Sa më të mëdhenj të jenë sytë, gjoksi është më i ngushtë

341

Karuni kurrë nuk e ka ditur se kartela e kreditit në xhepat tonë do t’i zëvendësojë çelësat e pasurisë së tij, të cilët as burrat më të fuqishëm nuk kanë mundur t’i bartnin.

Kisrai persian nuk e ka ditur kurrë se kolltukët në dhomat tona të ndejës do të jenë shumë më të rehatshme sesa froni i tij mbretëror.

Cezari romak, të cilin skllevërit e freskonin me pendët e strucit, nuk ka përjetuar që të shohë kondicionerët në çdo dhomë të shtëpive tona.

Herakliu romak, i cili pinte ujë të ftohtë nga një enë e veçantë, derisa të gjithë të tjerët e shikonin me zili, kurrë nuk ka pi nga aparatet tona të ftohjes së ujit.

Halifi Mensur, skllevërit e të cilit e përzienin ujin e ftohtë me ujë të ngrohtë për ta fituar temperaturën e përsosur, derisa atij i dukej se është në krye të botës, nuk i ka përjetuar gypat tona për ujë të ftohtë e të nxehtë dhe xhakuzi.

Udhëtimi për në haxhillëk dikur bënte që njerëzit të kalonin me muaj të tërë në shpinë të devesë, kurse tani ai udhëtim zgjat vetëm disa orë në avion me ajër të kondicionuar.

Ne jemi duke jetuar një jetë çfarë edhe mbretërit më të mëdhenj vetëm e kanë ëndërruar, ndërsa shumë prej nesh ankohen se janë të rrezikuar.

Sa më të mëdhenj të jenë sytë, gjoksi është më i ngushtë.

Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm nga mëshira e Tij, na ka thënë:

 “Mos lakmo në begatitë e llojllojshme që ua kemi dhuruar Ne atyre (mohuesve), duke qenë ato stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë në sprovë ata, e furnizimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i amshueshëm.” (Taha, 131)

Përkthim: Miftar Ajdini