Le ta duam dhe ta përkrahim edhe gabimtarin

1797

Hfz. Mehas Alija

Shpesh herë njeriu, duke e urryer mëkatin, e urren edhe mëkatarin. Jo, mëkatin apo gabimin urreje, por jo edhe gabimtarin. Sikur që nuk duhet ta urresh diturinë, sepse e urren mësuesin apo ta urresh ushqimin, sepse e urren kuzhinierin. Allahu xh.sh. na thërret që të jemi tolerantë, mëshirues dhe falës të njëri-tjetrit. Gabimtarit duhet që t’i shtrihet dora, t’i jepen shanse për përmirësim dhe pendim, e jo vetëm të kritikohet dhe t’i kthehet shpina. Edhe ata që gabojnë janë njerëz si ne, e ne të gjithë gabojmë.

Mendojeni Pejgamberin a.s., i cili, gjithmonë, ishte i gatshëm ta shtrijë dorën e pajtimit dhe të faljes, pavarësisht gabimtarit dhe mëkatarit.

Ju me siguri e keni lexuar apo dëgjuar ngjarjen që kishte ndodhur midis Muhammedit a.s., dhe njërit prej shokëve të tij, Hatib ibn Belt’a r.a. Historia tregon se ky sahabi kishte shkruar një letër dhe fshehurazi ua kishte nisur mushrikëve të Mekes, me qëllim që t’i informojë për përgatitjet e muslimanëve për ta çliruar Mekken. Ky gjest duket se është një tradhëti dhe zbulim i planit sekret të shtetit. Mirëpo, Muhammedi a.s. arrin që ta zbulojë këtë plan dhe e merr në pyetje Hatibin për gjestin e vepruar. Pas sqarimit të këtij të fundit, hz. Omeri i mllefosur kërkoi nga Muhammedi a.s., që ta dënojnë më prerje të kokës, pasi që, sipas tij, ishte bërë munafik.

Edhe sot ka njerëz të tillë që reagojnë në këtë mënyrë, dhunojnë, vjedhin, vrasin apo nënçmojnë kundërshtarët e tyre, duke mos menduar shumë se sa problem mund të bëjnë me gabimin e tyre. Pejgamberi a.s. ishte largpamës dhe normalisht që nuk u pajtua me propozimin e hz. Omerit, e i tha: “Jo, Omer, ai ka marr pjesë në luftën e Bedrit, e ç’din ti, ndoshta All-llahu xh.sh. e ka falë atë.” Fjalët e buta të Muhammedit a.s., e bënë që Omeri të pendohet dhe të qajë.

Tani, le të shikojmë se çfarë bëri Hatibi më vonë dhe se çfarë vepre të madhe kishte bërë ai. Në fakt, pas një kohë, ky njeri, ky gabimtar, do të bëhet një i dërguar special i Muhammedit a.s., të cilin e pati dërguar në Egjipt te mbreti kopt Mukaukis. Pas dëgjimit dhe pritjes që mbreti i kishte bërë, në kthim e sipër, pas tij, i dërgoi Muhammedit a.s. një robëreshë me emrin Marija. Gjatë rrugës, Hatibi i folte asaj në lidhje me Islamin dhe i tregonte për vlerat e Muhammedit a.s., ku ajo edhe me gjithë zemër e pranon fenë Islame. Ja kështu, pra, me sebep të tij, ajo u bë një muslimane e devotshme dhe, pas saj, në islam kaloi edhe e motra, Sirina r.anha.

A e shikojmë se si Muhammedi a.s. e kishte shpërblyer njeriun, i cili, po, kishte bërë një gabim shumë të madh, sa që, për pak sa nuk e kishte prishur planin musliman strategjik të çlirmit të Mekkes, mirëpo edhe përskaj kësaj, më vonë, ai ishte ngarkuar me një dytyrë me përgjegjësi të madhe dhe se ishte bërë sebep që, përmes tij, dikush të udhëzohet në Islam.

Imam Shafiu, pas një debati me nxënësin e vet, iu drejtua me këto fjalë: ”O Junus, ne na bashkojnë me mijëra çështje, a dëshiron të ndahesh për shkak të një mospajtimi? Mos tento që në çdo mospajtim të dalësh fitimtar, sepse shpeshherë më e rëndësishme është të fitosh zemrat dhe jo debatet. Mos i shemb urat që ndërtove dhe nëpër to kalove, sepse mund të të duhet që të rikthehesh përsëri përmes tyre. Çdo herë urreje gabimin, por asnjeherë mos e urre gabimtarin, urreje me qenien tënde mëkatin, por fale dhe mëshiroje mëkatarin. Kundërshtoje fjalën, por respektoje thënësin. Qëllimi ynë është që të shërojmë sëmundje dhe jo të vrasim të sëmurë.”

Vëllezër e motra, dua ta përfundoj këtë hutbe me një thënë të rahmetli Alija Izetbegoviçit, i cili thotë: “Nuk është hyjnore që njeriu të mos gabojë, por hyjnore është që kur njeriu të gabojë, ai të kërkojë falje dhe të pendohet.”

(Hutbe e mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, 11.10.2019)

(Islampress.ch)