Tregtia më fitimprurëse

1513

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Tregtia më fitimprurëse

Në të gjithë botën dhe në çdo kohë, njerëzit përpiqen të jenë sa më të pasur. Të kenë shtëpi sa më të mira, makina, veshje… Të kenë më shumë para, flori, tokë, pasuri të paluajtshme… Për ta arritur këtë, ata përdorin çdo rast të mundshëm për të realizuar fitim. Kështu, nëse dikush do t’u ofronte atyre të investonin 1 €, për t’i fituar 2 € ose më shumë, ata do ta pranonin pa hezitim. Ani, le të jetë kështu, sepse kjo është plotësisht në rregull.

Por Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran, ju drejton pyetje besimtarëve:

O besimtarë, a doni t’ju drejtoj në një tregti, e cila ju shpëton nga një dënim i dhimbshëm?!” (es-Saff, 10)

A dëshironi t’ju tregoj një tregti që do t’ju sjellë përfitime dhjetëfish si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër? A dëshironi t’ju tregoj një tregti ku mund të investoni 1 euro dhe të fitoni 10 euro?

Sahabët, kur morën vesh për këtë ofertë, ata thanë (por edhe ne të gjithë do të thoshim të njëjtën gjë): “Sikur ta dinim se çfarë është ajo tregti, do të investonim në të edhe pasurinë edhe familjet tona!”.

Pastaj Allahu i Mëshirshëm sqaron se për çfarë tregtie bëhet fjalë dhe thotë:

“Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe trupin tuaj. Kjo, nëse do ta dini, është më mirë për ju.” (es-Saff, 11)

Tregtia me Allahun është tregtia më e mirë, më fitimprurëse dhe më e sigurtë. Ai që bën tregti me Allahun me siguri do të ketë sukses dhe kurrë nuk do të jetë në humbje.

Për këtë ishin të vetëdijshëm edhe sahabët, shokët e Pejgamberit, kështu që ata bënin gara me njëri-tjetrin se kush do të investonte më shumë në këtë tregti.

Transmetohet se në shtëpinë e Aliut (r.a.) ishin pesë anëtarë: Aliu, Fatimja, Hasani, Huseini dhe shërbëtori i tyre Harisi. Një natë ata fjetën të uritur, kështu që kur u zgjuan h. Fatimja i dha Aliut (r.a.) mantelin e vet për ta shitur dhe për të blerë ushqim për të. Aliu (r.a.) e shiti për 6 dërhemë. Pastaj, duke u kthyer në shtëpi, ai takoi një grup njerëzish të rraskapitur dhe të uritur. Ai atyre ua dha ata 6 dërhemë, edhe pse ai dhe familja e tij kishin shumë nevojë për ta.

Sapo u largua prej tyre, e takoi një njeri që drejtonte një deve. Ai epërshëndeti me selam dhe e pyeti: “O Ali, a dëshiron ta blesh këtë deve nga unë?” “Do ta kisha blerë, nëse do të kisha para!“ – u përgjigj Aliu (r.a.). „Do ta paguash kur të kesh para!“, i tha burri. “Pra,  sa kushton?” “Njëqind dërhemë”, tha burri. Aliu (r.a.), e pranoi ofertën dhe mori me vete devenë.

Rrugës (Aliu r.a.) e takoi një burrë tjetër, i cili e pyeti nëse deveja ishte në shitje. Aliu (r.a.) u përgjigj pozitivisht dhe burri i dha 160 dërhemë për devenë. Alija (r.a.) vazhdoi rrugën për në shtëpi, kur përsëri i doli përpara njeriu që ia shiti devenë dhe e pyeti: “Ku është deveja o Ali?” “E shita”, tha Aliu. “Atëherë m’i jep paratë e mia”, i tha burri. Aliu (r.a.) ia dha paratë e tij, kurse atij i mbetën 60 dërhemë.

Ai nxitoi për në shtëpi dhe kur arriti, i shpërndau dërhemët para hz. Fatimes dhe i tregoi se çfarë i kishte ndodhur, duke i thënë: “Kam bërë tregti me Allahun, kështu që për çdo dërhem më ka dhënë 10 dërhemë, për 6 dërhemë kam marrë 60 dërhemë.“ „Ne nuk do të hamë nga kjo pasuri derisa t’ia paraqesim rastin të Dërguarit të Allahut (savs)“, tha h. Fatimja.

Dhe të dy shkuan te Pejgamberi (savs) dhe ia tregoi ngjarjen. Pejgamberi (savs), buzëqeshi. dhe tha: “Gëzohu o Ali, se ti ke bërë tregti me Allahun, dhe Ai të bëri që të fitosh. Shitësi ishte (meleku) Xhibrili, blerësi ishte (meleku) Mikaili kurse deveja ishte kafsha për kalërim e Fatimes në Xhenet.”

Se sa fitimprurëse është tregtia me Allahun, ishte, gjithashtu, i vetëdijshëm edhe Abdurrahman ibn Avfi, njeriu më i pasur në këtë botë.

Thuhet se ai dinte të shpërndante edhe të gjithë pasurinë e tij për të varfërit dhe për nevojat e Islamit. Sa më shumë që ndante, aq më shumë Allahu i jepte. Në një rast, Abdurrahmani kishte sjellë 200 okë flori, nëse do të shndërroheshin në kilogramë, do të ishin rreth 230 kilogramë flori, për t’i dhënë për bamirësi. Omer ibn Hatabi e kundërshtoi këtë veprim, sepse Abdurrahmani nuk i kishte lënë asgjë familjes së tij. Në pyetjen e Pejgamberit (savs), nëse i kishte lënë diçka familjes së tij, Adurrahmani ishte përgjigjur, se familjes i kishte lënë më mirë dhe më shumë sesa që kishte marrë.“ Pejgamberi (savs), e pyeti: “Si është kjo?” Ai u përgjigj: “Ua lashë atyre nafakën mirësinë dhe shpërblimin që e premton  Allahu i Madhëruar dhe Pejgamberi i Tij!”

Subhanallah! Shikoni se çfarë besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij!

A do të ishte dikush prej nesh këtu për diçka të tillë? Me siguri jo. Pse? Sepse ne nuk e ndërtuam besimin tonë, bindjen tonë në Allahun ashtu siç vepruan sahabët dhe brezi i parë i muslimanëve.

Ne jemi besimtarë. Ne besojmë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, por kur Allahu na thotë: “Çfarëdo që të jepni, Ai do ta kompensojë atë”, ne përsëri kalkulojmë dhe përpiqemi që të japim sa më pak, sepse kemi frikë se mos na pakësohet pasuria!

Ne jemi besimtarë, por kur na thotë Pejgamberi (savs) se suneti i sabahut, për të mos thënë farzi, edhe në xhami me xhemat, është më i vlefshëm se çdo gjë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ne nuk falemi as në shtëpi, e lëre më të vijmë në xhami, sepse shejtani na thotë: Hajt fli edhe pak, hajt bëje këtë, hajt bëje atë, ka kohë, do të falesh. Ndërsa, nëse dikush do të na thoshte se nesër në sabah do të shpërndahen nga 100 apo nga 1000 €, që nuk është asgjë në krahasim me atë që na premton Pejgamberi (a.s.), nuk do të mund të futeshim të gjithë në oborr (harem), e lëre më në xhami, sa shumë prej nesh do të shkonim.

Të dashur vëllezër!

Pejgamberi (savs), për 13 vjet vetëm ua ka përsëritur shokëve të tij: Vetëm Allahu është Zot dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Pejgamberi (savs), për 13 vjet ua ka përsëritur shokëve të tij: Besoni në një Zot, besoni në Librat e Tij, besoni në të dërguarit e Tij, besoni se do të vijë Dita e Gjykimit, ku do të shpërbleheni ose do të ndëshkoheni për veprat tuaja…

Pejgamberi (savs), për 13 vjet ua ka përsëritur shokëve të tij: Se para së gjithash duhet të jenë njerëz, që t’u dëshirojnë të tjerëve atë që dëshirojnë për veten e tyre… dhe vetëm pas 13 vjetësh, kur ata me të vërtetë e besuan këtë, kur u bindën se edhe të mirat edhe e keqjat që na godasin janë nga Allahu, kur u bindën se Allahu është Ai që jep, por edhe merr, ata ishin të gatshëm për tregti të vërtetë me Allahun.

Të dashur vëllezër!

I bëj thirrje vetes sime edhe juve, që të përpiqemi të ulemi me vetveten, të paktën 10-15 minuta në ditë, dhe të mendojmë për besimin tonë, të mendojmë pse jemi ne besimtarë? A jemi besimtarë vetëm sepse kemi lindur të tillë, apo pse kemi trashëguar besimin, apo e kemi ndier me shpirt dhe e kemi kuptuar me mendje?

Kur ta ndiejmë besimin në zemrat tona, dhe jo ta trashëgojmë atë, atëherë do të jemi të gatshëm për tregti të vërtetë me Allahun, ashtu siç ishin të gatshëm sahabët. Kur ta kuptojmë besimin me arsyen tonë, dhe jo “ku shkojnë të gjithë aty po shkoj edhe unë“, atëherë do ta dimë se atë që e japim, në fakt ia japim vetvetes, e jo hoxhës, këshillit të xhematit, Bashkësisë islame, fqinjit etj.

Le të mendojmë!!!

I lutem Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëjë prej atyre që kanë pasur sukses si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini