Ka ikur nga pushteti, nga frika e përgjegjësisë në Ditën e Gjykimit

1118

/Tregim nga Pejgamberi savs/

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar! Hutbeja e sotme titullohet:“Ka ikur nga pushteti, nga frika e përgjegjësisë në Ditën e gjykimit

Pasi e falen namazin e sabahut, një student kurioz po e pyet profesorin e tij:

“Pse shpesh popujt ngrihen dhe luftojnë kundër sundimtarëve të tyre?”

Profesori u përgjigj: “Sepse shumë sundimtarë bëjnë dhunë dhe shtypje ndaj shtetasve të tyre, dhe,sepse i ngarkojnë ata përtej mundësive të tyre, dhe, sepse ata nuk i përmbushin ato që kanë premtuar kur e kanë marrë pushtetin.”

Pastaj studenti vërejti: “Pora nuk janë njerëzit ata që i zgjedhin sundimtarët?!”

Po”, u përgjigj profesori, “mirëpo, problemi është që njerëzit shpesh e bëjnë zgjedhjen e gabuar, dhe e zgjedhin dikë që nuk është i denjë për pushtet dhe i cili ju bën padrejtësi.”

Pas kësaj, studenti pyeti: “A dini ndonjë shembull të sundimtarëve në historinë njerëzore që janë zgjedhur në pushtet nga populli, pastaj kur e kanë kuptuar se nuk janë të aftë për atë detyrë, kanë hequr dorë nga ajo barrë e rëndë, nga frika e përgjegjësisë dhe ndëshkimit në Ditën e Gjykimit?”

Profesori tha: “Sigurisht, ka pasur shembuj të tillë, por shumë pak. Me siguri ke dëgjuar për Halid ibn Jezid ibn Muaviun,  i cili nuk pranoi ta merrte detyrën e halifit dhe pushtetin ua la të tjerëve. Pastaj, Ibrahim ibn Ed’hemi, i cili hoqi dorë nga pushteti, dhe pastaj tërë jetën ia kushtoi ibadetit të Allahut! Dhe ky nuk është rasti vetëm me sunduesit e umetit tonë. Shembuj të tillë ka pasur edhe te popujt e mëparshëm, dhe kjo konfirmohet nga tregimi vijues të cilin e ka treguar Pejgamberi (savs), të cilit do t’ia n

Në fakt, Abdullah ibn Mesudi transmeton se e ka dëgjuar nga Muhamedi (savs), këtë tregim:

‘Pas Musait (a.s.), izraelitët e zgjodhën një sundimtar i cili ishte i njohur për devotshmërinë dhe drejtësinë e tij. Ai ditët ua kushtonte shtetasve të tij,kurse netët i kalonte në ibadet. Një herë, ai e fali namazin e natës në tavanin e Bejtul – Makdisit, nata ishte e kthjellët, kurse qielli i mbushur me yje. Në qetësinë e natës,derisa hëna po e ndriçonte Bejtul-Makdisin, dhe yjet e madhëronin Allahun, ai filloi të bënte vetë-llogari. Mendoi për atë që kishte bërë për fenë dhe për popullin e tij, dhe e krahasoi atë që kishte bërë me atë që mund të kishte bërë, por nuk e kishte bërë. Kështu që, e kuptoi se ishin shumë më tepër ato që ai mund t’i kishte bërë por nuk i kishte bërë.

Sidoqoftë, ai nuk kishte forcë të paraqitej para popullit të tij dhe t’u thoshte atyre që të zgjidhnin dikë tjetër si sundimtar, sepse kishte frikë se njerëzit do ta refuzonin propozimin e tij, dhe për shkak të sinqeritetit dhe modestisë së tij, ata do t’i jepnin mbështetje edhe më të madhe. Mendoi mirë dhe më në fund vendosi se, do të ishte më mirë për të,që të arratisej diku larg, ku nuk e njihte askush. Por, si të ikte nga qyteti kur ushtria ishte rreth qytetit dhe rreth Bejtul-Makdisit, dhe ata sigurisht, nuk do ta lejojnë atë të shkojë askund vetëm, pa e ndjekur ushtria dhe pa qenë me të.

Duke menduar për mënyrën e ikjes, ai pa një litar i cili ishte i mjaftueshëm që të zbriste me të në anën tjetër të Bejtul-Makdisit, ku nuk kishte roje dhe ku askush nuk do ta shihte, gjë që më në fund edhe e bëri.

Kur erdhi koha e sabahut, rojet u ngjitën në tavan, por nuk gjetën as nuk panë asgjë përveç litarit. Duke ikur kështu nga autoritetet, ai u gjend në një vend, në breg të detit ku njerëzit merreshin me prodhimin e qerpive për ndërtimin e shtëpive. Ju kërkoi atyre që ta punësonin, në mënyrë që ta siguronte jetesën nga puna dhe angazhimi i tij. Ata e pranuan pa ndonjë problem, por ata u çuditën kur e panë se ai e ndërpriste punën dhe shkonte për të falur namaz. Ata pëshpëritnin me njëri-tjetrin dhe pyetnin se çka po bënte ai me të vërtetë, kurse ai, megjithëse ishte në një vend të huaj, nuk hezitonte as nuk frikësohej, por haptazi dhe me krenari i bënte ibadet Zotit të tij dhe e falënderonte për begatitë e panumërta.

Banorët e atij qyteti së shpejti e simpatizuan kur e kuptuan se ishte njeri i drejtë dhe i ndershëm që mund ta merrnin si model. Të impresionuar nga sjellja e tij, ata lajmin ia përcollën sundimtarit të atij qyteti. Kur e dëgjoi këtë, sundimtari e ftoi që të fliste me të, mirëpo, ai nuk donte të përgjigjej, sepse kishte frikë se mos zbulohej kush ishte, dhe do të informohej populli i tij se ku gjendej. Pasi që sundimtari pa se njeriu nuk donte të vinte në kështjellën e tij, vendosi që ai vetë ta gjente në vendin e ndërtimit.

Mirëpo, kur kolegët e tij të punës e njoftuan se sundimtari vetë kishte ardhur për ta takuar, ai filloi të ikte. Sundimtari u çudit nga një veprim i tillë, dhe pastaj hipi në kalin e tij dhe filloi ta ndiqte. Së shpejti e arriti dhe e ndaloi që të flisnin. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, ai ia zbuloi sekretin e tij atij sundimtarit dhe ia tregoi çështjen e tij në detaje. Në atë moment, edhe ky sundimtari tjetër, vendosi që të largohej nga qyteti i tij dhe t’ia linte pushtetin tjetërkujt, kurse ai vetë,tash me këtë me shokun e tij, dhe ish sundimtarin u përkushtuan ibadetit dhe përgatitjes për ahiret. Atë që vendosën ta bënin, ata edhe e bënë. U shoqëruan së bashku dhe u kënaqen duke bërë ibadet, derisa vdekja i ndau për një kohë të shkurtër.”

Më në fund, Ibn Mesudi tha:“Ata vdiqën në qytetin Rumejla, dhe nëse do të ishim atje, unë do t’ju tregoja varret e tyre, sepse Pejgamberi (savs), na ika përshkruar ata sikur t’i shikoj tani.”(Transmetimi është regjistruar nga Tabarani në Mu’xhemul -kebir)

I lutemi Allahut që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)