A keni biseduar sot me fëmijën tuaj?

1176

A keni pasur sot një bisedë kuptimplote me fëmijën tuaj? A e dini se çfarë ka arritur fëmija juaj sot, si ndihet ai ose ajo, nëse ka apo jo ndonjë shqetësim, a e di fëmija juaj që ju kujdeseni për të?!

Në Islam, lidhjet farefisnore dhe familjare janë shumë të forta dhe diçka që gjithmonë do të jetë e pranishme në jetën tonë. Pasojat janë të rënda për këdo që zgjedh t’i ndërpresë këto marrëdhënie. Allahu, Subhanehu i Teala, thotë në Kuran: “Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.” (Muhamed, 22-23) Muhammedi, salAllahu alejhis ue selem, tha: “Nuk do të hyjë në Xhennet ai që i shkëput lidhjet farefisnore.” (Buhariu dhe Muslimi).

Komponenti kryesor i lidhjeve tona familjare është komunikimi. Në fakt, pa komunikim, do të kishte shumë pak lidhje mes njerëzve. Të jetosh së bashku në të njëjtën familje me ndërveprim të kufizuar, apo edhe armiqësor, nuk i plotëson kriteret për ruajtjen e detyrimeve farefisnore. Për të zhvilluar marrëdhënie domethënëse brenda familjeve tona, duhet ta dimë si të komunikojmë në mënyrë efektive dhe të ndershme me njëri-tjetrin. Pjesa më e madhe e kësaj përfshinë aftësi dhe parime që mund të mësohen përmes praktikës dhe përpjekjes së sinqertë. Më poshtë janë disa për forcimin e këtyre lidhjeve.

  1. Dëgjimi aktiv
    Ju mund të habiteni kur të kuptoni se të dëgjuarit është veprimi më i rëndësishëm i komunikimit efektiv. Kjo do të thotë që dëgjuesi i kushton vëmendje të plotë folësit dhe përpiqet ta kuptojë se çfarë i thotë apo ndjen ai person. Dëgjuesi duhet ta shmangë të gjykuarit dhe t’i kushtojë vëmendje asaj që i thuhet. Ai ose ajo mund ta përsërisë përmbajtjen dhe ndjenjat e personit që e dëgjon ashtu që t’ia bëj me dije se ai/ajo është vërtet i pranishëm në bisedë. I Dërguari, salAllahu alejhi ue sel-lem, gjithmonë ia kushtonte vëmendjen e plotë kujtdo që i fliste, madje edhe armiqve dhe atyre me të cilët nuk pajtohej. Kur ai iu drejtohej as’habëve, ata e dëgjonin me kujdes të veçantë dhe i kushtonin rëndësi çdo fjale që ai thoshte.
  2. Niveli i të kuptuarit
    Prindërit duhet gjithmonë ta kenë parasysh moshën dhe nivelin e të kuptuarit të fëmijëve të tyre, dhe t’u flasin në përputhje me ta. Profeti salAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Bisedoni me njerëzit në nivelin e tyre të kuptimit…” Kjo është e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë fëmija do të jetë në gjendje ta kuptojë atë që i thoni. Kështu pritjet e prindërve nuk do të jenë mbi aftësinë e fëmijës gjë që shpie në probleme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për çështje të ndjeshme si vdekja, çështjet e modestisë personale dhe përgjegjësitë e të rriturve. Ekzistojnë nivele të ndryshme të ndërlikueshmërisë, dhe për secilën nga to duhet të zgjidhet niveli i saktë për secilin fëmijë. Një mënyrë e përcaktimit të nivelit të kuptuarit të fëmijëve është sipas llojit të pyetjeve që fëmija i parashtron.
  3. Sjellja e besimtarit
    Besimtar është ai që e beson porosinë e Allahut dhe e ndjek Sunetin e të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem. Prandaj, ai në marrëdhënie me besimtarët duhet do të tregojë sinqeritet, mirësi, durim, vetëkontroll, drejtësi, besueshmëri, etj. dhe duhet t’i shmangë ngacmimet, gjykimet, përgënjeshtrimet, talljet, bisedat e gjata e të kota si dhe hulumtimin e gabimeve të tjerëve. Ka shumë ajete dhe hadithe kur’anore që japin përshkrime të hollësishme rreth kësaj teme, siç janë “…Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit!” (El-Bekare, 153); “…do t’u thoni fjalë të mira njerëzve…” (El-Bekare, 83.) “Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje…” (El Bekare, 263) “Besimtarët janë vëllezër dhe ai nuk do t’i bëjë padrejtësi dhe as nuk do ta tradhtojë atë” dhe “Gjëja më e rëndësishme për futjen e njerëzve në Xhenet është frikërespekti dhe sjellja e mirë.” (Tirmidhiu) Këto parime duhet zbatuar në biseda me fëmijë, adoleshentë si dhe me të rritur. Kjo është ndoshta edhe më e rëndësishme për të rinjtë sepse ne u japim atyre shembull të sjelljes. Çfarë dëshirojmë që të mësojnë fëmijët tanë?! Ne nuk duhet të presim mirësi dhe respekt nga ata nëse vetë nuk jemi të këndshëm dhe përplot respekt për ta.
  4. Shmangia e polemikës
    I Dërguari i i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush e shmang polemikën kur nuk është në të drejtë, do t’i ndërtohet shtëpi në një mëhallë në Xhennet, ndërsa kush e shmang polemikën kur është në të drejtë, do t’i ndërtohet shtëpi në vendet e përzgjedhura të Xhennetit.” (Tirmidhiu) Vlera e kësaj këshille qëndron në faktin se polemika dhe mosmarrëveshjet i shkatërrojnë marrëdhëniet. Kam vepruar me shumë familje ku ishte paraqitur ky ves, dhe ç’është më e keqja, nganjëherë shumë rëndë përmirësohen plagët që janë formuar. Prandaj është më së miri që ta shmangim nivelin e ulët të komunikimit.
    Le të punojmë në përmirësimin e mënyrës së komunikimit dhe marrëdhënien tonë me të tjerët. Atëherë kur fëmijët tanë do ta vlerësojnë se prindërit e tyre i kuptojnë dhe janë të gatshëm t’i dëgjojnë ata, ata do ta hapin zemrën e tyre dhe do të zhvillohet besimi dhe mirëkuptimi. Mësimdhënia dhe disiplina efektive nuk mund të zhvillohet pa një nivel të caktuar besimi, mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë. Nëse jeni të shqetësuar për fëmijët tuaj në një mjedis jomusliman, dhe kjo ndikon në mënyrën e komunikimit me ta, më e mira që mund të bëni është t’i mësoni dhe këshilloni ata, t’u caktoni përgjegjësi, t’u besoni dhe t’ua bëni me dije se ju kujdeseni për ta. Mandej e lusim Allahun e Madhëruar dhe i mbështetemi mëshirës dhe ndihmës së Tij. Kjo është arma jonë më e mirë. Allahu e ndihmoftë secilin prej nesh që t’i forcojë lidhjet familjare dhe të sjellim gëzim dhe kënaqësi në shtëpitë tona.

Këshilla praktike

Për çdo ditë ndani kohë të bisedoni me fëmijën tuaj. Nëse keni më tepër fëmijë, çdonjëri prej tyre duhet ta fitojë kohën e veçantë në kohëzgjatje të ngjashme.

Lexoni libra për Islamin me fëmijën tuaj, në lidhje me marrëdhëniet me të tjerët dhe histori për të Dërguarin e Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem dhe as’habët, radiallaahu anhum. Ata do t’ua japin udhëzimin dhe frymëzimin e nevojshëm.
Regjistroni një nga bisedat tuaja dhe vlerësojeni vetë, ose lejo që dikush tjetër ta dëgjojë dhe t’ju vlerësoj. Kjo është mënyra më efektive për t’i identifikuar dhe përmirësuar pikat tuaja të dobëta.

Merrni këshillat edhe nga prindërit e tjerë kur është e nevojshme, veçanërisht nga ata me më shumë përvojë. Kjo mund t’ua kursejë kohën dhe t’ju shmang nga vështirësitë e panevojshme.

Autore: Aisha Hamdan
Përktheu: Lutfi Muaremi