Shejh Muhamed el-Gazali
Kur ish-presidenti francez, Fransoa Miteran, ndjeu se sëmundja po e ngulfatte dhe se vdekja i ishte afruar, pyeti i hutuar: “Çfarë do të ndodh pas vdekjes?”
Miterani, pra, nuk e kishte idenë se çfarë do të pasonte dhe çfarë e priste pas vdekjes. Ai e ndieu se po shkonte në të panjohurën pasi që i ishte prerë litari i jetës dhe kjo ndjenjë e përshkon njeriun bashkëkohor në Perëndim, qoftë intelektual dhe lider si Miterani, apo qoftë njeri i zakonshëm.
Sa i përket ndikimit të besimit në shpirtin e njeriut, ai ose mungon plotësisht ose është shumë i dobët për të mbushur boshllëkun e këtij shpirti që ka bërë një rrugë të gjatë drejt përparimit shkencor.
Një perëndimor mund të ketë dëgjuar diçka për ringjalljen dhe shpërblimin dhe ndëshkimin në botën e ardhshme, ai gjithashtu mund të ketë dëgjuar duke u folur edhe për Zotin dhe takimin me Të në Ditën e Gjykimit, por ai është i zhytur thellë në jetën e tij materiale dhe nuk e di se çfarë do të thotë e vërtetë namazi, agjërimi dhe ibadetet e tjera.
Ai i vëzhgon priftërinjtë me rroba të qëndisura dhe predikimet e tyre të thjeshta, pastaj largohet pa asnjë interes, sepse predikimet e tilla nuk ia nxitën mendimet as nuk e zgjojnë nga neglizhenca.
Gjendja e tij, si dhe gjendja e njerëzve si ai, përputhet plotësisht me përshkrimin kuranor: „Dhe, kur juve u thuhej: “Premtimi i Allahut është i vërtetë: Ora (e Kiametit) pa dyshim që do të vijë!” – ju thoshit: “Ne nuk e dimë ç’është Ora (e Kiametit). Ne mendojmë se është vetëm një hamendje, prandaj nuk jemi të bindur.” (el-Xhâthije, 32).
Vetëm Kurani fisnik mund ta tërheqë vëmendjen e një shpirti njerëzor të pastër dhe shumë inteligjent, kurse vetëm Shpallja e vërtetë mund ta shkundë atë nga themeli. Por ku është kjo Shpallja? Ajo fshihet nën hirin e relaksimit dhe reduktimit civilizues të muslimanëve dhe rënies së tyre katastrofike në nivelin e natyrës dhe arsyes së pastër njerëzore. Dhe nëse njerëzit që posedojnë Kuranin nuk e dinë atë Shpallje, atëherë si do ta dinë të tjerët?!
Fransoa Miterani është simbol ose model i një njeriu të krijuar nga qytetërimi modern dhe që në rastin e Bosnjës (gjatë agresionit kundër Bosnje-Hercegovinës), shfaqi urrejtje të hapur ndaj muslimanëve dhe ishte në anën e agresorit serb.
Ditën që ai vdiq, gruaja dhe dashnorja e tij u takuan te varri i tij, po ashtu edhe vajza e tij jashtëmartesore që atëherë ishte mbi njëzet vjeç. Traditat dhe zakonet që ai ndoqi e ndalojnë poligaminë, mirëpo ato e miratojnë inçestin dhe e lënë vajzën në kulmin e rinisë së saj pa prejardhje ligjore ekzistuese.
Sa i përket Islamit, i cili refuzon fenomene dhe kontradikta të tilla, ai (në Perëndim) është fe e refuzuar dhe pasuesit e tij konsiderohen të përbuzur dhe janë objekt i vazhdueshëm sulmi.
Presidenti francez Miteran takoi shumë muslimanë gjatë jetës së tij të gjatë dhe jam i sigurt se asnjëri prej tyre nuk i ka folur kurrë për Islamin.
Pse? Sepse ata muslimanë nuk janë të sigurt për atë që kanë, ose nuk e vlerësojnë atë. Kurse kompleksi i dobësisë ua imponon atyre heshtjen dhe mirësjelljen me të tjerët dhe me ata që janë të ndryshëm. Prandaj ata do të kërcënohen lehtësisht në atë fushë nga ndonjë prift ose kardinal i cili do t’i thotë Miteranit dhe të tjerëve: “Unë ju shfajësoj nga mëkatet tuaja”. Siç i ishte thënë edhe Kenedit, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Vërtet, para Allahut na pret një llogari e gjatë.
(Nga libri: El-Hakku el-murru – E vërteta e hidhur)
Përkthim: Miftar Ajdini