Dallimi midis fituesit dhe humbësit!

1119

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Dallimi midis fituesit dhe humbësit!

Ajo që e dallon besimtarin nga jobesimtari, ajo që e dallon fituesit nga humbësi, ajo që e dallon fatlumin prej fatkeqit, është besimi i sinqertë në Allahun e Plotfuqishëm, kryerja e veprave të mira dhe largimi nga të gjitha ato me çka Allahu nuk është i kënaqur.

Allahu i Plotfuqishë në suren el-Asr thotë:

“Betohem në kohë, – me të vërtetë, njeriu është në humbje,- përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhrave të Allahut).”

Vëllezër të nderuar!

Siç mund të shohim nga kjo sure musliman – fitues – njeri me fat është ai i cili në çdo situatë tenton që të bëjë sa më shumë të mira, e sa më pak të këqija, sepse është i vetëdijshëm se çdo gjë që e bën, qoftë mirë apo keq, qoftë publikisht ose fshehurazi, të gjitha Allahu i sheh dhe i regjistron, dhe për të gjitha do të pyetemi dhe do të jemi përgjegjës, ose do të shpërblehemi ose do të ndëshkohemi. Ndëshkimi do të jetë vetëm aq sa e meritojmë, asnjë grimcë më pak e as më shumë, mirëpo kur bëhet fjalë për shpërblimin, ai për çdo vepër të mirë do të jetë dhjetëfish.

Pejgamberi savs thotë: “Me të vërtetë Allahu i ka shkruar veprat e mira dhe veprat e këqija.” Pastaj këtë e ka shpjeguar: “Kush dëshiron ta bëj një vepër të mirë por nuk e bën, Allahu do t’ia shkruaj si vepër të mirë të plotë. Por nëse e dëshiron dhe e bën, Allahu do t’ia shkruaj 10 vepra të mira, deri në 700, madje edhe më shumë. Ndërkaq, nëse dikush dëshiron ta bëj një vepër të keqe, por nuk e bën, Allahu do t’ia shkruaj si vepër të mirë të plotë, por nëse e dëshiron dhe e bën, Allahu do t’ia shkruaj si një vepër të keqe.”

Vëllezër të dashur!

Shikoni se çfarë është mëshira dhe mirësia e Allahut ndaj nesh. Allahu na e rrit pagën prej 1.000 deri në 70.000%, e edhe më shumë, dhe ne përsëri kemi fytyrë të jemi të pabindur, nuk falemi, nuk agjërojmë, nuk vijmë rregullisht në xhami, përdorim alkool, luajmë bixhoz, dhe në fund të gjitha këtyre, ka edhe të atillë që këtë Bamirës e fyejnë.

Vëllezër, unë ju pyes juve a do të kishit qenë kështu të pabindur, a do ta fyeni, pronarin i cili në ndërmarrje ua rrit pagën vetëm për 10%? Sigurisht që jo. Pse atëherë e fyejmë Allahun e Plotfuqishëm dhe i nënçmojmë ato që Ai na ka urdhëruar?

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Adhuroni Allahun, mos i bëni asnjë send shoq Atij; bëni mirësi prindërve, të afërmeve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve të afërt dhe fqinjëve të largët, dhe atij që e ke pranë dhe udhëtarit (që ka mbetur ngushtë) dhe atyre që janë nën pushtetin tënd (robërit). Se Allahu, me të vërtetë, nuk i do ata, të cilët krenohen dhe lavdërohen.” (en-Nisa, 36)

Ndërsa Pejgamberi savs thotë: “Nuk ka asnjë njeri, që nuk është i detyruar të ndaj sadaka çdo ditë që lind dielli!” Sahabët e pyetën: ‘Ku kemi ne aq mundësi për të ndarë sadaka, o i Dërguari i Allahut?’ Ai tha: “Me të vërtetë aspektet e veprave të mira (bamirësi, sadaka) janë të shumta: shqiptimi subhanallah, elhamdulil-lah, Allahu ekber, la ilahe il-lallah, urdhëresa për të mirë, largimi nga e keqja, evitimi nga rruga e asaj që i shqetëson kalimtarët, personit të shurdhër t’i tregosh atë që nuk e ka dëgjuar, të verbrin ta udhëheqësh, të dobëtin ta ndihmosh, të gjitha këto janë lloje të sadakasës (bamirësisë) të cilat mund t’i bëni për veten tuaj.”

Vëllezër të dashur!

Të gjitha këto, por edhe shumë të tjera të ngjashme, janë sadaka, janë vepra bamirësie. Prandaj, mos t’i lejojmë vetes ta nënvlerësojmë asnjë vepër të mirë, sepse edhe shpërblimi më i vogël, siç është takimi i vëllait me buzëqeshje në fytyrë, ose largimi i një therre nga rruga, mund të jetë shkak i hyrjes tonë në xhenet.

Mos të harrojmë se nuk është e njëjtë të dalim para Allahut me një ose pa asnjë vepër të mirë, siç nuk është e njëjtë të dalim me 9 apo10 vepra të mira.

Sa është e vlefshme bamirësia ndaj vëllait musliman, sa është e vlefshme një vepër e mirë, por edhe sa është humbje për njeriun, kur na mungon një vepër e mirë, më së miri do të na tregojë transmetimi vijues.

“Thuhet se kishin qenë dy shokë të pandashëm të cilët kishin ardhur para Allahut që t’ua bëjë llogaritë. Pas shlyerjes së llogarive, njërit nga shokët iu përcaktua që të shkojë në Xhehenem, sepse e kishte vetëm një vepër të mirë, kurse tjetrit i mungonte vetëm pak për të shkuar në Xhenet, i mungonte vetëm një vepër e mirë, andaj edhe atë Allahu e caktoi për Xhehenem. Kur u takuan dhe filluan të pyesin njëri-tjetrin për atë se çka u ndodhi para Allahut të Madhërishëm, ai me një vepër të mirë, tha: ‘O shoku im, për mua nuk ka shpresë, unë po shkoj në Xhehenem.’ ‘Pse?’ – e pyeti ky tjetri. Ai i tha: ‘Sepse unë kam vetëm një vepër të mirë. Po çka është puna jote?’ Ky tjetri u përgjigj: ‘Edhe unë do të shkoj me ty në Xhehenem.’ ‘Pse?’ e pyet ai. Ai u përgjigj: ‘Unë kam shumë vepra të mira, por më mungon vetëm një vepër e mirë për të hyrë në Xhenet!’

Ky që kishte vetëm një vepër të mirë, kur e dëgjoi shokun e tij, tha: ‘Pasha Allahun, me lejen e Tij, unë po ta fali ty këtë veprën time të mirë, që ti të shkosh në Xhenet, sepse unë edhe ashtu do të shkoj në Xhehenem!’

Kur e dëgjoi këtë bisedë Allahu i Madhërishëm i thirri të dy dhe ju tha: ‘O robërit e Mi (ju dy shokët), për çka jeni duke biseduar?’ Ai me një vepër të mirë tha: ‘O Allahu i Madhërishëm, unë e kam situatën e keqe, sepse e kam vetëm një vepër të mirë. Unë jam për Xhehenem, dhe Ti ke vendosur drejtë!’ Allahu e pyeti: ‘Po si është situata me shokun tënd (edhe pse Allahu e di)?’ Ai tha: ‘Atij i mungon vetëm një vepër e mirë për të hyrë në Xhenet, dhe unë me lejen Tënde po ia dhuroj atij!’

Pas kësaj Allahu i Madhërishëm tha: ‘O robërit e mi, kush ka thënë se ju jeni më të mëshirshëm se Unë? Unë jam më i mëshirshmi. Unë tani të fala ty, andaj merre shokun tënd dhe shkoni në Xhenet!’”

Subhanallah! Shikoni vëllezër, sa është mëshira e Allahut. Shikoni, çka do të thotë, të kesh një vepër të mirë, dhe çka do të thotë kur të mungon një vepër e mirë. Prandaj, ta shfrytëzojmë çdo moment për ta bërë atë vepër të mirë.

Nëse tash e largojmë një grimcë para vetes nga dyshemeja e xhamisë do ta fitojmë një vepër të mirë. Dikush mund të thotë: Pse unë të pastroj kurse tjetri të merr pagë. Të punojmë për vete e mos t’i shikojmë të tjerët.

Pejgamberi savs thotë: “Heqja e mbeturinave (apo pastrimi) i xhamisë është mehr (shpërblim martese) për hyritë.’ A ka shpërblim më të mirë se sa hyritë e Xhenetit?

Allahu i Madhërishëm thotë: “Ndihmoni njëri-tjetrit në bamirësi dhe në devotshmëri, dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi! Dhe kini frikë Allahun! Se, Allahu, dënon ashpër.” (el-Maide, 2)

Vëllezër, a kemi menduar ndonjëherë, pse Allahu në këtë ajet thotë: “Ndihmoni njëri-tjetrit në bamirësi dhe në devotshmëri, dhe jo vetëm ndihmoni njëri-tjetrit në bamirësi?

Sepse çdo njeri e ka definicionin e veçantë të bamirësisë. Për alkoolistin nuk ka bamirësi më të madhe se dhurimi i një shishe alkool, për të droguarin nuk ka bamirësi më të madhe se dhurimi i një sasie të drogës, për bixhozxhiun bamirësi është dhurimi i një tikete për bixhoz, etj. Për shkak të mendimeve të tilla e të ngjashme, Allahu i Madhërishëm thotë ‘ndihmoni njëri-tjetrit në bamirësi dhe devotshmëri, sepse bamirësia e mirëfilltë është vetëm ajo vepër që na çon në kënaqësinë e Allahut, e cila na çon në Xhenet.

Pejgamberi savs ka thënë: “Ndihmoje vëllain tënd qoftë ai shtypës apo i shtypur!” Një njeri e pyeti: O i Dërguari i Allahut, unë do ta ndihmojë kur është i shtypur, por si ta ndihmoj kur është shtypës? Pejgamberi savs i përgjigjet: “E pengon nga zullumi (nga padrejtësia, mëkati), në këtë mënyrë e ke ndihmuar!”

Vëllezër të dashur!

Duke e pasur parasysh këtë hadith, ne mund të konkludojmë se duke folur kundër bixhozxhiut, të droguarit, hajdutit, zinaqarit, etj. ne flasim për ta, e jo kundër tyre. Sepse vetëm nëse i pengojmë që mos t’i bëjnë këto mëkate – në bazë të hadithit – atëherë ne ju kemi bërë mirë, ju kemi ndihmuar, përndryshe i kemi lënë në grykën e së keqes, nuk i kemi penguar!

Mirëpo, unë këtu në xhami mund të flas çdo javë, se si është turp dhe mëkat droga, bixhozi, uzurpimi i rrugëve, hedhja e mbeturinave gjithandej etj. Unë mund të flas kundër të keqes dhe të angazhohem për të mirën, por nuk mjafton vetëm kjo. Sepse duhet të gjithë të angazhohemi që këto këshilla e mësime t’i jetësojmë. Siç thotë një proverb: Për të mirën duhet luftuar si ushtar, por një ushtar nuk mund ta fitojë luftën!

I lutem Allahut të Plotfuqishëm të na forcojë në rrugën e mirësisë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini