Xhemat i dashur! Kujtoni momentin kur për herë të parë u ndriçua dynjaja me zbritjen e pesë ajeteve të para të Kur’anit Famëlartë. Ajeti i parë i zbritur është “Lexo me emrin e Zotit tënd i Cili të krijoi”. Pra lexo, jo vetëm për të marr titull ose diplomë, lexo, jo vetëm për të bërë autoritet, por lexo dhe hulumto për të zbuluar argumentet e ekzistencës së Allahut, që ta njohësh më mirë atë që të krijoi.
Pas zbritjes së këtyre ajeteve, Muhamedi a.s. me të shpejtë u kthye në shtëpi, dhe i tha bashkëshortes, më mbulo, më mbulo. I erdhi Xhibri a.s. dhe i tha: “O ti i mbuluar, çohu dhe tërhiqu vërejtjen” (duke i thirrur njerëzit në rrugë të shpëtimit), Mudethir: 1, 2.
Me tu kthyer Pejgamberi a.s. në shtëpi, në mbrëmje për të pushuar, i erdhi Xhibrili a.s. dhe i tha: “O ti i mbështjellur, ngrihu për falje natën përveç një pjesë të saj”. Muzemil: 1, 2.
Vëllezër të dashur! Këto ajete Kur’anore sikur i thanë Pejgamberit a.s. se nuk është koha për pushim, e nuk është koha për gjumë. Të nderoji Allahu me emanetin e Islamit, andaj tash është koha e punës, tash është koha e lodhjes, tash është koha e përpjekjes për ta shpëtuar këtë shoqëri nga humbja që është zhytur. Islami është emaneti më i çmuar dhe përgjegjësia më e rëndë. Çdokush nga ne do të japim llogari para Allahut, për atë që sa jemi lodhur e përpjekur në përhapjen e porosive të këtij Kurani. Sot, shoqëritë muslimane kanë probleme të shumta, për arsye se kanë pëlqyer që problemet ti zgjidhin duke fjetur, e duke u rehatuar. Shembulli i Pejgamberit a.s. është një mesazh i fuqishëm për ne, që duhet të zgjohemi, të largojmë mbulesat e zemrës dhe mendjes, të largojmë mbulesat që na mbajnë në gjumë, dhe që na ëmbëlsojnë të keqen.
Vëllezër të dashur! Nuk mjafton vetëm ta mendojmë, nuk mjafton vetëm ta dëshirojmë, por duhet ta bëjmë. Pejgamberi a.s. nëse do kishte qëndruar rahat dhe i shtrirë, ai kurrë nuk do e bënte ndryshimin, por ai u lodh për ndryshim, ai ndjeu dhimbje për të keqen që kishte kaplua atë shoqëri, ai e ndjente dhimbjen e asaj shoqërie të zhytur në epshe dhe harame. Çdokush që sot e ndjen veten musliman, e pyesim: Sa e ke dert Islamin? Sa e ke dert që fëmijët e tu nuk falin namaz? Sa e ke dert që fëmijët e tu ndjekin botën e epshit, rrugën e devijimit etj etj. Çdo prind me siguri e ndjen dhimbjen kur sheh fëmijën në rrugë të keqe, alkool, drogë, bixhoz etj, por me atë dhimbje ai hesht, duke u arsyetua se nuk dëgjon fëmija. Jo vëlla i dashur! O ti prind, mos u ndal e mos u dorëzo kurrë, thirre evladin, shokun dhe shoqërinë në rrugën e shpëtimit, por edhe nëse nuk të dëgjojnë dhe të injorojnë, ti përsëri thirr e mos flejë, mos u lodh kurrë për mirë, mos u mërzit kurrë, lute Zotin dhe përpiqu për ta shpëtuar mëkatarin nga e keqja e mëkatit. Në këtë drejtim duhet bashkërisht si musliman të punojmë.
Po e përmbyllim këtë temë duke i thënë vetes dhe ju: “O ti i mbuluar, çohu dhe tërhiqu vërejtjen (duke i thirr njerëzit në rrugën e shpëtimit)”. Mudethir 1, 2.