Muhamedi (savs) është kurora e qiellit

1013

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Rastësisht apo jo, pikërisht në muajin rebiu-l-evvel, karikaturistët arrogantë përsëri filluan të tallen me Pejgamberin tonë të dashur (savs), përkatësisht, t’i provokojnë muslimanët. Natyrisht, reagimi i botës islamike nuk mungoi. Nga të gjitha anët i kemi parë muslimanët duke protestuar, duke kënduar salavate, duke vendosin mbishkrime në profilet e tyre: ‘Unë e dua Muhamedin (a.s.)’, duke shkelur imazhe të njerëzve të padëshiruar, duke djegur flamuj të shteteve të padëshiruara dhe duke kërcënuar me bojkotim të produkteve të tyre.

Nga njëra anë, mund të themi se reagimi është i arsyeshëm. Muslimanët e duan Pejgamberin e tyre (a.s.), dhe për këtë arsye çdo përpjekje për ta poshtëruar atë e perceptojnë si sulm ndaj qenies së tyre. Disa këtë mund ta tolerojnë me durim, por disa nuk munden. Disa ndoshta edhe munden, por nuk duan. Ata duan ta tregojnë krenarinë dhe zemërimin e tyre. Kjo edhe mund të jetë e mirë, sepse më në fund mund t’i zgjojë dhe t’i trondisë muslimanët. Por mund të jetë edhe keq, nëse i gjithë ky konfuzion është vetëm një provë e gjendjes dhe gatishmërisë së muslimanëve për disa ngjarje ose konflikte të mundshme në të ardhmen e afërt.

Nga ana tjetër, mund të themi se ky reagim ndoshta edhe mund të jetë i panevojshëm. Pse?

Së pari: “Allahu është Ai, që ka dërguar të Dërguarin e Vet me udhëzim për rrugën e drejtë dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur më lartë se të gjitha fetë, edhe nëse e urrejnë idhujtarët.” (Es-Saff, 9) Pra, fenë e Allahut Islamin askush nuk mund ta poshtërojë ose mposhtë.

Dhe së dyti: „Dhe Ne e kemi ngritur lart emrin (kujtimin) tënd!“ (el-Inshirah, 4) Allahu i Lartësuar e ka ngritur kujtimin e Pejgamberit, kështu që në shehadet menjëherë pas emrit të Allahut përmendet emri Muhamed (a.s.). Madje edhe gjatë ezanit, emri i Pejgamberit tonë të dashur përhapet nga minaret e larta dhe dëgjohet shumë larg.

Atë që e lartëson Allahu, askush nuk mundet ta poshtërojë. Prandaj edhe kjo përpjekje për të poshtëruar Pejgamberin (savs), në fakt, është vetëm shenjë e dobësisë së disa jomuslimanëve, të cilët kanë pranuar për para të vogla t’ia shesin shpirtin shejtanit të mallkuar. Fatkeqësisht, ata nuk e dinë se mund ta humbin bukuritë e përjetshme të xhenetit për për një fitim shumë të vogël. Fatkeqësisht, ata nuk janë të vetëdijshëm se për shkak të pamaturisë së tyre ata mund të përfundojnë në mbeturinat e historisë, siç kanë përfunduar shumë para tyre, për të cilët Zoti ynë thotë: „Me të vërtetë, ai që të urren ty, ai do të mbetët pa përmendur.“ (el-Kethser, 3)

Prandaj, në frymën e zgjimit të përgjithshëm musliman, ne sot duhet t’i bëjmë vetvetes një pyetje shumë të rëndësishme:

– Pse ne muslimanët e fyejmë Pejgamberin tonë (a.s.)?

Dëgjoni, ne po e fyejmë?! Si ashtu?

Ne themi se e duam atë, se e ndjekim atë, se shpresojmë në shefatin e tij, etj. Po a është pikërisht kështu në praktikën tonë?

Sa i lexojmë ne hadithet e Pejgamberit tonë (a.s.)?

Sa e lexojmë Kuranin, kur e dimë që Muhamedi (a.s.), ishte Kurani që ecte?

Sa i vëmë në praktikë ato që i kemi mësuar?

Pra, ne biem nga provimi në gjërat themelore, për të cilat, para së gjithash, do të duhej të pyesim se a jemi ne fare muslimanë!

Vëllezër të dashur!

– Çka të themi për hadithin, në të cilin Pejgamberi ynë i dashur thotë: “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit, janë të qetë muslimanët e tjerë.” (Buhariu)

– Çka të themi për hadithin: “Ruajuni nga paragjykimi, sepse paragjykimi është rrena më e madhe, mos e spiunoni njëri-tjetrin, mos i hulumtoni të metat e njëri-tjetrit, mos e keni zili njëri-tjetrin, mos e mashtroni njëri-tjetrin në tregti, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri –tjetrit, mos i ndërhyni njëri-tjetrit në shitblerje, por, bëhuni robër të Allahut dhe vëllezër në mes vete ashtu siç ju ka obliguar Zoti i juaj. Muslimani është vëlla i muslimanit, ai nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen, nuk e ofendon. Devotshmëria është këtu (bën me shnjë në gjoksin e tij) dhe mjafton e keqja ta nënçmosh vëllain tënd musliman. Çdo musliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit tjetër.” (Buhariu: 4064, 6065 dhe Muslimi: 2563, 2564)

Dhe çka të themi për hadithin: “Kush e ndihmon vëllain e tij kur ai ka nevojë, Allahu atë do ta ndihmojë kur të ketë nevojë; kush ia heq një brengë vëllait të tij, Allahu atij do t’ia heq një prej brengave në Ditën e Gjykimit; kush ia mbulon një të metë një muslimani, Allahu atij do t’ia mbulojë të metat në Ditën e Gjykimit.” (Muttefekun alejhi)

Në fund, unë e lus Allahun e dashur që të na bëjë muslimanë të sinqertë, të cilët në këtë botë (dynja) do ta mbajnë pishtarin e Islamit, kurse në botën tjetër (ahiret), flamurin e Muhamedit (savs). (…)

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)