Mufti Muhammed Teki Usmani
Namazi i femrave
Mënyra e faljes së namazit për gra dallon nga ajo e burrave në aspektet e poshtëshënuara. Gratë duhet që të jenë të kujdesshme ndaj atyre gjërave, të cilat kërkohen nga to:
1. Përpara se ta fillojnë namazin, gratë duhet të sigurohen që i tërë trupi i tyre të jetë i mbuluar me rrobe, përveç fytyrës, duarve dhe shputave.
Disa gra falen duke i pasur flokët e zbuluara, pra pa mbulesë. Disa të tjera me kyçe të duarve të zbuluara. E disa të tjera përdorin shalle e shami aq të holla ose të vogla, saqë iu duken gërshetat e flokëve nën to. Nëse gjatë namazit ndonjë pjesë e trupit, madje edhe nëse është sa 1/4 (një e katërta), mbetet e zbuluar për një kohë, gjatë të cilës mund të thuhet سُبْحَانَ رَبِّىَ الْعَظِيمِ – Subhane rabbijel-adhim (I Lartë qoftë Zoti im i Madhërishëm) tre herë, vetë namazi do të jetë i prishur. Megjithatë, nëse pjesa e zbuluar mbetet për më pak kohë se kaq, atëherë namazi nuk prishet, d.m.th., obligimi kryhet, mirëpo mëkati do të mbetet.
2. Për gratë është më mirë të falen në dhomë sesa në verandë, si dhe të falen në verandë është më mirë sesa të falen në oborr.
3. Kur ta fillojnë namazin, gratë nuk duhet që t’i ngrenë duart gjer tek veshët, por duhet që t’i ngrenë gjer tek shpatullat, edhe atë nën shallin ose shaminë, e cila përdoret për mbulesë. Pra, duart nuk duhet të nxirren nga ajo mbulesë. (Bahishti Zevar)
4. Kur gratë t’i lidhin duart, duhet që t’i lidhin në gjoks dhe jo si burrat nën kërthizë, si dhe duhet që shuplakën e dorës së djathtë thjesht ta vendosin në shpinën e dorës së majtë, po ashtu nën mbulesë.
5. Në ruku’ gratë nuk duhet që ta drejtojnë dhe rrafshojnë shpinën plotësisht sikurse burrat. Pra, duhet që të përkulen më pak në krahasim me ta. (Et-Tahtavi ale’l–Meraki, f. 141)
6. Gjatë rukusë burrat duhet që t’i hapin paksa gishtërinjtë ndërkohë që i vendosin duart mbi gjunjë, kurse gratë duhet që t’i vendosin duart mbi gjunjë me gishtërinj të mbyllur, pra të mos ketë hapësirë mes tyre. (Ed-Durr’ul-Muhtar)
7. Gratë nuk duhet që të rrinë në ruku’ me këmbët plotësisht të drejtuara, por duhet që gjunjët t’i qesin paksa jashtë. (Ed-Durr’ul–Muhtar)
8. Gjatë rukusë burrat duhet që t’i mbajnë krahët e shtrirë, larg ijëve, ndërsa gratë duhet të qëndrojnë në ruku’ me krahët afër ijëve. (Ed-Durr’ul-Muhtar)
9. Gratë duhet që të bëjnë rukunë me këmbët afër njëra-tjetrës. Veçanërisht zogjtë e këmbëve duhet pothuajse të jenë të bashkuar. Le të mos ketë hapësirë në mes këmbëve. (Bahishti Zevar)
10. Gjatë shkuarjes për në sexhde, burrat nuk duhet që ta ulin gjoksin derisa gjunjët t’iu prekin në tokë. Mirëpo kjo nuk vlen për gratë. Ato munden, që nga fillimi, të ulin gjoksin e tyre dhe të shkojnë për në sexhde.
11. Gratë duhet ta bëjnë sexhden në atë mënyrë që stomaku të mbështetet për kofsha dhe krahët të jenë afër ijëve. Përveç kësaj, gratë nuk duhet që t’i mbajnë shputat e këmbëve drejt, pra vertikalisht, por duhet që t’i shtrijnë mbi dysheme duke i kthyer nga ana e djathtë.
12. Burrat e kanë të ndaluar që t’i vendosin bërrylat mbi dysheme ndërkohë që kryejnë sexhden, kurse gratë duhet që ta vendosin të tërë krahun mbi dysheme, përfshirë edhe bërrylat. (Ed-Durr’ul-Muhtar)
13. Gjatë uljes në mes dy sexhdeve dhe kur të lexohet – أَلتَّحِيَّاتُ (Et-Tehijjat-i), gratë duhet të ulen në ijën e majtë, duke i kthyer të dyja shputat nga ana e djathtë dhe duke e vendosur shputën e majtë në pulpën e këmbës së djathtë. (Et-Tahtavi)
14. Burrat duhet të kenë kujdes që t’i mbajnë gishtat e duarve të hapur kur bëjnë rukunë dhe t’i mbajnë mbyllur kur bëjnë sexhden, e pastaj t’i lënë në mënyrë normale gjatë pjesëve të tjera të namazit, duke mos u shqetësuar për t’i mbyllur apo hapur ata. Mirëpo, gratë duhet që gjatë gjithë kohës t’i mbajnë gishtat e mbyllur, duke mos lënë hapësirë në mes tyre. Kjo gjë kërkohet gjatë rukusë, në sexhde, në mes dy sexhdeve dhe gjatë uljes së parë dhe të dytë.
15. Është mekruh (e urryer) që gratë të formojnë xhemat (kongregacion)[1].
Për to është më mirë ta falin namazin vetëm. Megjithatë, nëse personat e
familjes që janë mahrem[2]
për to e falin namazin me xhemat në shtëpi, nuk ka ndonjë gjë të keqe
nëse ato iu bashkohen atyre dhe e falin namazin me xhemat. Por, në një
situatë të tillë, është e domosdoshme që ato të rrinë prapa. Ato asnjëherë nuk
duhet që të rrinë në të njëjtin rresht me ta.
[1] Këtu është fjala për formim xhemati nga ana e grave dhe dalja e ndonjërës nga to imam gjatë ndonjë tubimi të tyre, në xhami ose në familje. Pra, është mekruh që gratë të formojnë vetë xhemat dhe t’iu prijë ndonjë grua si imam. – shën i përkth.
[2] Ata me të cilët iu ndalohet martesa. – shën. i përkth.
Përktheu nga gjuha angleze:
Daim Abazi