– Zemra më së miri pastrohet me Fjalën e Allahut. Prandaj, leximi i Kuranit me meditim është mënyra kryesore për pastrimin dhe rregullimin e gjendjes së zemrës. Kurani na jep vlera jetësore, pa të cilat e gjithë jeta bëhet e pavlefshme, sepse jeta në këtë botë është provim dhe test për jetën e përjetshme në ahiret. Andaj, nëse nuk e kuptoni dhe nuk e pranoni dynjanë si rrugën që ju çon në xhenet, ju do ta shkatërroni plotësisht vlerën e saj, dhe atëherë dynjaja nuk do t’ju ofrojë asgjë tjetër përveç vuajtjeve në Ahiret.
– Kur ta shihni një njeri të varfër në një vend musliman, dijeni se ka një njeri i pasur që i ka vjedhur paratë e tij.
– Ai që dëshiron të jetë afër Allahut, duhet të ketë pjesë në ibadetin dhe bindjen e sinqertë.
– Bëhuni të durueshëm në goditjet e fatit dhe bëhuni të kënaqur me atë që Allahu ju ka caktuar, sepse zgjedhja e Allahut është më e mirë për ju sesa zgjedhja juaj.
– Kur njeriu e kujton gjendjen e njerëzve në xhenet dhe kënaqësitë e xhenetit, dhe kur e kujton gjendjen e njerëzve në xhehenem dhe ndëshkimet dhe vuajtjet e xhehenemit, kjo i bëhet thirrje dhe inkurajim për ta rritur dhe forcuar besimin në zemrën e tij dhe për të nxituar për të bërë vepra të mira.
– Përveç urdhrit, që Allahu t’ia shtojë besimin dhe veprat e mira, Allahu nuk e urdhëroi Pejgamberin (savs), të kërkonte aq shumë shtimin dhe zgjerimin e diçkaje tjetër, përveç diturisë, sepse dituria është rruga që çon në mëshirën e Allahut. Prandaj, në Kuran vjen urdhri:“Dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë mua!”(Ta-ha, 114)
– Njeriu duhet ta di se thesaret e Allahut janë të pashtershme dhe se mirësia e Tij nuk ka kufij. Prandaj, le të ketë frikë vetëm nga Allahu, le ta tregojë përulësinë e tij para Allahut të Lartësuar,dhe nevojat e tij le t’i paraqesë vetëm tek Ai, Ai sigurisht nuk do ta zhgënjejë.
– Një nga mënyrat më të rrezikshme të joshjes që shejtani u bën njerëzve, është lakuriqësia dhe ekspozimi i vendeve të tyre të turpshme, siç thuhet në Kuran: “O bijtë e Ademit, le të mos u mashtrojë kurrsesi shejtani, ashtu siç i nxori prindërit tuaj nga xheneti, duke u zhveshur rrobat (e tyre) për t’ju dukur vendet e turpshme të tyre.” (el-A’raf, 27)
Kjo është metoda që sot përdoret më së shumti nga shejtanët në formë njerëzore, përmes rrjeteve sociale, kanaleve, faqeve dhe revistave me përmbajtje imorale. Sepse, kur anëtarët e një familjeje mësohen dhe vazhdojnë të shikojnë dhe ndjekin përmbajtje të tilla, tek ata morali zhduket, dhe kur të zhduket morali, atëherë zhduket edhe besimi.
– Hipokritët (munafikët) nuk u kushtojnë vëmendje vlerave reale në jetë, por vetëm e shikojnë shfaqjen dhe pamjen e jashtme, duke dashur të arrijnë përfitim të shpejtë dhe afatshkurtër. Errësira në zemrat e tyre nuk i lejon ata që ta shohin dritën e besimit. Ata, si rrufeja, i verbon shkëlqimi i dynjasë, edhe pse ai është jetëshkurtër dhe kalimtar.
Allahu i Lartësuar, ka shpallur:“E kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, për të arritur shpëtimin.” (el-Xhuma, 10.) Do të thotë, sikur keni shkuar në xhami për të marrë ushqim të besimit, i cili do t’ju ndihmojë juve dhe do t’i kontrollojë të gjitha shqisat tuaja dhe aktivitetet tuaja në tregti, prodhim, konsum, dhe në gjithçka që përfiton dhe përmirëson jetën tuaj. Dhe kur Zoti ju urdhëron që disa momente të caktuara të kohës suaj t’ia kushtoni lutjes dhe ibadetit, Ai nuk dëshiron që përkushtimi juaj ndaj ibadetit t’i pengojë aktivitetet tuaja të jetës, por kështu ju furnizon me‘karburante’,të cilat do t’ju ndihmojnë,që jeta juaj të jetë në përputhje me atë që dëshiron Allahu dhe me të cilën Ai është i kënaqur.
Abdusamed Nasuf Bušatlić;
Përkthim: Miftar Ajdini