Gjashtë kushtet e imanit-besimit

6310

Islami në kupimin e tij të përgjithshëm do të thotë se njeriu duhet të adhurojë vetëm Allahun dhe të largohet nga idhujtaria. Ai do të thotë nënshtrim dhe bindje e plotë ndaj  urdhëresave të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Ai që i është dorëzuar Allahut e është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet tek Zoti i i tij. Ata nuk kanë frikë e as nuk mërziten.”[1] Në një ajet tjetër Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka fe më të mirë se ai që sinqerisht i është bindur Allahut dhe duke qenë bamirës ai ndjek fenë e drejtë të Ibrahimit?! Allahu e zgjodhi Ibrahimin të dashurin e tij më të ngushtë.”[2]

Islami, kuptimi i të cilit në përgjithësi do të thotë nënshtrim ndaj urdhëresave të Allahut, është një gjë, që Allahu i Lartësuar e kërkon nga të gjithë njerëzit për ta praktikuar atë, sepse Allahu i Lartësuar është Krijuesi i universit dhe të gjithë krijesave, duke përfshirë këtu edhe krijimin e njerëzve. Për këtë arsye vetëm Allahu i Lartësuar e meriton të adhurohet e askush tjetër përveç Tij nuk e meriton të adhurohet.

Këtë Islam e besuan Ademi (a.s), Nuhu (a.s) e të gjithë profetët me rradhë deri tek profeti i fundit Muhamedi (a.s). Besimi i tyre qe një i vetëm e i pandryshueshëm, megjithëse çdo profet zbatonte ligje të tjera nga ato të profetëve të tjerë. Ky ka qenë besimi edhe i pasuesve të profetëve, qysh me lindjen e racës njerëzore.

Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an për Ibrahimin: “Nuk largohet nga feja e Ibrahimit vetëm se ai njeri që ka poshtëruar veten e tij. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër ai është prej të mirëve. Përkujto kur Zoti i tha: Dorëzohu! Ai tha: I jam dorëzuar Zotit të gjithësisë.”[3]

Kur Ibrahimi a.s. bashkë me të birin Ismailin a.s ndërtuan qaben thanë: “Zoti ynë pranoje prej nesh, sepse Ti me të vërtetë dëgjon dhe je i Dijshëm. Zoti ynë, bëna që të dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje. Po ashtu edhe nga pasardhësit tanë bëji që të të binden. Na i mëso rregullaat e adhurimit dhe na fal. Ti fal shumë dhe je Mëshirues.”[4]

Për Tevratin (libri i shenjtë që i zbriti profetit Musa a.s.) Allahu thotë në Kur’an: “Ne e zbritën Tevrarin që në të kishte udhëzim dhe dritë. Sipas tij i gjykuan hebrenjtë profetët të cilit ishin të bindur.”[5]

Jakubi a.s. iu drejtua djemve të tij me këto fjalë: “A ishit dëshmitar kur Jakubit i erdhi vdekja?! Ai u tha djemve: Çfarë do të adhuroni pas vdekjes time? Ata thanë: Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e baballarëve të tu, Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut. Të vetmin Zot. Ne i jemi bindur vetëm Atij.”[6]

Jusufi a.s. e luti Allahun me këto fjalë: “Zoti im më ke dhënë sundim dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave. Ti je Krijuesi i qiejve dhe i tokës. Ti je Mbikqyrësi im në dynja dhe në botën tjetër. Më bëj që të vdes musliman dhe më bëj pauses të njerëzve të devotshëm.”[7]

Pra Islami është feja e të gjithë profetëve si dhe feja e të gjithë pasuesve të profetëve. Megjithëse feja e të parëve tanë ka qenë Islami, Allahu i Lartësuar e ka nderuar popullin e profetit Muhamed a.s. duke e quajtur “populli musliman”. Allahu thotë në Kur’an: “Luftoni me një luftë të denjë për hir të Allahut. Ai ju zgjodhi juve. Ai nuk ju ka bërë ndonjë vështirsi në fe, në fenë e babait tuaj Ibrahimit. Ai edhe më parë edhe Kur’ani gjithashtu ju quajti muslimanë. Për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush dhe për të qenë ju dëshmitarë ndaj njerëzve. Pra, faleni rregullisht namazin, jepni zeqatin. E ti lidhu me Allahun se Ai është përkrahësi juaj. Sa Mbrojtës i mirë dhe Përkrahës i madh që  është Ai.”[8]

Kuptimi i përgjithshëm i Islamit, mori përmasat e tij reale në popullin e profetit Muhamed a.s. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Ju ishit populli më i mirë që dolët ndër njerëz. Sepse ju urdhëronit për mirë dhe ndalonit nga e keqja dhe besonit tek Allahu.”[9]

Atëherë le të studiojmë së bashku besimin e këtij populli, i cili është ngritur në majat më të larta dhe që e ka merituar këtë përgëzim hyjnor, përgëzimin se ata janë populli më i mirë ndër njerëz:

Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: “Një ditë ishim ulur tek profeti a.s. kur papritur u shfaq një burrë me rroba shumë të bardha e me flokë shumë të zeza. Tek ai nuk shikoheshin gjurmët e udhëtimit. Asnjëri prej nesh nuk e njihte. Ai u afrua derisa u ul pranë profetit a.s. I mbështeti gjunjët mbi gjunjët e tij, i vendosi duart mbi kofshët e tij dhe tha:

– O Muhamed! çfarë është Islami?

– Islami është që ti të dëshmosh se s’ka zot tjetër përveç Allahut dhe të dëshmosh se Muhamedi është i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zeqatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të kryesh haxhin në qoftë se ke mundësi ta bësh – tha profeti.

– Të vërtetën the – tha ai.

U çuditëm nga thënia e tij. Si e pyet e pastaj ia saktëson përgjigjjen?!

Pastaj ai vazhdoi:

-Çfarë është besimi?

– Besimi është që të besosh Allahun, ëngjëjt, librat, të dërguarit e Tij, ditën e fundit dhe të besosh në caktimin e Zotit i mirë apo i keq qoftë ai – tha profeti.

– Të vërtetën the – tha ai, pastaj ai vazhdoi dhe pyeti:

– Çfarë është bamirësia?

– Ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë dhe në qoftë se ti nuk e shikon Atë, Ai të shkon ty – tha profeti.

– Kur është dita e Kijametit – pyeti ai.

– I pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet – tha profeti.

– Më trego për shenjat e saj? – pyeti ai.

– Kur robëresha të lindë zonjën e saj. Kur të shikosh këmbëzbathurit, të paveshurit dhe të varfërit të konkurojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta – tha profeti.

Pastaj ai u largua. Pasi kaloi një farë kohe, profeti a.s. më tha:

– O Omer! A e di se kush ishte ai që pyeti?

– Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë – u përgjigja.

– Ai ishte Xhibrili – tha profeti. Ai erdhi që t’ju mësonte fenë tuaj.”[10]

Nga hadithi i mësipërm arrijmë të kuptojmë se bazat e besimit Islam janë gjashtë:

1- Besimi tek Allahu. Që do të thotë: Besimi në ekzistencën, njëhsimin, hyjnitetin, atributet dhe emrat e Allahut.

2- Besimi tek engjëjt. Ky besim përfshin besimin në ekzistencën e tyre. Besimi se ata janë krijesa prej krijesave të Allahut. Besimi se ata e adhurojnë Allahun ditë e natë pa u lodhur. Nuk e kundërshtojnë urdhrin e Allahut. Kryejnë punët të cilat Allahu i Lartësuar ia ka obliguar,  si p.sh: zbresin shpalljen hyjnore tek profetët, regjistrojnë veprat e mira dhe të këqija, marrin shpirtrat e njerëzve si dhe kryejnë shumë punë të tjera.

3- Besimi tek librat qiellorë. Që do të thotë besimi tek të gjithë librat, që Allahu ia ka zbritur profetëve të Tij. Besimi se librat e zbritur përpara zbritjes së Kuranit kanë pësuar deformime dhe shtrembërime, përveç Kuranit i cili është ruajtur i paprekshëm nga shtrembërimet dhe deformimet. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne e zbritëm përkujtimin dhe Ne e ruajmë atë.”[11]

4- Besimi tek profetët e Allahut.  Ky besim përfshin se Allahu i Lartësuar dërgoi tek njerëzit profetë të shumtë për t’i drejtuar ata në rrugën e drejtë. Disa prej këtyre profetëve Allahu i ka treguar në Kuran e për disa të tjerë nuk ka folur. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne të shpallëm ty shpallje ashtu si u shpallëm Nuhut dhe profetëve që erdhën pas tij. Ne i shpallëm Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve të tij, Isait, Ejubit, Harunit dhe Sulejmanit. Daudit i shpallëm Zeburin. Për disa profetë të të kemi treguar dhe për disa të tjerë nuk të kemi treguar. E Allahu i foli Musait drejtpërdrejt.”[12] Të gjithë profetët, të cilët Allahu i dërgoi tek njerëzit, i dërgoi si përgëzues dhe qortues. I përgëzojnë njerëzit me xhenet, në qoftë se i binden urdhëresave të Allahut dhe të dërguarve të Tij. I qortojnë njerëzit, se në qoftë se ata i kundërshtojnë urdhrat e Allahut dhe të dërguarve të Tij, vendstrehim për ta është zjarri i xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ne dërguam profetë që ishin përgëzues dhe qortues. Kështu që njerëzit të mos kenë asnjë lloj arsye pas dërgimit të profetëve. Allahu është Ngadhënjimtari i Urti.”[13] Të gjithë profetët ishin të urdhëruar nga Allahu që t’i ftonin njerëzit në: “Adhurojeni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.”[14]

5- Besimi në ditën e Gjykimit. Që do të thotë: Besimi se njeriu pas vdekjes do të ringjallet, e pas ringjalljes  që të gjithë njerëzit do të grumbullohen në tokën e Mah’sherit e aty do të gjykohen për veprat e tyre. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Kush punon mirë qoftë edhe sa grimca e atomit, do ta gjejë atë të mirë. Dhe kush punon keq, qoftë edhe sa grimca e atomit, do ta gjejë atë të keqe.”[15] Gjithashtu në besimin e ditës së gjykimit përfshihet edhe besimi në xhenetin, që Allahu e ka përgatitur për besimtarët dhe besimi në xhehenemin, që Allahu e ka përgatitur për jobesimtarët.

6- Besimi në caktimin e Allahut. Që do të thotë se çdo gjë që i ndodh njeriut, e mirë apo e keqe është caktuar qysh përpara se t’i ndodhë. Gjithashtu ky besim përfshin edhe besimin në drejtësinë hyjnore.

Këto janë gjashtë kushtet e besimit Islam. Kushti i parë, i cili është më esenciali, ai i besimit tek Allahu, do të shtjellohet në temat e ardhshme. Po ashtu edhe kushtet e tjera do të shtjellohen në temat vijuese.

[1] . Suretu El Bekare: 112

[2] . Suretu En Nisa: 125

[3] . Suretu El Bekare: 130-131

[4] . Suretu El Bekare: 127-128

[5] . Suretu El Maide: 44

[6] . Suretu El Bekare: 133

[7] . Suretu Jusuf: 101

[8] . Suretu El Haxh: 78

[9] . Suretu Ali Imran: 110

[10] . Këtë hadith e transmeton imam Muslimi.

[11] . Suretu El Hixhr: 9

[12] . Suretu En Nisa: 164

[13] . Suretu En Nisa: 165

[14] . Suretu El A’arafë: 59

[15] . Suretu Ez Zelzele: 7-8