Si të jemi mirënjohës me atë që kemi?

1085

Çdo ditë, paraja dhe shoqëria na tërheqin që vazhdimisht të blejmë dhe kërkojmë më shumë, shumë më tepër sesa që kemi nevojë. Nuk dua të flas për pasojat, por për ilaçin e kësaj sëmundjeje të njeriut modern.

Dhe ilaçi është i thjeshtë. Quhet falënderim:

1. Unë jam falënderues për atë që tani kam, për jetën që tash po e jetoj, andaj nuk më nevojitet më shumë. Unë thjesht, do të kursej shumë më tepër kur nuk blej asgjë nga ato që në të vërtetë nuk kam nevojë, por përkundrazi, do të gjej gëzim dhe kënaqësi në atë që tash kam.

2. Ne mund ta tregojmë dashurinë tonë për njerëzit, jo vetëm duke ju blerë dhurata, por duke treguar vlerësimin tonë ndaj tyre, për shkak se janë pjesë e jetës sonë, dhe këtë do ta shprehim më së miri, nëse ju gjendemi atyre pranë në momentet e vështira.

Kohë pas kohe, ne do të vijmë në sprovë për të blerë gjithnjë e më shumë, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i ndjekim ato instinkte. Ne mund t’i ndjejmë rrahjet më të shpejta të zemrave tona kur i mendojmë blerjet, por ajo është për shkak të emocionit që vjen, nga imagjinimi i së ardhmes për këtë mall të blerë, dhe atë që do ta ndryshojë ai në jetën tonë. Thjeshtë, imagjinata e lumturisë në të ardhmen na emocionon.

Në vend të kësaj, ne mund t’i qetësojmë zemrat tona dhe ta orientojmë vëmendjen tek e tashmja.

Le të fokusohemi në ato që kemi para nesh, tash, dhe le të kuptojmë sa e mahnitshme është e gjithë ajo që kemi në jetën tonë.

Le të fokusohemi tek njerëzit në jetën tonë dhe të gjejmë mirënjohje në zemrën tonë për praninë e tyre.

Le ta shikojmë gjithë atë lumturi që kemi, si materiale, ashtu edhe monetare dhe shpirtërore, dhe le të jemi mirënjohës që i kemi.

Le të jemi mirënjohës për mundësinë për të jetuar, për gëzimin që mund ta gjejmë në çdo moment, për lumturinë të cilën e kemi edhe tani.

Kjo është ajo që mund të na sjellë gëzim, dhe jo ​​blerja jonë e radhës.

Ky moment është gjithçka që na nevojitet.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)