Macron: G7 kundër zhvillimit bërthamor të Iranit

848

Vendet anëtare të G7 kundërshtojnë një Iran me armë bërthamore, deklaroi të dielën presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Udhëheqësit e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së diskutuan të shtunën rreth Iranit, u tha Macron gazetarëve në ditën e dytë të samitit të G7 në qytetin francez Biarritz.

“Asnjë anëtar i G7 nuk dëshiron që Irani të bëhet me armë bërthamore dhe së dyti të gjithë anëtarët e G7 janë thellësisht të lidhur me stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha Macron.

Pavarësisht raporteve të fundit në media, Macron tha se ai nuk mori një “mandat zyrtar nga G7” për t’ia përcjellë mesazhet Teheranit.

Ai shtoi se do të vazhdojë të ketë bisedime me Iranin në javët e ardhshme për të ulur tensionet.

Para samitit të G7, shefi i diplomacisë iraniane, Zarif vizitoi Parisin, ku pati bisedime të ndara me Macron-in dhe homologun e tij francez Jean-Yves Le Drian. Marrëveshja bërthamore e Iranit ishte fokusi kryesor i vizitës.

Më vonë të dielën, presidenti i SHBA-së Donald Trump konfirmoi se G7 nuk i kishte dhënë Macron-it mandatin të fliste me Iranin në emër të grupit, duke thënë: “Jo, unë nuk kam diskutuar rreth kësaj”.

Trump gjithashtu tha se ai mbështet afrimin e kryeministrit japonez Shinzo Abe me Iranin.

“Ne do të bëjmë komunikimin tonë por ju nuk mund t’i ndaloni njerëzit të flasin. Nëse ata duan të flasin, ata mund të flasin”, shtoi ai.

– Diplomati i lartë i Iranit viziton Biarritz

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi njoftoi se Zarif ishte ftuar nga homologu i tij francez në Biarritz për të biseduar.

Mousavi tha në Twitter se nuk do të ketë bisedime midis Zarifit dhe Trumpit, apo ndonjë delegacioni amerikan.

Zarif u takua me presidentin francez jashtë samitit të G7 pas bisedimeve me Le Drian, pasuar me një brifing të përbashkët me Britaninë dhe Gjermaninë, tha diplomati i lartë iranian në Twitter.

Duke nënvizuar se diplomacia aktive e Iranit është në vijim të kërkimit të angazhimit konstruktiv, Zarif tha se: “Rruga që na pret është e vështirë por ia vlen të provosh”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha që udhëheqësit e G7 ranë dakord për të parandaluar armën bërthamore në pronësi të Iranit dhe shmangien e tensioneve në Gji.

Ajo u tha gazetarëve se Irani nuk duhet të bëhet me armë bërthamore dhe se “të gjithë duan ta arrijnë këtë përmes bisedimeve”.

Marrëveshja bërthamore e Iranit, e njohur edhe si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë dhe SHBA-së plus Gjermanisë.

Vitin e kaluar, megjithatë, Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja duke shtuar presionin ndaj Teheranit me rivendosjen e sanksioneve që synonin sektorin e energjisë dhe bankave të vendit.

Sipas marrëveshjes, fuqitë kryesore të botës premtuan heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Iranit në këmbim që Teherani të dakordohet për kufizimin e aktivitetit të tij bërthamor në qëllime paqësore dhe civile.

Në qershor, Irani kritikoi ashpër fuqitë botërore për mospërmbushjen e premtimeve të tyre dhe kërcënoi se do të braktisë pjesë të marrëveshjes.

(AA)