Detyrë e njeriut është që të punojë dhe të përpiqet, por jo me çdo kusht edhe të arrijë sukses
Një prind tregon: “Te djali im, Halidi, që nga fëmijëria e hershme, shkalla e suksesit në shkollë ishte 60 deri 70 për qind. Në klasën e 4 të shkollës fillore, fillova të ushtroja presion mbi të, që ai të ishte më i mirë dhe më i suksesshëm. Nëna e tij shumë herë e krahasonte me kolegët e tij, me vëllezërit dhe me kushërinjtë, të cilët ishin më të suksesshëm se ai, deri në atë masë, sa që ai u zhyt në një krizë mendore, filloi të fliste vetë më vete, qante në gjumë dhe ishte në një gjendje të rëndë depresioni.
Shkuam te psikiatri më i mirë dhe u ankuan për gjendjen e vështirë psikike të djalit tonë. Mjeku na dha një ilaç për forcimin e kujtesës, i cili më vonë ia shkaktoi formimin e ujit në tru.
Një ditë, ndjeva se do ta çonim djalin tonë Halidin deri në çmenduri. Ne dëshironim që ai ta realizonte ëndrrën tonë (jo të tijën), dhe të bëhej dijetar, por kjo ishte e njëjtë, sikur të kërkosh që kali të arrijë shpejtësi aq të madhe, sa që ta tejkalojë trenin. Ndjeva se djali im filloi të largohej nga unë, kështu që vendosa ta ndryshoja metodën time vdekjeprurëse në edukimin dhe arsimimin e tij.
Shkova që ta vizitojë në shkollë, dhe e luta mësuesin e Halidit, që t’u thotë fëmijëve se unë dua t’i them diçka të rëndësishme djalit tim para kolegëve të tij. Unë dola para nxënësve dhe e thirra djalin tim që të qëndronte pranë meje. E kapa për dore, dhe pastaj iu drejtova kolegëve të tij:
‘Dëgjoni, fëmijë! Ky është djali im dhe unë e dua shumë. Ai bën shumë përpjekje dhe shumë i përsërit mësimet e shkollës, por pa marrë parasysh se çfarë suksesi ka në shkollë, dashuria ime për të është e madhe dhe e papërshkrueshme. Prej sot, unë do ta zbatoj një rregull i cili thotë: “Detyrë e njeriut është që të punojë dhe të përpiqet, por jo me çdo kusht edhe të arrijë sukses!” Dhe ta dini, se nga sot, nëse ai përpiqet dhe bëhet më i miri, ose nëse pas përpjekjeve është mesatar, ai në çdo rast është djali im dhe dashuria ime e madhe. Unë dua ta shpreh keqardhjen time para jush, dhe t’i kërkojë falje djalit tim, Halidit, për metodat që kam përdorur me të.’
Pas kësaj e putha djalin tim në kokë, kurse lotët më rridhnin faqeve teposhtë, sikurse edhe djalit tim Halidit. Pastaj e përqafova, ndërsa të gjithë nxënësit na duartrokitën.
U ktheva në shtëpi i relaksuar dhe i kënaqur, ndërsa Halidi u kthye nga shkolla i lumtur si kurrë më parë.
Ai më tha: ‘Faleminderit, o baba, sot më ke bërë krenar! Shoku im më i mirë, më tha: ‘Dhashtë Zoti, që edhe babai im të jetë si i yti!’
Ditët po kalonin dhe erdhi koha e provimeve. Unë po e zbatoja rregullin e përmendur me djalin tim Halidin, dhe gjendja e tij mendore u përmirësua shpejt. Atij iu kthye gjumi i qetë, nuk fliste me vetveten dhe iu ndërpre urinimi i detyruar dhe i shpeshtë që e kishte më parë. Gjendja e Halidit u përmirësua, edhe shpirtrat tonë u qetësuan për këtë. Megjithëse mesatarja e Halidit në shkollë nuk u përmirësua, ne tani e pranojmë atë ashtu si është, sepse e kemi kuptuar se këto janë aftësitë dhe mundësitë e tij.”
Përkthim: Miftar Ajdini