Të nderuar vëllezër në Islam!
Tema e hutbes së sotme është “Lakuriqësia – një mëkat i rëndë i ditëve të sotme”.
Tema është më shumë se e domosdoshme në kohën kur lakuriqësia – si mëkat i madh, ka marrë hov deri në atë masë sa që paralajmëron një katastrofë të vërtetë.
Në fillim, është e nevojshme që shkurtimisht ta përkufizojmë çka është avreti, dtth. lakuriqësia? Avretin, dijetarët e përkufizojnë si “ajo që është e ndaluar të zbulohet në trupin e njeriut, edh te meshkujt edhe të femrat.” Te femrat avret është krejt trupi përveç fytyrës dhe duarve, kurse te meshkujt avret është prej belit deri nën gju.
Kurani për femra ka përcaktuar veshje dhe mbulesë si ka hije, e cila në asnjë moment nuk guxon të shkaktojë provokim te meshkujt, dhe e cila në të njëjtën kohë, e mbron nderin e femrës, por edhe e garanton ruajtjen e vlerave morale të shoqërisë. Allahu i Madhërishëm në ajetin 26 të sures el-A’raf, thotë:
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri. Këto janë argumentet e Allahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (el-A’raf, 26)
Kurse në ajetin 59 të sures el-Ahzab Allahu i Madhërishëm, thotë:
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.” (el-Ahzab, 59).
Në suren en-Nur, Allahu i Madhërishëm e urdhëron uljen e shikimit dhe veshjen islame:
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi krahrorin e tyre …” (en-Nur, 30-31)
Allahu i Madhërishëm e ndalon lakuriqësinë dhe e radhit ndër mëkatet e mëdha. Ky është një mëkat i cili e shkatërron bashkësinë e ngushtë dhe bashkësinë e gjerë shoqërore, dhe i cili detyrimisht merr me vete edhe mëkate tjera të mëdha, në të cilat në vend të parë bën pjesë prostitucioni (zinaja), mëkat ky i cili është duke marrë hov.
Për shkak të pasojave të dëmshme shumë të mëdha për muslimanët dhe për mbarë njerëzimin, Allahu i Madhërishëm ka dhënë udhëzim të qartë për ata që kanë mendje, se si duhet të vishen, në mënyrë që mos të shkaktojnë zemërimin e Tij.
Islami bën thirrje për pastërtinë morale dhe kërkon nga pasuesit e tij që t’i kushtojnë kujdes maksimal pamjes së tyre, mënyrës së veshjes dhe stolisjes, dhe të shmangen nga çdo gjë që mund t’u shkaktojë vështirësi individëve me të cilët vijnë në kontakt dhe shoqërisë ose rrethit të njerëzve në të cilin lëvizin.
Islami kërkon që muslimani t’i mbulojë pjesët intime të trupit, me çka dallohet nga kafshët.
Pejgamberi savs e mësoi shokun e tij në këtë mënyrë: Transmetohet nga Behez ibn Hakim nga babai dhe gjyshi i tij, thotë: Unë e pyeta: O i Dërguari i Allahut, çka duhet të fshihet dhe çka mund të tregohet prej pjesëve intime të trupit? Ai u përgjigj: Fshehi pjesët intime të trupit nga çdokush përveç nga bashkëshortja jote. Thashë: O i Dërguari i Allahut, po çka nëse njerëzit jetojnë së bashku? Ai tha: Provo nëse mundësh, që avretin mos ta sheh askush. Unë pastaj i thash: Po nëse nuk ka askush? (në qoftë se njeriu është vetëm) Ai u përgjigj: Më prioritare dhe më e nevojshme është të ndjehet turp para Allahut. (Ahmedi)
Pejgamberi (savs) ua mësoi shokëve të tij shenjat e vogla të Ditës së Gjykimit, të cilat ai nuk i ka mbijetuar, por që ne po i mbijetojnë sot:
Transmeton Ebu Hurejre r.a. se Pejgamberi savs ka thënë: “Dy lloje të njerëzve janë banorë të xhehenemit, dhe unë ende nuk i kam parë ata: dhunuesit në duart e të cilëve janë kamxhikët e trashë sa bishti i lopës, me të cilët i rrahin njerëzit, dhe gratë të cilat veshin rroba të tejdukshme sikur të jenë zhveshur, të cilat ua kthejnë shpinën urdhërave të Allahut dhe janë të prirura për vepra të këqija, kurse kokat e tyre janë si gungat e deveve. Gratë e tilla nuk do të hyjnë në xhenet, as nuk do ta ndjejnë erën e tij, kurse era e tij shtrihet shumë larg në të gjitha anët.” (Muslimi)
Vëllezër të respektuar!
Mesazhi i hadithit është shumë i qartë, dhe ne po i jetojmë dy parashenjat e Kiametit të përmendura në hadith, (1) individët e dhunshëm që torturojnë dhe vrasin njerëz të pafajshëm, dhe (2) gratë që garojnë në veshje e kostume joislame dhe të urrejtura, çfarë nuk ka pasur asnjëherë në histori. Sa shumë nëna dhe baballarë ju blejnë vajzave të tyre veshje joislame, dhe kur e bëjnë këtë, le ta kanë ndër mend se fëmijëve, por edhe vetvetes po i blejnë rroba të xhehenemit. Ka shumë nëna që thonë: Me krejt botën! Ende është e re! Le të kënaqet sa është e re! Çka i mungon! etj. Nënat e tilla pa vetëdije janë armiq të fëmijëve të tyre.
Në një rast, disa gra nga fisi Beni Tamim hyjnë te zonja Aishe r.a. me rroba të tejdukshme, meqë rast ajo u tha: “Nëse jeni besimtare, atëherë, kjo nuk është veshje e muslimanes”.
Në një rast tjetër, një vajzë e re hyn te zonja Aishe r.a. me rroba të tejdukshme, kurse ajo i thotë: “Nuk beson në suren en-Nur femra që vishet në atë mënyrë”.
Pejgamberi savs na mëson me fjalët: “Nga ajo që na ka arritur nga njerëzit e pejgamberëve të mëparshëm është: O njeri, nëse nuk turpërohesh, bën çfarë të duash! (…)
Vëllezër të nderuar!
Në Kosovë, pas luftës së fundit, në skenë është një rënie e përgjithshme morale, e cila po reflektohet edhe me lakuriqësi masive të një numri të madh të vajzave dhe grave, të cilat garojnë në zbulimin e krejt asaj që mund të zbulohet, edhe pse nuk duhet, e zbulojnë stomakun, shpinën dhe gjoksin, dhe të cilat përngjajnë në çdo gjë tjetër përveçse në njeri, jo. Ato me lakuriqësinë e tyre prijnë para popujve të tjerë, dhe mendojnë se janë moderne dhe tërheqëse, por nuk e dinë të mjerat, se ato dhe ata që i veshin, dhe ata që versulen ndaj tyre, dhe të cilët i shikojnë me pasion, do të jenë karburante të xhehenemit. Ky lloj i përbuzjes dhe shthurjes është vështirë sot të gjendet diku tjetër në botë, andaj frikësohemi nga dënimi i Allahut, sepse para nesh janë shkatërruar shumë popuj që kanë bërë mëkate të ngjashme!
Le t’i kthehemi Islamit dhe vlerave islame, të vishemi në përputhje me rregullat islame, dhe të përpiqemi që këto të vërteta t’ua përcjellim edhe të gjithë muslimanëve të tjerë!
E lus Allahun e Madhërishëm, të na forcojë në rrugën e Islamit, të na ndihmojë që ta ruajmë dritën e Islamit, të na ruaj nga pamorali, të mos na sprovojë me dhunën e sundimtarëve zullumqarë, të mos na sprovojë me atë që nuk mund ta përballojmë, që të na mëshirojë në Ditën e gjykimit dhe të na vendosë në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me dëshmorë dhe me njerëz të mirë! //Hatib: Nezim Halilović Muderis//
Përshtati: Miftar Ajdini