Sytë e uritur është vështirë për t’i ushqyer

797

Autor: Edhem Sherkavi

Transmetohet nga hazret Omeri r.a.), se ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (savs), më jepte një shumë të caktuar të parave, kurse unë i thosha:”O i Dërguari i Allahut, jepja dikujt që është më i varfër se unë! Derisa një herë kur më dha para, unë i thashë: Jepja dikujt që është më i varfër se unë! Ai më tha:“Nëse të jepet diçka nga paratë dhe nga pasuria (dmth nga thesari i shtetit) dhe ti nuk je lakmitar për të, as nuk e ke kërkuar, atëherë merre atë pasuri, por nëse nuk të jepet, ti vetë mos e kërko.”(Muslimi)

Do të thotë, merre atë pasuri që është e drejtë e jotja, pastaj ti ndaje atë si sadakë kujt të dëshirosh. Sepse, kur të bëhesh pronar i vërtetë i pasurisë, dhe ajo të gjendet në duart tua, dhe pastaj ta ndash atë për bamirësi, është më mirë dhe më sevap,sesa ato para ose atë pasuri t’ua japësh të tjerëve para se ajo të vijë në duart tua.

Oh, sa dinjitoz dhe fisnik ishte hazreti Omeri (r.a.)! Pasuria i erdhi tek dera e tij, pa e kërkuar, dhe pastaj ai i tha Pejgamberit (savs): “Jepja dikujt që është më i varfër se unë!”

Hazret Omeri jo vetëm që dëshironte tu bënte konkurrencë të varfërve dhe nevojtarëve, por ai u dha atyre përparësi edhe mbi veten e tij, edhe pse vetë kishte nevojë dhe të drejtë në atë pasuri. Në këtë mënyrë, ai e dha një shembull të mrekullueshëm të solidaritetit shoqëror dhe të ndjenjës për të tjerët.

Sot, ne jemi të sprovuar me njerëz (veçanërisht me ata që kanë pushtet dhe pasuri), të cilët dëshirojnë ta hanë krejt botën dhe gjithçka që ka në të, edhe pse nuk kanë nevojë, kurse arsye e vetme për këtë është se, se ata kanë uri në shpirt, jo në stomak.

Prandaj, sot, mund të shihni të varfrit duke u dhënë njerëzve të tjerë të varfër, një pjesë të asaj pak pasurie që ata posedojnë, duke e harruar edhe vetveten dhe nevojën e tyre. Sikur që, nga ana tjetër, mund të shihni dikë që nuk është në nevojë, që ka pasuri dhe pushtet,por që, në vend që të jetë ai që u jep dhe u ndanë të varfërve – sepse ka mundësi – ai dëshiron ta merr edhe atë që posedojnë të tjerët, pavarësisht se nuk ka ndonjë nevoje për ta marrë.

Kushtet e jetesës janë bërë jashtëzakonisht të vështira sot (sidomos për shkak të pandemisë), sepse shumë njerëz e kanë humbur punën e tyre, prandaj të pasurit duhet të përpiqen t’ua bëjnë më të lehtë të varfërve, qoftë me iniciativën e tyre personale, qoftë duke marrë pjesë në fushata që zhvillojnë njerëzit e mirë.

Le të bëhemi dinjitoz dhe fisnik; nëse na jepet diçka nga pasuria, që ne nuk e kemi, le ta marrim atë, nëse jemi vërtet të nevojshëm, kurse nëse nuk jemi në nevojë, atëherë le të tregojmë për dikë që është më i varfër se ne midis atyre që i njohim, ose le t’i marrim ne ato para,ose atë pasuri dhe t’ia japim ose t’ia ndajmë atij. Le ta dimë se gjithçka që merr njeriu i llogaritet si furnizim dhe nafakë, dhe nafaka nuk rritet me mungesë të sjelljes së mirë dhe edukatës, por me ndërmarrje të lavdërueshme.

Ndërsa sa i përket çështjes së ekzistencës dhe nafakës, ne duhet ta përmirësojmë raportin tonë me Allahun, para se ta përmirësojmë raportin tonë me njerëzit, dhe duhet të sillemi ndaj furnizimit,ashtu siç ka vepruar hazreti Omeri (r.a.), kur ka thënë: “Unë nuk i kërkoj Allahut furnizim, sepse furnizimi im dhe nafaka ime tashmë janë të ndara dhe të caktuara, por unë kërkoj që Allahu të më japë bereqet në furnizimin që Ai ma ka caktuar.”

Pëkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)