Kam frikë se kur të vdes do t’i harroj fjalët: La ilahe il-lallah

890

Një hoxhë po ua mësonte studentëve të tij themelet e besimit islam. Ai veçanërisht atyre ua shpjegoi kuptimin e fjalës: La ilahe il-lallah.

Një ditë, një student ia dhuroi hoxhës një papagall, sepse e dinte se hoxha shumë i pëlqente zogjtë dhe macet. Hoxha u gëzua për dhuratën dhe gjithmonë papagallin e merrte me vete. Ai, madje e merrte me vete, edhe kur mbante ligjërata për studentët. Në këtë mënyrë papagalli shumë shpejt e mësoi edhe shqiptimin e fjalëve: La ilahe il-lallah.

Pasi që i mësoi, ai vazhdimisht i përsëriste ato, edhe ditën edhe natën.

Mirëpo, një ditë, studentët e gjetën hoxhën duke qarë, andaj e pyetën se çka e kishte hidhëruar dhe e kishte bërë të qajë, kurse ai u tha atyre: “Macja e mbyti papagallin.”

Ata i thanë: “A për këtë po qan? Nëse dëshiron ne ta sjellim një papagall tjetër, edhe më të mirë dhe më të bukur.”

Hoxha u përgjigj: “Unë nuk po qaj për shkak të kësaj, por po qaj për atë se papagalli, kur macja e sulmoi, bërtiti derisa ngordhi. Edhepse para kësaj, ai vazhdimisht i përsëriste fjalët: La ilahe il-lallah, kur e sulmoi macja ai i harroi këto fjalë dhe vetëm bërtiste. Ai këtë e bëri sepse fjalët: La ilahe il-lallah, i kishte mësuar vetëm me gjuhë, kurse zemra e tij ato nuk i kishte ndjerë. Kam frikë që edhe ne të mos bëhemi si ky papagall, t’i jetojmë jetët tona duke i përsëritur fjalët: La ilahe il-lallah, vetëm me gjuhë, kurse në momentin e vdekjes t’i harrojmë, sepse zemrat tona nuk i kanë njohur me të vërtetë dhe nuk kanë jetuar në përputhje me këto fjalë.”

Atëherë edhe studentët filluan të qanin duke u frikësuar nga qëndrimi i pasinqertë ndaj fjalëve: La ilahe il-lallah.

Përkthim: Miftar Ajdini