Një tregim udhëzues nga Perandoria Osmane!

1363

Vëllezër besimtarë! Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: “Një tregim udhëzues nga Perandoria Osmane”

Bazë të kësaj hutbeje, e kam marrë një ngjarje të vërtetë, që ka ndodhurrreth para tre shekujve në Perandorinë Osmane, por që mesazhi është shumë altual edhe ditët e sotme!

Në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, Damasku përjetoi një deficit financiar dhe një mungesë serioze të fondeve buxhetore, gjë që e detyroi guvernatorin (valiun) e tij,Esad Pasha, që të kërkonte një mënyrë për ta zgjidhur krizën.

Përkatësisht, përmendet se me këtë rast, guvernatori i Damaskut që i takonte shtetit osman, Esad Pasha (që jetoi midis veteve 1706-1758), mblodhi bashkëpunëtorët e tij për t’u konsultuar me ta rreth zgjidhjes së krizës financiare në të cilën kishin ranë. Me atë rast, ata propozuan që të vendosej një taksë shtesë për njerëzit që merreshin me prodhimin e tekstileve në Damask.

Esad Pahsa i pyeti ata: “Sa mendoni se do të na sjellë kjo taksë?”

Ata u përgjigjën: “50 deri në 60 thasë me monedha ari.”

Esad Pasha tha: “Por ata janë njerëz me të ardhura të kufizuara. Ku do të marrin kaq shumë para?”

Ata thanë: “Zotëri, le t’i shesin stolitë dhe xhevahiret e grave të tyre!”

Atëherë Esad Pasha u tha atyre: “Çfarë mendoni nëse ne e fitojmë këtë sasi të nevojshme të parave në ndonjë mënyrë tjetër?”Ata të gjithë heshtën.

Të nesërmen Esad Pasha i dërgoi një letër myftiut dhe i kërkoi që të takohej fshehurazi me të. Kur erdhi muftiu, Esad Pasha i tha: “Ne e dimë se prej kohësh ti po sillesh në mënyrë të pahijshme në shtëpinë tënde, dhe se po i shkel rregullat e sheriatit, andaj vendosa që për këtë ta njoftoj Portën e Lartë në Stamboll. Mirëpo, mendova se është më mirë,që këtë së pari t’jua them juve,në mënyrë që nesër të mos keni prova kundër meje.”

Muftiu u shqetësua nga ajo që dëgjoi nga valiu, dhe filloi të lutej dhe t’i ofronte shuma parash vetëm për ta mbyllur çështjen. Fillimisht ai i ofroi 1000monedha prej ari, të cilat Esad Pasha i refuzoi, pastaj muftiu e dyfishoi shumën, por valiu përsëri refuzoi,më në fund u ra dakord që muftiu t’i dorëzonte valiut 6000monedhaprej ari.

Të nesërmen valiu e thirri kadiun (gjykatësin), dhe i tha se ai ishte i vetëdijshëm se po merrte ryshfet, dhe po e përdorte pozitën për interesat e tij, dhe se po e tradhtonte besimin e dhënë ndaj tij. Kadiu u tremb për veten e tij dhe menjëherë i ofroi valiut të njëjtën sasi sikurse muftiu, të cilën valiu e pranoi.

Më pas radha ishte e inspektorit të tregut, pastaj e përfaqësuesve të tregtarëve dhe e tregtarëve më të pasur.

Pas kësaj, Esad Pasha i mblodhi bashkëpunëtorët e tij, të cilët e këshilluan të vendoste një taksë të re për të mbledhur 50 thasë me monedha prej ari, dhe u tha atyre:“A keni dëgjuar se Esad Pasha ka futur ndonjë taksë të re në Sham?”

Ata thanë: “Jo, nuk kemi dëgjuar.”

Ai u tha atyre: “Por unë përsëri i mblodha 200 thasë me monedha prej ari, në vend të 50 që duhej të mblidhja në mënyrën që ju e sugjeruat.”

Bashkëpunëtorët e tij të habitur pyetën me një zë: “Si e bëre këtë?”

Ai u përgjigj: “Është më mirë të qethët leshi i deles, se sa të rrjepet lëkura e qengjit.”

Ky tregim shumë udhëzues për guvernatorin e Damaskut dhe kujdesin e tij për vendin dhe popullin e tij, për daljen nga kriza financiare dhe trajtimin e sëmundjeve apo helmeve duke i përdorur të njëjtat “ilaçe” dhe kundërhelme, të cilat i përdorin njerëzit e fuqishëm të politikës, oligark të ndryshëm dhe njerëz të pasur, të cilët pasuritë e tyre i kanë fituar përmes krimit dhe korrupsionit, ky tregim është shenjë e urtësisë, ndershmërisë dhe drejtësisë së pushtetarit (guvernator, ministër, deputet, kryetar, komandant, etj.), i cili nuk e pranoi propozimin e rrethit të tij oportunist, që mandatin e tij ta shpëtonte duke e zgjidhur problemin e krizës financiare në kurriz të njerëzve të varfër, në kurriz të pronarëve të bizneseve të vogla dhe të atyre me të ardhura të kufizuara. Dhe nga shqetësimi i vërtetë për njerëzit, ai mendoi, dhe më pas mori një vendim dhe e vuri në veprim. Në këtë mënyrë ai e shpëtoi vendin dhe popullin e tij, dhe mblodhi shumë herë më shumë pasuri, se sa që pritej nga vendosja e taksave të reja mbi popullin, dhe nga shtyrja e popullit në mjerim dhe varfëri edhe më të madhe, e me këtë edhe në thellimin e krizës. (…)

Vëllezër të nderuar!

Mësimi i këtij tregimi është se drejtësia dhe barazia nuk do të vendosen në një shtet, derisa të mposhtet krimi, ryshfeti, korrupsioni dhe nepotizmi, sepse qëndrimi i shkujdesur ndaj këtyre plagëve sociale, do të ketë ndikim shumë negativ për shtetin dhe për qytetarët.

Historia dëshmon se një nga shkaqet kryesore të rënies së popullit, ishte se sulltanët dhe pushtetarët i mbyllnin sytë para grupeve kriminale dhe të korruptuara,të cilët padrejtësisht e merrnin atë që nuk ju takonte, dhe pamëshirshëm ua rrjepin lëkurën “qengjave” dmth. popullit.

Uroj që, të vjen një ditë, kur edhe në vendin tonë do të zbatohet strategjia dhe taktikat e valiut Esat Pasha, që në vend se pushtetarët edhe më tutje ta rrjepin lëkurën e qytetarëve, të varfërve dhe nevojtarëve, të filloi qethja e “flokëve” të elitave të korruptuara politike dhe grupeve kriminale, para se të përhapet edhe më shumë varfëria dhe mjerimi, dhe para se të shtohet padrejtësia, tirania, skllavërimi dhe rrënimi i atdheut tonë të vetëm.

O Allah, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini