Feja duhet të na bëjë njerëz më të mirë

1251

Hfz. Mehas Alija

“O ju që besuat, përqafojeni të vërtetën (islamin) në tërësi, e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët.” (Bekare, 208).

Sahabiu i nderuar, Ebu Hurejra r.a., tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Do të shihni se njerëzit janë si mineralet (të ndryshëm). Ata që kanë qenë më të mirët në kohën e xhahilijetit (para islamit), janë më të mirët edhe në Islam, në qoftë se e kuptojnë fenë.” (Imam Buhariu).

Ky hadith sikur na bënë të kuptojmë se për një njeri që ka kualitet dhe potencial në veten e tij, feja për të është një vlerë shtesë dhe pasurues i qenies dhe personalitetit të tij. Nga ana tjetër, te dikush që ka deficit në potenciale, është i dobët në karakter dhe ka mungesë vlerash njerëzore, fetarësia e tij do të jetë e tillë sikur edhe vetë personaliteti i tij.

Prandaj dhe sot shohim njerëz që të kënaqin me fetarësinë e tyre, sikur që shohim edhe të tilla veprime të shëmtuara nga shumë praktikues të fesë. Bukuria dhe shëmtia nuk vjen nga feja, por nga potencialet dhe kualitet që i kemi si njerëz. Nëse jemi të mirë dhe e kuptojmë fenë, jemi më të mirët, në çdo situatë dhe periudhë.

Feja është sikur uji. Ai është i pastër, por nëse e derdhim në një kovë të ndyrë dhe të braktisur, sigurisht që do ta marr një tjetër trajtë substanciale.

Një beduin i quajtur Amër ibn ‘Abse i kishte shkuar Pejgamberit a.s. dhe e kishte pyetur: “Kush je ti?” Muhammedi a.s. i kishte thënë: “Unë jam i dërguari i All-llahut”. Beduini e kishte pyetur: “Të ka dërguar ty All-llahu?” Me ç’rast Muhammedi a.s. kishte pohuar që po. Beduini kishte pyetur sërish: “Me çfarë të ka dërguar ty Zoti?” Atëherë Pejgamberi a.s. i thotë “Jam dërguar me mesazhin që të ruhen lidhjet farefisnore, të mos derdhet gjaku i pafajshëm, të ketë siguri në rrugë, të zhvlerësohet besimi në idhuj dhe të adhurohet All-llahu, si një Zot i vetëm.” (Imam Ahmedi).

Vetëm shikoni se si Muhammedi a.s. ia prezantoi Islamin njeriut të painformuar paraprakisht. Së pari ia përmendi disa vlera thelbësore njerëzore, siç është familja dhe respektimi i jetës njerëzore, e më pas anën fetare, dy çështjet e besimit, largimin nga idhujtaria (shirkun) dhe besimin e pastër (teuhidin).

Kur njeriu posedon si kualitet karakterin njerëzor, ai shkëlqen. Kur kësaj i bashkohet edhe feja, gjegjësisht religjioziteti, atëherë jo vetëm që përdritërohet, por bëhet një model që shkëlqen si udhëzim për të tjerët.

Feja është një vlerë e çmuar e pakrahasueshme, por shndërrohet në rreze drite udhëzimi kur ajo takon njeriun me sjellje dhe karakter të bukur.

(Hutbeja e xhumasë në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen të Zvicrës, 06.11.2020)

(Islampress)