Erdoğan thirrje popullit: Mos blini asnjëherë mallra franceze

561

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje popullit turk që të mos blejë mallra franceze.

Erdoğan foli gjatë hapjes së programit të Javës së Mevludit (lindjes së profetit Muhamed) në Qendrën Kombëtare Kulturore dhe të Kongreseve Beştepe në Ankara.

Duke folur në lidhje me deklaratat kundër Islamit dhe ribotimit të karikaturave që fyejnë profetin Muhamed, presidenti Erdoğan tha: “Prej këtu, i bëj thirrje popullit tim, mos blini asnjëherë mallra franceze”.

Në muret e ndërtesave zyrtare në qytetet Montpellier dhe Toulouse u shfaqën karikaturat e revistës franceze satirike Charlie Hebdo me përmbajtje ofenduese kundër profetit Muhammed, për të “përkujtuar” mësuesin që u vra më herët në rajonin Conflans-Sainte-Honorine në afërsi të Parisit.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se nuk do të heqin dorë nga publikimi i karikaturave kundër profetit Muhamed.

“Këto sulme filluan me inkurajimin e udhëheqësit të Francës, i cili ka nevojë për kontroll në aspektin mendor”, u shpreh presidenti turk, duke folur për sulmet ndaj muslimanëve.

Ai gjithashtu foli në lidhje me bastisjen e kryer në mënyrë të parespektueshme nga qindra policë në një xhami në Gjermani. “I bëj thirrje kancelares Merkel: vallë nuk kishte liri të fesë tek ju, shteti juaj a nuk kishte garanci ndaj fesë dhe atyre që e praktikojnë fenë?”, tha Erdoğan.

“Si mundet një ditë në namazin e sabahut mbi 100 policë sulmojnë xhaminë? A e keni dëgjuar të kundërtën deri më tani në Turqi? Jo. Pse? Sepse tek ne ka liri të vërtetë të fesë”, shtoi ai.

Policia gjermane të mërkurën e kaluar bastisi Xhaminë Mevlana në Berlin për shkak të një hetimi financiar, përderisa besimtarët ishin mbledhur për faljen e namazit të sabahut.

“Islamofobia dhe armiqësia ndaj muslimanëve, në disa vende të Evropës, është shndërruar në politikë të mbështetur në nivel presidencial”, theksoi Erdoğan.

(AA)