Mësimet e Endelusit

1101

Në historinë e gjithmbarshme të Islamit nuk ka faqe më të dhimbshme dhe më pikëlluese sesa ato të historisë së shtetit Islam në Endelus.

Vetëm në Endelus është shfarosur një popull i tërë musliman dhe është shkatërruar qytetërimi i lavdishëm islam, prej të cilit kanë mbetur vetëm rrënojat dhe kujtimet e shkruara në librat dhe studimet rreth Endelusit.

Edhe pse shteti islamik në Endelus ose në Spanjë është zhdukur disa shekuj më parë, kurse muslimanët janë vrarë dhe masakruar, tragjedia e Endelusit ende është gjallë në zemrën e çdo muslimani saherë që e kujton fatin e tij tragjik.

Shteti Islamik në Endelus ka jetuar tetë shekuj. Dhe nuk është e habitshme që është zhdukur shteti islamik në këtë vend të largët të izoluar nga pjesa tjetër e vendeve islamike, pas disa përçarjeve disa shekullore të cilat e kanë brejtur nga brenda, por është e habitshme që përkundër plagëve të përgjakshme, ka arritur të qëndrojë aq gjatë pranë armiqve të përjetshëm, të cilët me shekuj kanë përgjuar dhe e kanë pritur shansin e tyre.

Historia e Endelusit na e zbulon sekretin e zhdukjes së ngadaltë dhe graduale të këtij shteti islam. Në këtë studim të shkurtër, do të përpiqemi t’i paraqesim disa nga dobësitë kryesore, të cilat e kanë goditur shoqërinë muslimane në Endelus qysh nga formimi i saj, dhe të cilat me kalimin e kohës janë bërë sëmundje malinje, që e kanë bezdisur dhe i kanë minuar themelet e saj, derisa ia kanë shteruar fuqinë dhe e kanë shpjerë në humnerën e shkatërrimit dhe zhdukjes.

Pasiqë muslimanët e pushtuan Endelusin (Spanjën), banorët e Spanjës filluan të marrin frymë me ajrin e lirisë së vërtetë. Muslimanët ju caktuan tatime mbi bazën e drejtësisë dhe paanësisë, pasiqë njerëzve më parë ju kishin imponuar taksa në bazë të padrejtësisë, pasionit dhe lakmisë. Të gjithë qytetarëve ju garantua siguria në lidhje me jetën, lirinë dhe disponimin e pronës.

Për sa i përket fesë, lirisë së besimit dhe ndërgjegjes, politika islame ishte shembull i shkallës më të lartë të tolerancës, ashtu që askujt nuk i është bërë padrejtësi dhe zullum për shkak të fesë apo besimit, ndërsa xhizja u përcaktua për të a.q. banorët e mbrojtur të shtetit islamik (dhimij), të krishterët dhe çifutët në këmbim të mbrojtjes së plotë të të drejtave të tyre nga ana e shtetit islamik. Nëse dikush prej tyre e përqafonte Islamin, ai lirohej nga xhizja dhe bëhej i barabartë me muslimanët e tjerë me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.

Orientalisti holandez Reinhart Dozy (1820-1883), për pushtetin islamik në Spanjë, thotë: “Gjendja e të krishterëve nën sundimin islam ishte e atillë, që, ata nuk kishin ankesa ndaj sundimtarëve muslimanë për dallim nga ata më parë, sundimtarët e krishterë. Arabët ishin shumë tolerantë dhe askujt nuk i bënin padrejtësi dhe dhunë në bazë të përkatësisë fetare. Pushtimet arabe, në disa aspekte, ishin begati e vërtetë për Spanjën, sepse muslimanët e kryen një revolucion të rëndësishëm social dhe i çrrënjosen shumë sëmundje, të cilat me shekuj e patën shkatërruar vendin.”

Mirëpo, ky shtet i ri, të cilin Islami e dërgoi në Spanjë, e barti që nga fillimi farën e diferencës dhe rrezikut, ndërsa shoqëria e re, të cilën Islami e bashkoi dhe e mblodhi nën një flamur me të gjitha dallimet e tyre, ishte në shenjë të shpërthimit të dëshirave dhe tendencave të ndryshme, andaj u shkatërrua nga dallimet kombëtare dhe fisnore. Fiset arabe ende ballafaqoheshin me rivalët e tyre të vjetër të përjetshëm, kurse Berberët, të cilët e përbënin pjesën më të madhe të ushtrisë, i urrenin drejtuesit e tyre arabë, ndaj të cilëve dëshironin të hakmerreshin dhe t’ua rrëmbenin fuqinë dhe pushtetin, për çka shpesh u ngritën në kryengritje dhe revolucion.

Muslimanët e Spanjës, të njohur si el-muvel-lidun ose muslimanët e rinj, të cilët sapo e kishin pranuar Islamin, përkundër pranimit të Islamit, ata në kuptimin social ishin inferiorë në raport me arabët që ishin në pushtet në Endelus. Krejt kjo, për shkak se, pavarësisht nga fakti se Islami i barazoi të gjithë muslimanët në të drejta dhe detyra dhe i anuloi dallimet kombëtare, racore dhe klasore, arabët dyshuan në lojalitetin e muslimanëve të rinj dhe ua mohuan atyre pozitat e besueshme dhe të rëndësishme (në pushtet), sepse, në pjesët e vendit të cilat ata i fituan me shpatë, arabët nuk mundën të liroheshin nga krenaria dhe mburrja me kombin e tyre.

Megjithatë, për shoqërinë e re muslimane dhe shtetin e ri islamik në Endelus, më e rrezikshme ishte mosmarrëveshja mes vetë arabëve dhe kjo ishte njëri nga shkaqet kryesore të dezintegrimit dhe shpërbërjes. Paragjykimi fisnor dhe fanatizmi ende ishin gjallë, kurse gara për pushtet dhe për pozita mes udhëheqësve të fiseve dhe udhëheqësve ushtarakë i theu radhët muslimane dhe i shndërroi në parti dhe grupe, ndërsa xhelozia dhe zilia e bënë të veten në zemrat e pjesëtarëve të fiseve të ndryshme dhe degëve të tyre.

Berberët, të cilët morën pjesë në pushtimin e Endelusit, ishin faktor i vazhdueshëm në inkurajimin e këtij konflikti. Ky konflikt i dyfishtë: arabët mes vete, pastaj arabët dhe berberët, ishte një nga karakteristikat kryesore të shoqërisë endeluziane.

Këto mospajtime dhe konflikte i rrezikuan themelet e shoqërisë së re endeluziane dhe nuk kaluan as 40 vjet nga formimi i shtetit islamik në territorin e Endelusit, dhe Endelusi u bë vullkan i luftërave civile. Këto konflikte të brendshme zgjatën rreth një shekull e gjysmë, por valët e tyre të turbullta nuk e ndaluan formimin e shtetit të ri Emevit në territorin e Endelusit, në të cilin gjendja e paqes dhe konsolidimit gjithashtu zgjati vetëm një periudhë të shkurtër, nga halifi Nasir deri te halifi el-Mensur.

Megjithatë, përveç mospajtimeve të brendshme që e torturuan shoqërinë në Endelus, një tjetër rrezik e përgjonte dhe kërcënonte këtë shtet islamik, dhe ky ishte rreziku i Mbretërisë krishtere të Spanjës, e cila në fillim ishte e vogël dhe e parrezikshme, por që shumë shpejt u zhvillua, ashtu që me shpejtësi u bë konkurrent dhe rrezik real për shtetin islamik. Shteti islamik në Endelus nuk ishte i vetëdijshëm për këtë rrezik të drejtpërdrejt, sidomos derisa pushteti emevit ishte i fortë, por kur u rrëzua shteti emevit në Endelus, menjëherë “fituesit” filluan ta ndajnë Endelusin, dhe kështu u formuan shumë shtete të vogla, praktikisht qytete-shtete, të cilat garonin dhe e luftonin njëra-tjetrën, duke u përpjekur që njëra-tjetrës t’ia marrin territorin dhe pushtetin. Në këtë mënyrë, armiqtë e përjetshëm – të krishterët spanjollë – e pritën shansin e tyre, dhe filluan t’i nxisin shtetet e vogla muslimane kundër njëra-tjetrës, derisa krerët e këtyre shteteve të vogla u hodhën në krahët e të krishterëve, për të kërkuar ndihmë dhe për të bërë aleancë me ta kundër rivalëve të tyre muslimanë.

Pastaj një nga një, ngadalë por sigurt, shtetet e vogla muslimane ranë në duart e të krishterëve deri në rënien përfundimtare të shtetit të fundit musliman dhe fortesës së fundit në Endelus – Grënadës, e cila ra në vitin 1492, pas së cilës mbi muslimanët u kryen masakra të tmerrshme dhe gjenocid nga ana e autoriteteve mbretërore- inkuizitore të Spanjës.

Tragjedia e Endelusit ishte një mësim i madh dhe një leksion i përjetshëm për të gjithë botën muslimane. Por, sikur bota islame nuk ka marrë mësim dhe nuk e ka mësuar këtë leksion, sepse edhe sot, njëjtë si atëherë, përçarja dhe konfliktet e ndërsjella po i shqyejnë shoqëritë dhe shtetet muslimane, kurse Islami është bërë i poshtëruar në territorin e vet, dhe në të tani po valojnë, në vend të flamurit Islam, flamujt e pushtuesve perëndimorë – të krishterë dhe të tjerë.

Pra, bota islame kur do ta kuptojë rëndësinë dhe fuqinë e bashkimit?!

Burimi: Saff.ba

Perktheu: Miftar Ajdini