhësinë e disfatës në Uhud. Ata e festuan triumfin në Hendek, lidhën kontrata me politeistët, që të mos hynin në Mekë për ta kryer umren. Të gjitha këto dhe shumë të tjera ata i bënë në bindje të plotë ndaj Krijuesit dhe kështu, përkundër të gjitha vështirësive, sprovave dhe sfidave, ata me sjelljen e tyre magjepsën dhe i fituan edhe të tjerët në Islam.

Ajo thirrje që filloi fshehurazi në shtëpinë e Erkamit, në ditën e njëzetë të ramazanit, në vitin e tetë të hixhretit, numëronte dhjetë mijë sahabë, të cilët hynë në qytetin e tyre si fitimtarë në krye me të dashurin e Allahut. Ezani i kënduar nga çatia e Qabesë atë ditë, bëri jehonë dhe u dëgjua aq shumë, sa që sot nuk ka asnjë vend të globit që të mos dijë për atë ezan, për atë thirrje për shpëtim. Duke kujtuar ngjarjen e madhe, fet’hin, çlirimin e Mekës, edhe ne le ta ngjallim ezanin në zemrat tona, dhe ajo thirrje, përveçse që na orienton duke na treguar se çfarë ore e ditës është, le të na drejtojë gjithmonë në rrugën që për neve është shpëtim, kurse për të tjerët është udhërrëfim.

Ezani dhe xhahilijeti nuk kanë banuar bashkë në Mekë. Pejgamberi (a.s.) nuk e pranoi ofertën e dhënë më parë nga mushrikët; që nganjëherë të gjithë së bashku të besojnë në Allahun, pastaj nganjëherë të gjithë së bashku të besojnë në Latin dhe Uzza’an!! Ai atyre iu përgjigj qartë: “Ju keni fenë tuaj, ndërsa unë kam fenë time” (el-Kafirun, 6). Të frymëzuar nga ngjarja e madhe e quajtur Fet’h, edhe ne, le të sillemi ashtu dhe, le të mos lejojmë tani kur ramazani është vendosur në shtëpitë tona, që pas ramazanit të kthehet sërish harresa apo braktisja e namazit dhe lloj-lloj mëkatesh.

Përkundër punës së madhe që kishte pas vetes, Alejhiselami, pavarësisht fitoreve brilante që i fitoi dhe kaq shumë njerëzve që e ndiqnin dhe i besonin, Pejgamberi hyri në Mekë me kokën ulur. Biografët e tij shënojnë se ai (a.s.) e dëshmon përulësinë deri në atë masë, saqë me ballë e prekte majën e samarit në devenë e tij. Me këtë dhe në këtë mënyrë, Pejgamberi shpreh mirënjohje për gjithçka që i ka dhënë Zoti i botëve. Me këtë gjest, Pejgamberi (a.s.) u dha mësimin më të mirë të gjithë personaliteteve të Umetit në të gjitha sferat e jetës, të cilët bëhen arrogantë dhe kryelartë vetëm pse janë në pozitë dhe për këtë kërkojnë status të veçantë, hyrje të veçantë, paraqitje plot lëvdata, para daljes së tyre para, siç i quajmë pa të drejtë, njerëzve të zakonshëm. Ata për të cilët kotësia e tyre është më e rëndësishme se ajo për të cilën janë përgjegjës nuk do të festojnë kurrë ndonjë fitore, sepse ata kurrë nuk i kanë rrënuar brenda vetes idhujt që i adhurojnë. Idhujt e tyre janë arroganca dhe përkushtimi i plotë ndaj kësaj bote, kurse dita e nesërme e Fet’hit, na kujton se vetëm me shërbim të sinqertë dhe të përkushtuar ndaj Allahut, duke i jetuar parimet universale, mund të ecim drejt fitores.

Agjërimi i ramazanit, ndër të tjera, ka për detyrë t’i tregojë njeriut atë që është e rëndësishme, t’i tregojë atij se çfarë është vlera e vërtetë. Gëzimi i iftarit na tregon se sa i lumtur do të ishte dikush pranë nesh që është në nevojë, nëse do ta ndihmonim. Prandaj, vëllezër dhe motrat tona, ju që ecni në tokë me mendjemadhësi vetëm për shkak të pozitës në të cilën jeni, kthejuni përulësisë! Nuk mund t’i arrini qiejt, as Tokën nuk mund ta ndani! Ne nuk do të ndihemi të sigurt, nuk do të jetojmë të sigurt në këtë vendin tonë – kurse Pejgamberi dhe sahabët Mekës i sollën siguri – përderisa ju të ecni me kryelartësi në rrugët tona në makinat zyrtare duke mos i vërejtur fshatrat e braktisura, shtëpitë dhe banesat e boshatisura, sepse askush nuk ka ikur nga të mirat, askush nuk e ka lënë atdheun nga mirëqenia, por po duket se ata kanë ikur nga njerëzit arrogantë dhe të papërshtatshëm si ju.

Për njëzet e një vjet, Pejgamberi (a.s.) mblodhi forcë për t’i rrënuar statujat brenda dhe përreth Qabesë. Kur u bë aq i fortë, sa mund ta pastronte jo vetëm Qaben nga statujat dhe Mekën nga mosbesimi, por ishte në gjendje edhe të hakmerrej ndaj çdokujt që e torturoi atë dhe shokët e tij, ai veproi duke e ndjekur shembullin e Jusufit (a.s.). U tha: Unë, sot as nuk do t’ju qortoj, do t’ju fal, shkoni jeni të lirë. Ndjekësit e tillë, të lirë, me veprimin e tillë të Pejgamberit (a.s.) u bënë entuziastë dhe zëri i thirrjes së Bilalit arriti në zemrat e tyre të devijuara dhe ata iu përgjigjën thirrjes për shpëtim.

Allahu është më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve. Le t’i mbyllim rrugët për tek veshët dhe zemrat tona ndaj atyre thirrjeve që na thërrasin për mëkat dhe mosbindje, dhe t’i rrënojmë idhujt brenda nesh dhe përreth nesh, të cilët na thërrasin në përtaci, lakmi, zili dhe tipare të këqija dhe mëkate të tjera.

Pejgamberi (a.s.) përmes ngjarjes së Fet’hit, na ka mësuar se në përulësi ka forcë dhe madhështi dhe se askush nuk mund të jetë i lirë derisa është rob i idhujve dhe jeton në rrjetin e veseve dhe mëkateve. I lirë është vetëm ai që e çliron veten nga robërimi ndaj çdo gjëje tjetër përveç Krijuesit të botëve. Meka u bë e lirë, ditën kur në të u shkatërruan idhujt.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo që jeta e Pejgamberit (a.s.) dhe rruga e tij të jetë rruga që do ta ndjekim ne, dhe kështu ta meritojmë shoqërinë e tij në botën tjetër! Amin!

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)