Le ta ndiejmë ëmbëlsinë e ramazanit

1558

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: Le ta ndiejmë ëmbëlsinë e ramazanit.

Mirë se vjen ramazan. Është koha e vitit kur muslimanët me entuziazëm e mirëpresin muajin e begative. Por, një numër i madh i tyre fshehurazi nga pak shqetësohen.

Ramazani mund të nënkuptohet edhe si lodhje, barrë dhe përmbajtje. Por kjo për arsye se gjatë vitit ne nuk i kemi mësuar trupat dhe shpirtrat tanë me këtë nivel të ibadetit.

Shikoni, mu  ashtu sikur trupi i sëmurë që nuk ndien kënaqësi me ushqimin, ashtu edhe zemra e sëmurë nuk mund të ndiejë kënaqësinë e ibadetit në të.

Megjithatë, bëni kujdes! Ibn Haxheri thotë se është mëkat i madh që mos ta presësh ramazanin, dhe të lejosh që ai të kaloi pa e vërejtur fare.

Unë nuk besoj se muslimanët,të cilëve ramazani ju duket i vështirë vuajnë nga zemra e vdekur, dhe as që kanë dry në zemrat e tyre, ashtu siç përshkruhen zemrat e vdekura në Kuran.

Problemi është tek zemrat e fjetura. Thjesht duhet t’i lëkundim pak, t’i trazojmë dhe t’i zgjojmë nga gjumi, dhe këtu është bukuria e ramazanit.

Qëllimi i ramazanit është të arrihet ndjenja e devotshmërisë (takvalukut) dhe transmetimi i saj jashtë ramazanit, gjatë gjithë vitit. Kjo është çështja.

Nëse ne vuajmë nga lodhja në mes të ramazanit, atëherë kjo është për shkak se ne e kemi filluar ramazanin me shprehi joreale. Është bukur, por është e vështirë të mbahen ato.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Veprat më të dashura tek Allahu janë ato vepra të mira, që janë të vazhdueshme, edhe nëse janë të pakta.”

Gjërat elementare le t’i bëjmë mirë, kurse kur angazhimet tona të përditshme të jenë të organizuara dhe të rrumbullakosura, atëherë, dhe vetëm atëherë, mund të kalojmë në hapin tjetër.

Ka edhe nga ata që përpiqen dhe e pranojnë se ramazani është i veçantë, por nuk e fitojnë stimulin e imanit për të cilin kanë shpresuar. Kjo konsiderohet neglizhencë.

Nëse ramazani nuk kontribuon që ne të jemi të vetëdijshëm për mëkatet tona, atëherë nuk kemi arritur devotshmëri. Hapi i parë, pra, është t’i braktisim mëkatet, pengesën midis nesh dhe Allahut. Në këtë rast, hapi i parë nuk është rritja e ibadeteve.

Le të punojmë në ngritjen e karakterit tonë dhe në ndërtimin e cilësive të mira.

Në ramazan, patjetër ne duhet t’i përkushtohemi vetvetes. Allahu na ika hequr të gjitha pengesat (ushqimin, pijen dhe intimitetin). Nuk kemi të bëjmë këtu me përfundimin e hatmes së Kuranit ose me qëndrimin në teravi, por me kthimin drejt vetvetes dhe me marrjen parasysh të vetvetes.

Këto janë gjëra të thjeshta, si largimi i një pengese nga rruga ose dhënia e ujit një qeni. Këto janë tregime të cilat i dëgjojmë për njerëzit që do të hyjnë në xhenet. Prandaj, le të mësohemi që të bëjmë mirë, ashtu që të gjitha gjërat të bëhen sjellje e jonë. Mos të ndjehemi fajtor që nuk kemi arritur lartësi shpirtërore, sepse me këtë përvojë të njëhershme ajo nuk është për qëllim.

Për qëllim është ndryshimi për të mirë në veten tonë, në përkushtimin e ndryshimit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.

Këtu nuk kemi të bëjmë me atë se sa lot kemi derdhur, sepse biologjikisht ka disa njerëz që qajnë më lehtë se të tjerët. Nuk duhet të preokupohemi me këtë. Kur të përqendrohemi tek mirësia, ai ndryshim do të vijë.

Sahabët, gjatë periudhave të ndryshme të jetës së tyre, kanë pasur ngritje dhe ulje të motivimit. Është e natyrshme që të kemi ngritje dhe ulje, derisa rënia jonë të mos i shkelë ibadetet e detyrueshme dhe të na përfshijë në haram.

Pejgamberi (savs), i është qasur ibadetit të tij me entuziazëm dhe lehtësim, jo ​​si barrë, por si ikje nga barra e jetës.

Kur i falim namazet tona me kohë, kur lutjet tona janë me kohë, kur dhikri ynë është me kohë, atëherë, më në fund edhe ne do të fillojmë të kënaqeni me to. Le të na bëhet zakon, që nga 2 deri 3 minuta para namazit, t’ia kujtojmë vetes se do të flasim me Allahun, Krijuesin tonë.

Le ta trajtojmë namazin sikur të jetë intervista jonë e fundit me Allahun para Ditës së Gjykimit. Le ta trajtojmë me më shumë respekt dhe vlerësim, në mënyrë që gjatë namazit të mos mendojmë për gjërat që vijnë pas tij, apo për obligimin tjetër që kemi, apo për gjërat që na pengojnë nga namazi. ((Omar Sulejman – akos.ba))

O Zoti ynë, të lutemi na bëj nga ata që e presin dhe e përcjellin muajin ramazan.

O Zoti ynë, na bëj prej atyre që do ta agjërojnë muajin ramazan.

O Zoti ynë, le të jetë ky ramazan pikë kthese për të mirë në marrëdhëniet tona, në veprat tona dhe në jetën tonë.

O Zot, na ndihmo ta ruajmë dritën e Islamit këtu në atdheun tonë të bukur!

Ndihmoji dhe mbroji të gjithë njerëzit e rrezikuar dhe pa të drejta, kudo qofshin ata!

Kurthet e armiqve tanë ktheji mbi kokat e tyre!

O Zot, na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit!

Na i udhëzo dhe forco fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut tonë!

O Zot, na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe na ndero në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)