Dëlirësia dhe ndershmëria janë zbukurimi më i mirë e grave

346

Çfarë tregimi, O Zot!!!

Dëlirësia dhe ndershmëria janë zbukurimi më i mirë e grave

Tregohet se një mbret kishte dalë në ballkon të pallatit të tij për të pushuar në qetësi nga obligimet dhe detyrat e tij të përditshme. Duke shikuar përreth, në ballkonin e shtëpisë që ishte përballë pallatit të tij, e pa një grua, bukuria e së cilës në shikim të parë e mahniti. Pasi pushoi pak, doli nga pallati dhe e pyeti një nga fqinjët e gruas, se a është e martuar, dhe nëse po, gruaja e kujt ishte. I thanë se është gruaja e një njeriu që punon në shërbimin mbretëror, i cili quhej Fejruz.

I magjepsur nga bukuria e kësaj gruaje, mbreti vendosi ta përvetësonte atë. Për këtë qëllim, e ftoi Fejruzin dhe e urdhëroi që urgjentisht ta dërgonte një letër nga mbreti te guvernatori i një province, dhe pastaj të kthehej me përgjigje nga ai. Fejruzi e mori letrën dhe para se të nisej u kthye në shtëpinë e tij. Kur shkoi për të fjetur, letrën e vuri nën kokën e tij. Të nesërmen, sapo u gdhi mëngjesi, u përshëndet me gruan e tij dhe u nis për rrugë, pa menduar fare se çfarë mund të fshihej prapa këtij udhëtimi.

Kur mbreti u bind se Fejruzi kishte shkuar, ai pa u hetuar u gjend para derës së shtëpisë së tij dhe trokiti në derë. Pasiqë në pyetjen e gruas së Fejruzit u prezantua si mbret, ajo nxitoi për t’ia hapur derën.

Kur ai u ul, ajo e pyeti: “Çka është ajo që mbretin e solli në shtëpinë time?”

Mbreti u përgjigj: “Unë kam ardhur për vizitë.”

Në këtë gruaja i tha: “Unë i lutem Zotit që të më mbrojë nga kjo vizitë, sepse në të, siç duket, nuk ka asgjë të mirë!”

Fjalët e saj e zemëruan mbretin, andaj i tha asaj: “E mjera ti, për çka po flet?! Unë jam sundimtari juaj dhe burri yt punon në shërbimin tim. Po sillesh sikur nuk po më njeh!“

Gruaja nuk u shqetësua aspak, por në një zë të qetë dhe dinjitoz i tha: “Unë po të njoh ty mirë, por për shkak të kësaj vizite, në mendjen time më erdhën këto fjalët e poetit:

Thuaj atij që tek ne e ka sjellë pasioni dhe lakmia,

atij mashtruesi i cili nuk ka ardhur me qëllime të mira,

pasha Zotin, nuk kemi dëgjuar të thotë dikush:

“Luani e hëngri atë që ka mbetur pas ujkut!”

I dashuri mbreti ynë, nëse vërtet do, atëherë shko deri te ena nga e cila pi ujë qeni yt, dhe prej saj ngopu duke pirë!“

Mbreti u turpërua nga këto fjalë dhe u ndie aq i turpëruar sa që harroi t’i mbathë këpucët.

Ndërsa sa i përket Fejruzit, ai diku kah gjysma e rrugës, duke e prekur xhepin e tij, kuptoi se kishte harruar ta merrte letrën, andaj me ngut u kthye në shtëpi për ta marrë. Mirëpo, kur erdhi para shtëpisë së tij dhe para derës i pa këpucët e mbretit, u trondit dhe u dërmua nga pikëllimi dhe dhimbja. Vetëm atëherë e zbuloi sekretin e dërgimit të tij në një provincë tjetër. Megjithatë, arriti të përmbahej e të durojë. Nuk deshi të paraqitej, vetëm hyri fshehurazi në dhomën e gjumit, e mori letrën dhe u kthye për ta kryer detyrën.

Pas kryerjes së detyrës, Fejruzi shkoi te mbreti dhe ia dorëzoi përgjigjen nga guvernatori, kurse mbreti e shpërbleu me 100 monedha ari. Me të arritur në shtëpinë e tij, Fejruzi monedhat ia dorëzoi gruas, kurse më pas i propozoi që të shkonin te prindërit e saj për vizitë, që edhe ata t’i gëzonin me lajmin e dhuratës bujare nga mbreti. Gruaja këtë propozim e pranoi me kënaqësi. Edhe familja e saj i pritën me gëzim dhe i gostitën bukur, kurse Fejruzi më pas u kthye në shtëpi duke e lënë gruan tek prindërit e saj. Ata menduan se do të kthehej shpejt, por ai me muaj nuk u lajmërua. Gruaja e tij u shqetësua, sepse ai kurrë nuk e kishte bërë një gjë të tillë, andaj e dërgoi vëllain e saj për të marrë vesh se çka është puna, dhe, pse burri i saj nuk erdhi pas saj. Vëllai i gruas, i revoltuar me sjelljen e tij, sapo hyri në shtëpinë e dhëndrit, i tha: “Ose do të më thuash pse ti je i zemëruar me gruan tënde, ose do të dalim në proces gjyqësor para gjykatësit mbretëror.”

Fejruzi iu përgjigj: “Unë nuk iki nga gjykimi, sepse ajo tek unë më nuk ka kurrfarë të drejte, dhe as unë nuk kam ndonjë detyrim ndaj saj”.

U caktua procesi gjyqësor në rezidencën mbretërore, në të cilin, përveç gjykatësit dhe palëve në kontest, prezantoi edhe vetë mbreti.

Pasi vëllai i gruas së Fejruzit erdhi në cilësinë e paditësit, i pari e mori fjalën duke thënë:

“Zoti i Lartësuar le ta forcojë mbretin tonë dhe gjykatësin tonë! Unë këtij njeriu ia kam dhënë një kopsht, i cili kishte rrethojë të mirë dhe mure të forta, kurse në kopsht ishte një burim uji i pijshëm dhe pemët ishin me fruta të shijshme. Mirëpo, ai i hëngri frytet, e shkatërroi burimin dhe e rrënoi rrethojën.“

Gjykatësi më pas u kthye kah Fejruzi dhe e pyeti nëse ishte e vërtetë, në çka ai u përgjigj:

„I nderuari gjykatës, kjo nuk është e vërtetë! Unë atij kopshtin ia kam kthyer në gjendje edhe më të mirë dhe më të bukur sesa kur e kam marrë!“

Gjykatësi përsëri iu drejtua paditësit: “A është e vërtetë ajo që po thotë i akuzuari?“

Ai u përgjigj: “Po, është e vërtetë, por problemi është në atë se ai nuk dëshiron të ma thotë arsyen se përse e ka kthyer kopshtin.“

Atëherë gjykatësi e pyeti Fejruzin për arsyen e kthimit të kopshtit, ku ai u përgjigj:

„I nderuari gjykatës, unë kopshtin nuk ia kam kthyer për shkak se nuk më pëlqen, apo pse unë nuk kam nevojë për të, por për shkak se një ditë kur erdha në kopsht, dhe i pashë në të gjurmët e luanit, u frikësova se do të më mbysë luani.“

Deri atëherë, mbreti i mbështetur në karrigen e tij, që në heshtje po i dëgjonte palët ndërgjyqëse, pas dëshmisë së fundit të Fejruzit, u ngrit dhe tha:

“O Fejruz, kthehu në shtëpinë tënde krejtësisht i sigurtë dhe i qetë! Është e vërtetë se luani ka hyrë në kopsht, por me asgjë nuk e ka dëmtuar kopshtin. Ai nuk e ka prek asnjë fletë, as nuk e ka marrë ndonjë fryt. Pasha Zotin, unë nuk kam parë kopsht më të mrekullueshëm se kopshti yt, as rrethojë dhe mure më të forta dhe më të mira me të cilat janë të mbrojtura frutat se sa ato!”

Pas kësaj, Fejruzi i lumtur dhe i kënaqur që ka një grua të ndershme dhe të sinqertë, e ktheu gruan e tij në shtëpi, kurse gjykatësi nuk e kuptoi fare esencën e procesit të tyre gjyqësor.

Përkthim: Miftar Ajdini