Mbështetja e vërtetë në Allahun e Madhërishëm

1497

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq dhe, dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kiametit.

“O besimtarë! – kini frikë Allahun ashtu si duhet t’i frikësoheni dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë!” (Alu Imran, 102)

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme do ta ndaj me juve, një tregim – mbi fuqinë e vërtetë të mbështetjes në Allahun e Plotfuqishëm:

A jeni nervoz? Merrni frymë thellë, pastaj nxirrni frymën, qetësojeni zemrën tuaj dhe jini të qetë. Kthehuni një hap prapa dhe vlerësojeni objektivisht situatën. Kurrë nuk është aq keq sa mendoni ju. Bëjeni më të mirën që mundeni dhe mbështetuni në Allahun e Madhërishëm. Ai do t’ua tregojë rrugëdaljen dhe do t’u ndihmojë. Ai do t’u sjellë lehtësim prej nga nuk e keni shpresuar.

 “… e kush i frikësohet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij. Allahu, me të vërtetë, i zbaton deri në fund punët e Tij; Allahu, për çdo gjë ka caktuar afatin…” (et-Talak, 2-3)

Pikërisht, tregimi vijues (nga një rast i vërtetë) e lustron këtë që u theksua:

Jo shumë moti një musliman ishte në dilemë, ai i kishte dy zgjedhje, dhe që të dyja i shkaktonin vështirësi. Ishte menaxher i njërit prej hoteleve më të mëdha në Egjipt. Hoteleria në Egjipt është një nga më konkurrueset në botë, kështu që ky menaxher përpiqej gjithmonë që në hotelin e tij të ofronte shërbimin më të mirë të mundshëm. Ju kushtonte vëmendje edhe detajeve më të imëta, i vendoste prioritetet në buxhet, e mbikëqyrte stafin dhe personalisht kyçej në çdo problem. Ishte shumë i suksesshëm në punën e tij dhe, për këtë shumë e çmonin eprorët e tij.

Megjithatë, një pjesë e punës së tij shumë e shqetësonte dhe shumë turpërohej për të. Në çdo hotel të madh në Egjipt, shërbimi i alkoolit është i detyrueshëm, dhe ky detyrim e vriste nga brenda. Ai e dinte se shërbimi i alkoolit është haram. Allahu e ka ndaluar alkoolin, dhe paratë që vijnë prej tij janë haram, dhe kjo ishte pjesa e punës për të cilën ai ishte i shqetësuar, pa marrë parasysh se sa i suksesshëm që ishte.

Koha po kalonte, ndërsa ai po vazhdonte punën e tij në mënyrë perfekte, mirëpo kjo puna e blerjes dhe shërbimit të alkoolit po e vriste. Më në fund vendosi të shkonte te një dijetar i famshëm egjiptian dhe ta pyeste për këshillë. Pasi caktoi takim me të, ata u takuan dhe ai ia shpjegoi problemin e tij.

Dijetari pa hezitim i tha: “Duhet ta braktisësh atë punë!”

Kjo përgjigje nuk ishte e mjaftueshme, andaj ia shpjegoi dijetarit:

“Kjo është puna ime e vetme. Unë punoj në këtë veprimtari gjithë jetën time. Unë nuk di asgjë tjetër të punoj. Kam grua dhe fëmijë për të cilët duhet të kujdesem. Nuk mundem aq lehtë ta lë punën dhe të mbetëm i papunë dhe pa para si shumë të tjerë në Egjipt!”

Dijetari ju përgjigj: “A ke ardhur tek unë duke menduar se do të të japë leje për atë që Allahu e ka ndaluar? Lëshoje punën në emër të Allahut!”

Njeriu, duke mos ditur se çfarë të bëjë, tha: “Por unë kam familje të cilën duhet mbajtur. Unë jam burimi i tyre i vetëm i parave. Si do t’i ushqej fëmijët e mi? Nëse e lë punën, nuk do të jam në gjendje t’i përmbush as nevojat më themelore të jetës. Çfarë duhet të bëj?”

Dijetari ia kujtoi menaxherit ajetin e Kuranit: – “… e kush i frikësohet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij…”

Ai u kthye në hotelin e tij duke e ditur se duhet ta merr vendimin më të vështirë në jetën e tij. E dinte se nëse e mban atë punë, nuk do ta arrijë kënaqësinë e Allahut. Edhe pse kishte frikë për të ardhmen e tij, nuk ishte i gatshëm që ta humbas fenë e tij dhe ahiretin për shkak të punës, por edhe dridhej nga mendimi për rrezikun që e priste, e gjithashtu edhe ndiente frikë për të ardhmen e tij dhe të familjes së tij.

Derisa e bënte punën e tij ditore ai dukej krejt normal, por ishte i preokupuar me mendime. Pastaj e mori vendimin që të japë dorëheqje pa u penduar. Ishte i bindur se ky është vendimi i vetëm i drejtë. Duke besuar fortë dhe duke u mbështetur në Allahun, ai bëri lutje:

“O Allah, po mbështetem në Ty, dhe këtë unë po e bëj vetëm për Ty. Unë e di se Ti do të më gjesh rrugëdalje, prandaj të lutem më ndihmo!”

U nis drejt zyrës së tij, u ul pranë tavolinës dhe filloi ta shkruajë dorëheqjen e tij. Derisa po shkruante, i cingëroi telefoni. Ishte eprori i tij i cili e thirri për t’ia komunikuar lajmin. Menaxheri ishte tronditur dhe nuk po mund të besonte në atë që dëgjoi. Ata e informuan se ai është avancuar në detyrë dhe më nuk do të jetë përgjegjës për menaxhimin e këtij hoteli, por do ta menaxhojë një hotel tjetër në Medine, në qytetin e Pejgamberit savs, dhe atë, në afërsi të xhamisë së Pejgamberit savs.

Lutja e tij u pranua para se ai ta përfundonte shkrimin e dorëheqjes!!!

“Allahu askënd nuk e ngarkon përtej mundësive të veta. Është në dobi të tij e mira që e bën, kurse e keqja në dëm të tij. O Zoti ynë! Mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë, pa qëllim! Mos na ngarko barrën që ua ke ngarkuar atyre përpara nesh! O Zoti ynë mos na ngarko për detyrë atë për çka nuk kemi mundësi! Shlyej mëkatet tona dhe na fal, dhe kij mëshirë ndaj nesh! Ti je Zoti ynë, andaj na ndihmo kundër popullit mosbesimtar!” (el-Bekare, 286)

Robër të Allahut, Allahu na bekoftë me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi me ajetet dhe urtësitë e tij! Kërkoj falje nga Allahu për neve dhe për të gjithë besimtarët! Edhe ju kërkoni falje nga Ai dhe pendohuni tek Ai, sepse me të vërtet Ai është Falës, e pranon pendimin dhe është i Mëshirshëm. /Përkthim dhe përshtatje nga IslamBosna.ba/

Miftar Ajdini