Çfarë është grupi G7 dhe cili është roli i tij

977

Grupi i shteteve anëtare të G7-ës do të takohet në Biarritz të Francës në samitin e tij të 45-të. Por çfarë është grupi G7, cilat shtete janë anëtare të tij dhe çfarë roli ka ai?

Grupi G7 është organizatë që përbëhet nga shtatë shtete me ekonomi të avancuar. Këto shtete janë: Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Grupi e quan veten komunitet i vlerave. Parimet e tij themelore janë liria dhe të drejtat e njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit, mirëqenia dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Në këtë organizatë fillimisht bënin pjesë gjashtë shtete në vitin 1975. Ato ishin bërë bashkë për të shkëmbyer ide për zgjidhje të mundshme ndaj krizës ekonomike botërore të asaj kohe. Kanadaja ishte bërë anëtare e grupit një vit më vonë.

Ministrat dhe zyrtarë të tjerë të shteteve anëtare takohen disa herë gjatë një viti për të diskutuar lidhur me çështje të interesit të përbashkët.

Secili shtet anëtar e drejton presidencën e grupit për një vit dhe organizon samit vjetor.

Politikat energjetike, ndryshimet klimatike, virusi HIV/Aids dhe siguria botërore janë disa nga temat e diskutuara në takimet e kaluara.

Në fund të secilit samit, shtetet e lëshojnë një komunikatë të përbashkët, me të cilën tregojnë për rezultatin e bisedimeve dhe marrëveshjet e mundshme.

Tema kryesore e samitit të sivjetmë të grupit G7 do të jetë lufta kundër pabarazisë, shkruan “BBC”.