Cili është mëkati më i madh pas shirkut?

1449

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Cili është mëkati më i madh pas shirkut?”

Transmetohet se një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (savs) dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, më udhëzo për një vepër, me të cilën, nëse e bëj, do të hyj në Xhenet!” I Dërguari i Allahut (savs) iu përgjigj: “Adhuroje Allahun dhe mos i bëj ortak, fale namazin, jepe zekatin dhe agjëroje ramazanin!” Meqë rast beduini tha:“Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, kësaj nuk do t’i shtoj asgjë!” Kur beduini u kthye, Pejgamberi (savs) tha: “Kush dëshiron që ta shohë një nga banorët e Xhenetit, le ta shikojë këtë njeri.”

Vëllezër të respektuar!

Të gjithë ne këtu, madje edhe ata nga fqinjët tanë që nuk kanë qenë kurrë këtu, themi se besojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi (savs) është rob dhe i dërguar i Tij.

Kurse tani, imagjinoni që dikush të na vijë me ofertën vijuese: “Nëse falni çdo ditë të muajit, të pesë namazet ditore, do ta keni rrogën prej 5000 €.” A ka ndonjë prej nesh që do ta refuzonte një ofertë të tillë? Sigurisht që jo, sepse kush do të ishte budalla ta refuzonte një gjë të tillë!

Por Allahu i Plotfuqishëm dhe Pejgamberi i Tij (savs), na japin një ofertë edhe më të mirë se kjo, në të cilën Pejgamberi (savs), i cili nuk flet sipas dëshirës së tij, thotë: “Dy rekate namaz sunet të sabahut janë më të vlefshëm se kjo botë (dynjaja) dhe çdo gjë në të!”

Vetëm dy rekate namaz sunet të sabahut!

Kurse tani, imagjinoni sa i vlefshëm është farzi apo sa e vlefshme është falja e të pesë namazeve ditore. Pastaj, ne që themi për vete se besojmë në Allahun e Plotfuqishëm dhe në Pejgamberin e Tij (savs) dhe mbetemi indiferentë ndaj kësaj oferte!

Pse? Si është e mundur që dikush që thotë se beson në Allahun e Plotfuqishëm dhe në Pejgamberin e Tij (savs), më parë ta pranojë ofertën prej 5000 €, sesa diçka që është më e mirë dhe më e vlefshme se e gjithë bota? Kjo është e mundur, sepse ne nuk besojmë siç duhet të besojmë! Është e mundur, sepse shehadeti ka kaluar vetëm nëpër gjuhën tonë, por nuk ka kaluar nëpër zemrën tonë!

Vëllezër të dashur!

Mosfalja e namazit është mëkati i dytë më i madh pas shirkut, apo të bërit ortak Allahut.

Imam Ibn Hazmi ka thënë: “Nuk ka mëkat më të madh pas shirkut se sa që njeriu ta lërë namazin, duke mos e falur atë derisa t’i kalojë koha.”

Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Ai që nuk e fal namazin është më i keq se vjedhësi, zinaqari dhe konsumuesi i alkoolit dhe drogës.”

Thuhet se një grua izraelite kishte shkuar te Musai (a.s.) dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam bërë një mëkat të madh, pastaj jam penduar sinqerisht dhe kam bërë tevbe tek Allahu i Madhëruar. Lute Allahun, që të ma falë mëkatin dhe të ma pranojë pendimin.” Musai (a.s.) e pyeti: “Çfarë mëkati ke bërë?” Ajo i tha: “Mua më joshi shejtani dhe bëra zina, pastaj e linda një fëmijë dhe e mbyta atë fëmijë!“ Musai (a.s.) me zemërim i tha: “Largohu prej nesh oj mëkatarë! A dëshiron që për shkakun tënd të zbresë zjarr nga qielli dhe të na djegë të gjithëve!” Gruaja doli nga Musai (a.s.) e zhgënjyer dhe i brengosur, kurse meleku Xhibril erdhi te Musai (a.s.) dhe i tha: “O Musa! Allahu i Plotfuqishëm të porosit që ta kthesh atë grua që pendohet sinqerisht dhe bën tevbe për mëkatin e bërë. A nuk e di ti se ka njerëz që janë edhe më të këqij se ajo, dhe veten e quajnë besimtarë?! Musai (a.s.), e pyeti: “E kush është më i keq se ajo?” Meleku Xhibril u përgjigj: “Ai që me vetëdije e lë namazin dhe nuk e falë fare, ai është më i keq se ajo!”

Vëllezër të respektuar!

– Mosfalja e namazit është vepra e parë që na çon në Xhehenem, sepse Allahu i Plotfuqishëm në suren el-Muddeththir, në ajetin 42 dhe 43, thotë: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz.“

– Mosfalja e namazit është një vepër që sipas një numri të madh të dijetarëve islamë të nxjerr nga feja, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Islami do të zhduket pjesë-pjesë. Sa herë që të humbet një pjesë, njerëzit do të kapen për tjetrën. Gjëja e parë që do të zhduket nga Islami është pushteti islam, kurse gjëja e fundit që do të mbetet nga feja është namazi.”

Gjithashtu ka thënë: „Besëlidhja mes nesh dhe atyre është namazi, kështu që kush e braktis atë bëhet jobesimtar.”

Vëllezër të dashur, tek ne ekziston një fjalë e urtë që thotë: “Kau lidhet për brirë, kurse njeriu lidhet për fjalë.”

Sa e mbajmë ne sot fjalën, sa e mbajmë premtimin që i kemi dhënë Allahut të Plotfuqishëm dhe Pejgamberit të Tij (savs) duke e shqiptuar shahadetin, ku ndër të tjera kemi premtuar edhe se do të falemi rregullisht! Kam frikë se do të të fillojnë të na dalin brirët!

Për këtë shkak, unë e përkujtoj së pari veten time, e pastaj edhe juve, që ta falim namazin tonë, sepse vërtet namazi është shtylla e besimit tonë, e veçanërisht që ta falim namazin që falet me xhemat, këtu në xhaminë tonë, sepse ai është më i vlefshëm të paktën 27 herë, nga namazi që e falim në shtëpinë tonë.

O Allah, na udhëzo në rrugën e drejtë.

Na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet tona!

Bëju i mëshirshëm ndaj nesh në Ditën e gjykimit dhe na vendos në Xhenet! Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini