Azmir Jusufi (PHDc), Prizren
Kur’ani është bazë themelore e fesë, kulturës e qytetërimit islam dhe, si i tillë, është faktor themelor që bashkon Botën Islame në të gjitha fushat e jetës, andaj nuk është e rastësishme pse popuj të ndryshëm interesoheshin ta përkthenin në gjuhët e tyre.
Kur’ani deri më tani është përkthyer në mbi 100 gjuhë të ndryshme dhe krahas Biblës, Kur’ani është libri më i përkthyer në botë.
Ndërkohë që te popujt e tjerë të Evropës Kur’ani ishte përkthyer nga të krishterët, shumica e të cilëve ishin orientalistë specialistë për gjuhën e kulturën orientale në përgjithësi e atë arabe në veçanti, dhe përkthimit të Kur’anit i ishin qasur për çështje misionare dhe qëllime anti islame, Ilo Mitko Qafëzezi përkthimit të Kur’anit i hyri që t’ua ofronte atë vëllezërve të tij të gjakut, të cilët i përkisnin fesë islame.
Fjalët kyçe: Kur’ani Kerim, Përkthimi i Kur’anit, përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe, Ilo M. Qafëzezi, Miqo Lubibratiq
Hyrje
Kur’ani është Libër i Allahut xh.sh., i shpallur, nëpërmjet engjëllit Xhibril, të Dërguarit të fundit të Allahut xh.sh., Muhamedit a.s., si mëshirë dhe udhëzim për gjithë njerëzimin. Duke pasur parasysh këtë fakt, nga njëra anë dhe se myslimanët, të cilët janë të përhapur në të gjithë globin nuk e flasin të gjithë gjuhën arabe, por edhe njerëzit e tjerë, që duan të mësojnë mesazhet kur’anore, sigurisht që është një qëndrim i justifikuar dhe se ishte e nevojshme përkthimi i Kur’anit. Krahas kësaj citohet edhe rregulli i artë se, “Kur’ani nuk mund të përkthehet, por ai duhet të përkthehet.”
Kështu që, në këtë punim, në radhë të parë, do të bëhet fjalë për nevojën e përkthimit të Kur’anit, para së gjithash në gjuhën shqipe, kontaktet e para të popullsinë shqiptare me mesazhet e Shenjta të Kur’anit dhe përpjekjet e para të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe.
Shqiptarët kanë pasur kontakte me Kur’anin shumë herët, po ashtu edhe me vetë përhapjen e Islamit në këto troje, megjithatë, me përkthimet e Kur’anit kanë kontakte shumë më vonë.
Për shkak të arsyeve të njohura, Kur’ani nuk është përkthyer në gjuhën shqipe deri në fund të shek. XIX. dhe nga fillimi i shekullit XX. Hapat e parë në këtë rrugë kanë krijuar përkthyesit e disa pjesëve dhe të sureve nga Kur’ani, duke filluar nga Naim Frashëri (1846-1900), Ilo M. Qafëzezi (1882-1964), Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), Hafiz Ali Korça (1873-1956), etj.
Ky punim do të diskutojë rreth përkthyesit të parë të Kur’anit në gjuhën shqipe, Ilo M. Qafëzezi dhe ndërmarrjes së tij në fushën e përkthimit të Kur’anit në shqip.
Në fund të punimit, do të bëhet fjalë për disa krahasime ndërmjet përkthimit të Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi në gjuhën shqipe dhe Miqo Lubibratiq, i cili ishte po ashtu, përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën serbo-kroate.
Fillimet e përkthimit të Kur’anit te shqiptarët
Interesimi për përkthim, si dhe transferim të kuptimit nga një gjuhë në një tjetër, ka pasur që nga kohërat e lashta, në forma të ndryshme …[1] Për teorinë e përkthimit, deri në mesin e shekullit të XX-të, lirisht mund të thuhet se rezultoi me diskutimet e pafrytshme rreth tre llojeve të interpretimit: letrar (fjalë për fjalë), të lirë dhe të besueshëm.[2]
Edmond Tupja, rreth çështjes së aftësive dhe fillesave në përkthim, thotë: “Me sa di unë, një nga dëshmitë më të vjetra të veprimtarisë së përkthimit, sipas gjasës, është kthimi i Biblës (pjesa e Dhjatës së vjetër)[3] nga hebraishtja e lashtë në greqishten e vjetër. Kjo ka ndodhur në shekullin III dhe II para Jezu Krishtit (Isait a.s.), gjatë kohës së Ptolemeut të II të Filadelfias.”[4] Sot në botën e qytetëruar ekziston një shkencë e përkthimit që quhet “traduktologji”[5] (nga frëngjishtja – traductologie), themeluar nga Danica Seleskovitch dhe Marianne Lederer, në vitin 1957 në Paris.[6]
Prof. dr. Jusuf Ramiq, rreth përkthimit të “Librave të shenjtë”, thotë: “Përkthimi i Librave të shenjtë, është puna më e vështirë për të cilën hezituan edhe përkthyesit më të shquar. Ata hezituan për hir të asaj, që me përkthimet e tyre të mos lënë diçka që nuk duhet të lihet, e që kjo do të çonte në falsifikimin e tekstit të Librit të Shenjtë.”[7]
Sa i përket përkthimit të Kur’anit, kjo është një temë delikate dhe e rëndësishme, sepse jo vetëm që bart në mënyrën më të mirë të mundshme kuptimet, mrekullitë dhe konceptet kur’anore te myslimanët joarab, por është edhe e rrezikshme, sepse nëpërmjet përkthimit të gabuar dhe jo të saktë deformohet e vërteta kur’anore dhe njerëzit mund ta keqkuptojnë Islamin. Shumë njerëz e kanë pranuar Islamin të ndikuar nga leximi i përkthimeve të Kur’anit, shumë të tjerëve u është shtuar besimi dhe dituria rreth Islamit, duke medituar rreth kuptimeve të Kur’anit sipas përkthimeve të bëra në gjuhët e tyre, ndërsa disa të tjerë janë larguar nga e vërteta, si shkak i përkthimeve jo të duhura të citateve kur’anore. Shkaqet dhe arsyet e një përkthimi të gabuar janë të shumta. Ka mundësi që përkthyesi të jetë qëllimmirë, mirëpo nga ana tjetër mund të ndodhë që nuk njeh në mënyrë të shkëlqyer gjuhën arabe, ose gjuhën e tij amtare. Gjithashtu, ekziston mundësia, që përkthyesi të jetë edhe qëllimkeq, jo objektiv dhe jo i drejtë në bartjen e kuptimeve kur’anore.[8]
Kur’ani është libri më fisnik, më i lexuar dhe më i përkthyer në botë, fakt ky, i cili është i njohur për të gjithë ne, megjithatë në bazë të gjithë asaj që është përmendur, shqiptarët deri para pak kohësh nuk kishin një përkthim të kompletuar në duart e tyre.[9] Është e rëndësishme që në fillim të theksohen disa arsye pse shqiptarët janë vonuar në përkthimin e Kur’anit:
- Shqipëria në vitin 1967 u shpall shteti i parë ateist në botë,[10] kështu që u ndalua çfarëdo pune në fushën fetare;[11]
- Komunizmi – nuk ka asnjë dyshim se gjysmëshekulli i regjimit komunist në Shqipëri, e ka dëmtuar kryesisht çështjen fetare;[12]
- përkthimi i Kur’anit te shqiptarët ka qenë një temë tabu;[13]
- mungesa e traditës së përkthimit dhe qëndrimi se nuk duhet përkthyer Kur’ani;[14]
- mungesa e një alfabeti të përbashkët;
- mungesa e institucioneve profesionale (arsimore, shkencore dhe fetare) në trojet shqiptare për të zhvilluar aktivitetin e vetë në gjuhën shqipe, deri në kohën e ringjalljes kombëtare.[15]
Përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe daton nga mesi i viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Mund të duket e çuditshme, por e vërteta është se përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe ishte shqiptari ortodoks i krishterë nga Korça, Ilo Mitko Qafëzezi.[16]
Fakti që përkthyesi i parë i fjalës kur’anore në shqip nuk është një mysliman ka shpjegimin e vet. Sigurisht që mendimi jo i drejtë i disa klerikëve fanatikë, se fjala hyjnore mund të transmetohej vetëm në gjuhën e Pejgamberit, nuk ka ndikuar për mirë në këtë drejtim. Porse, siç dihet nuk kanë munguar edhe klerikët atdhetarë, të cilët u angazhuan vetë në drejtimin e punës për sigurimin e një përkthimi sa më të mirë të librit të shenjtë për besimtarët e tyre.[17]
Në kulmin e përpjekjeve rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe ballafaqohemi me dy dijetarë të njohur myslimanë dhe hafizë te shqiptarët në Shqipëri: Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu. I pari kishte botuar përkthimin e 37 ajeteve dhe dy sureve të Kur’anit në Shkodër në vitin 1926, kurse i dyti nga viti 1929 deri në vitin 1944, në tre vëllime botoi përkthimin e 7 sureve (El-Bekare-El-A’raf) me titull: “Ajka e kuptimeve të Kur’anit Qerimit”. Ky përkthim është shoqëruar me një koment nga autori. Përpjekje për përkthimin e Kur’anit janë bërë edhe nga Ali Asllani, Ferit Vokopola, Abdullah Zëmblaku, Beqir Maloku nga Gjakova, por me shërbim në Romë, Itali, Mehdi Frashëri, i cili sipas dëshmive të bijve të tij Vehbiut dhe Ragibit, kishte përkthyer Kur’anin, por nuk arriti ta botonte.[18]
Ndryshe nga Ilo Mitkë Qafëzezi specialistët e mirëfilltë si Hafiz Ali Korça e sidomos Hafiz Ibrahim Dalliu i kanë hyrë kësaj pune me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, të vetëdijshëm për vështirësitë, që do të ndeshnin në këtë rrugë.[19]
Kush ishte Ilo M. Qafëzezi?
Ilo Mitkë Qafëzezi (1882-1964). Gjurmues dhe studiues në fushën e kulturës dhe të historisë. Jetoi një kohë të gjatë në mërgim. Pasi u kthye më 1924 në atdhe, punoi si mësues. Përktheu, përshtati, përpunoi e hartoi në një gjuhë popullore vepra të ndryshme historike, letrare, folklorike etj. dhe broshura popullarizuese shkencore. Mund të përmendet “Historia e Ali Pashë Tepelenës”. Zhvilloi gjurmime sistematike për dokumente, shkrime, figura të historisë e të kulturës shqiptare të shek. XVIII, sidomos të qendrave si Voskopoja, Berati, Vithkuqi, Korça; zbuloi kopje të veprave dorëshkrime të Th. Kavaliotit etj. Hartoi studimin “Kontribut në historinë e arsimit dhe të kulturës në Shqipëri në shekujt XVII-XIX (1617-1902)”, që u botua (1926) bashkë me komedinë “Dhaskal Gjoka”. Hartoi një monografi të gjerë mbetur në dorëshkrim “Protopapë Theodhor Nastas Kavalioti, Skoliarku i Akademisë së Voskopojës 1748-1789”.[20]
Përkthimi i parë i pjesshëm i Kur’anit në gjuhën shqipe
Interesimi i masës së shqiptarëve për t’u njohur drejtpërsëdrejti me fjalën e shenjtë të Kur’anit ka qenë i hershëm. Po ashtu të kahershme kanë qenë edhe përpjekjet e mjaft intelektualëve myslimanë për ta mundësuar një gjë të tillë. Një ndërmarrjeje të tillë i pat hyrë edhe Shemsedin Sami Frashëri për ta përkthyer atë në gjuhën turke, por botimi i këtij përkthimi u ndalua nga qeveria osmane dhe pjesët e përkthyera u asgjësuan.[21]
Me sa dimë, deri tani, përkthimi i mirëfilltë i Kur’anit në shqipe zë fill në vitet ‘20 të shekullit të kaluar. Mund të duket si e çuditshme, por është e vërtetë se përkthyesi i parë i këtij libri të shenjtë, i njohur deri më sot, është një bashkatdhetar i yni i besimit të krishterë, ortodoks, e pikërisht atdhetari korçar dhe studiuesi i mirënjohur i historisë sonë mesjetare, e më gjerë, Ilo Mitkë Qafëzezi. Ai bëri përkthimin e parë, kuptohet të pjesshëm, të këtij libri në gjuhën shqipe, duke u mbështetur në përkthimin anglisht të bërë nga George Sale. Nga gjithë libri ai arriti të botonte pjesën e parë në Rumani më 1921. Këtë botim autori ua dedikon, siç shprehet vetë, “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara t’Amerikës”. Ndërsa fashikullin e dytë të këtij botimi ai arriti ta shtypë në Korçë, pas gjashtë vjetësh, më 1927. I. M. Qafëzezi nuk qe specialist i Kur’anit dhe as mysliman.[22]
Pra, sipas mendimit të shumicës së studiuesve shqiptarë, përmendet emri i Ilo M. Qafëzezit si përkthyes i parë i Kur’anit, i mesit të viteve ‘20 të shek. XX, i cili në mënyrë serioze iu përvesh punës për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe edhe pse vetë nuk i përkiste fesë islame. Në fakt, ka mendime se Naim Frashëri[23] ishte përkthyesi i parë i përkthimit selektiv të pjesëve të Kur’anit, me titull Thelb i Kur’anit.[24]
Disa fjalë rreth përkthimit të Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi
Ndërmarrja e I. M. Qafëzezit është sigurisht qëllimmirë e besëmirë. Për shqiptarët e cilitdo besimi qofshin, ai u jep në dorë një libër të madh, librin epokëbërës.
Jomyslimanë e kanë përkthyer Kur’anin edhe në gjuhë të tjera evropiane. Por ka pasur nga ata, si Maracci, që dha më 1689 një version të Kur’anit me tekstin arab e me komente të mbledhura qëllimisht andej-këtej, për të përcjellë përshtypjen më të keqe të mundshme për Islamin në Evropë. Përkthimi i George Sale në anglisht, më 1737 u mbështet në versionin e Maraçit, madje edhe në shënimet e komentet e tij.[25]
Për përkthimin e tij të Kur’anit, Ilo M. Qafëzezi thotë: “Afërmêntsh, përkthimi im do të ketë disa të meta, mbassi nuk’ është bërë drejt-për-drejt prej origjinálit Arabisht. Po Shqipëtarët e mirë, atdhetarët që s’janë veshur trashë me fanatizm fetár, e-do-puna të m’i falin. Përkthimi im dëshëronj të jetë një fillésë e atí që do të bênet i sosur paskëndáj. Të jetë një ndihmë, sado e pakët për atë teollog që do të ketë fatbardhësinë të përkthenjë Kur’anin nga Arabishtja. I shpërhódha ato që thonë disa se të përkthyerit e Kur’anit ndê gjuhë tjatër është gjynah i math. Qysh mundim t’u vêmë-vesh të tillavet fjalë që-s’kanë-vënt, kur sot-për-sot Kur’ani gjëndet i përkthyer afëro ndë një dyzinë gjuhë të tjera, edhe posa që ná kemi aqë të madhe nevojë t’a kemi të përkthyer ndë gjuhën âmtare.” [26]
Faksimile e pjesës së parë të përkthimit të Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi, Rumani, 1921
Faksimile e pjesës së dytë të përkthimit të Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi, Korçë, 1929
Ai nuk përkthen sa për t’u treguar shqiptarëve një libër që quhet Kur’an. Përkthimi i tij është i kujdesshëm. Ai është i kujdesshëm edhe në drejtshkrimin e fjalëve. Ai nuk e paraqit të vështirë Kur’anin. Stili i tij është i përpunuar e i krehur. Natyrisht, po të kishte pasur përkthimi shpjegime e komentime për ajete a çështje të veçanta, do të kishim pasur edhe mendjen e tij dhe besoj edhe vlerësimin e tij midis shumë mendjeve e vlerësimeve të tjera në botë për Kur’anin. Megjithatë, mjafton edhe përkthimi, sepse Kur’ani është vetë komentimi i tij më i mirë… Merita e tij e madhe është: ai është ndër të parët që i njohu mirëfilli shqiptarët me Kur’anin.
Kur’ani është përkthyer nga gjuha angleze, siç e thotë vetë I. M. Qafëzezi në parathënien e tij.[27] Ai i përktheu gjashtë suret e para të Kur’anit, nga El-Fatihaja deri te El-En’am.[28]
Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe fillon në faqen 5, me përkthimin e sures së parë Fatiha. Ky përkthim nuk është i komentuar e as i shoqëruar me tekst origjinal, ndërsa çdo ajet fillon me kryerresht të ri, pasi, paraprakisht, ajetet janë të numëruara sipas versionit në frëngjisht të M. Savaryt, siç e ka shpjeguar përkthyesi në parathënie.
Qafëzezi, në fillim të sureve ka dhënë shënime të përgjithshme të sures, si p.sh: Kaptinë I (Sura), Ndërhyrje (Fatihat), Shpërfaqur ndë Meqe[29], apo: Kaptinë VI, Shtazët, Shpërfaqur ndë Meqe. Përkthimi i I. M. Qafëzezit nuk është i fjalëpërfjalshëm. Po të kishte qenë i tillë, nuk do t’i përçonte dot te lexuesi përmbajtjen dhe idetë e përmbajtjes së përkthimit të tij. Shih p.sh. Fatihanë:
KAPTINË I. (Sura)
NDËRHYRJE (Fâtihat)
Shpërfaqur ndë Meqé
NDË EMËR TË FORT MËSHIRËPLOTIT PERËNDI
- Lavdi i kjoftë Perëndisë; Zoti i gjithë Krijatyravet.
- Fort mëshirëploti;
- Mbreti i ditës së gjyqit.
- Ty të adhurojmë, edhe prej teje lypim ndihmë.
- Udhë-hiqna ndë rrugën e drejtë.
- Ndë rrugën e atyre mbë të cilët ke qenë hirëplot;
- Jo ndë (rrugën) të atyre kundër të cilëvet ke marë mërí, as ndë të atyre që écëjn jashtë-udhës.[30]
Qëllimi kryesor i përkthyesit ka qenë t’ia bënte të qartë lexuesit kuptimin e saktë të ajetit a të fjalisë. Për këtë arsye, kur përdor një krijim të tij a një fjalë të huaj, jep me poshtëshënim një fjalë tjetër, një perifrazim a një shpjegim qartësues.[31]
Shkaqet për një ndërmarrje të tillë
Shkaqet të cilat e shtynë njeriun e letrave të ndërmerrte përkthimin dhe botimin e Kur’anit, përmenden në parathënien e botimit të tij: “I shtyjtur prej dëshirës që, tani pak-së-paku, është koha të dihet se cila është ajo ‘cipë qèpe’ misterióze që i ndan fetarisht Shqipëtarët Muhamedanë nga vëllézërit e tyre të Krështerë, po jap të përkthyer Shqip Kuránin, nga gjuha Inglize.”[32]
Në faqen e brendshme të kopertinës është dhënë përkushtimi i përkthyesit: “Bashkatdhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u dedikohet”[33], ndërsa përkthimit i paraprin shënimi i Qafëzezit, i dhënë në formë të parathënies, ku ai lexuesit i jep disa informacione me rëndësi për historikun e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe. Shënimi mban titullin: “Shqipëtarëvet”.
Po ashtu: “Le të bëjmë nga librat fetarë, çështje të kulluar kombëtare. S’është nevoja të dobëtojmë ndjenja të shpirtit. Nga këjo nuk e gjen fare dem Shqipërin’ e sotme. Vetëm fanatizmi fetar duhet ndjekur edhe luftuar, gjer të shduket nga zemrat e Shqiptarëve që e duan Shqipërinë’e lirë ndë radhë qytetërimi. Tjetrazi jemi të humbur”.[34]
Ilo M. Qafëzezi nuk është mysliman, por nuk është antimysliman. Po të kishte qenë antimysliman e sigurisht edhe jo atdhetar (ai nuk i ndan shqiptarët dhe shqipen), do ta kishte përkthyer Kur’anin në një gjuhë bisedore, a thjesht, në idiolektin e tij e kështu do të humbiste madhështia e stilit të arabishtes klasike.[35]
Jo vetëm në fushën e mendimit, por edhe në fushën e zbatimit të tyre praktik, Ilo Mitkë Qafëzezi ka dhënë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e tij. Duke pasur parasysh përpjekjet e armiqve të vendit tonë dhe të agjenturave të tyre për t’i përdorur besimet e ndryshme fetare, që ekzistojnë në Shqipëri, si mjete për përçarjen e popullit tonë, për ta penguar atë të ecë në rrugën e lirisë dhe të përparimit, Ilo Mitkë Qafëzezi i hyn me shumë guxim dhe pa komplekse një pune të tillë jo të lehtë.[36]
Reagimet ndaj përkthimit të Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi
Qafëzezi ka meritat e veta, sepse, siç konstaton edhe studiuesi Gazmend Shpuza, deshi të bëjë një “çështje të kulluar kombëtare”[37] dhe të paraqesë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e përbashkët. Është i kuptueshëm edhe karakteri i tij iluminist. Por, kur bëhet fjalë për Kur’anin, çfarë meritash i takojnë një përkthyesi, që merr guximin të përkthejë Kur’anin, ose cilindo libër të shenjtë, nga një gjuhë që s’ka as afërsinë më të vogël me gjuhën në të cilën është shpallur? Megjithatë tashmë janë të njohura reagimet për përkthimet e Kur’anit, ose çfarëdo vepre tjetër, jo drejtpërdrejtë nga origjinali arabisht, madje ato përkthime kanë dalë të dyshimta dhe jo qëllimmira.
Për përkthimin e Ilo M. Qafëzezit do të mjaftonte edhe reagimi i H. Vehbi Dibrës në revistën “Zani i Naltë”, nr. 12 të vitit 1924, f. 384, që është i njëjtë me reagimin e ulemave boshnjakë rreth përkthimit të Kur’anit nga përkthyesi Miqo Lubibratiq.
Qafëzezi ishte i vetëdijshëm se përkthimi i tij nuk është në nivel të kënaqshëm e të dëshirueshëm, aq më tepër kur nuk është bërë nga origjinali, por nga anglishtja. Madje ai nga shqiptarët e mirë, që nuk janë të ndikuar nga fanatizmi fetar, kërkon mirëkuptim për lëshime eventuale në përkthimin e tij: “…..Po Shqipëtarët e mirë, atdhetarët që s’janë veshur trashë me fanatizm fetar, e-do-puna të m’i falin. Përkthimi im dëshironj të jetë një fillesë e ati që e do të benet i sosur paskëndaj. Të jetë një ndihmë, sado e pakët për atë teollog që do të ketë fatbardhësinë të përkthejë Kur’anin nga Arabishtja”.[38]
Ky përkthim, duke përjashtuar format e vjetra të gjuhës shqipe, që nuk përdoren tani, ka qenë shumë i suksesshëm. Përkthyesi, në fund të fjalës hyrëse, përmend se çdo vërejtje mbi këtë përkthim do të jetë e dobishme për të dhe: “Unë do ta pranoj atë me gëzim dhe zemër të hapur”, shton ai.[39]
Në kopertinën e fundit gjithashtu përmenden të dhënat se ky përkthim i Kur’anit u botua në shtypshkronjën “Konkurrenca” të z. V. Dumitresku në Ploesht, Bukuresht.[40]
Disa konstatime rreth këtij përkthimi të Kur’anit
Është fakt se me çështjen e përkthimit të Kur’anit janë marrë dijetarët më eminentë të proveniencës islame dhe të gjithë kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me të. Duke i analizuar mendimet e tyre, mund të konstatojmë se përkthyesit e të gjitha kohërave nuk kanë qenë kategorikë që të mos përkthehet Kur’ani, por janë pajtuar në pikën se, ky thesar hyjnor t’iu ofrohet popujve të mbarë botës. Dhe së fundi duhet të pajtohemi me këto dy konstatime, që mund t’i përdorim si moto. E para e H. Vehbi Dibrës, që del nga deklarata e tij me rastin e botimit të disa pjesëve të Kur’anit në turqisht dhe shqip. Ai thotë: “Si kur qi dihet Kur-ani asht fjala e madhnueshme e krijuesit të Gjithsis, prandaj lypset me u përkthye madhnisht e nuk asht punë qi mbarohet me pendën e meftshme të mend shkurtënve”. Kurse, për përkthimet me gabime thotë: “me këndue ksi soj librash se gabimet qi duken sheshit në përkthimet e përmendura mund t’u ngatrrojn besimin e prandaj i porosisim qi të mos u napin randsië dhe mos t’i këndojnë fare.”[41] Po ashtu, maksima tjetër me rrëndësi është edhe ajo e akademikut boshnjak, prof. dr. Enes Kariç, i cili në librin e tij “Si të komentohet Kur’ani” thotë: “Kur’ani nuk mund të përkthehet, por Kur’ani duhet të përkthehet (komentohet)!”[42]
Përkthimet e Kur’anit nga Ilo M. Qafëzezi (shqip) dhe Miqo Lubibratiq (serbo/kroatisht) – Krahasime
Për ne ka rëndësi të vëmë një paralele ndërmjet përkthimit të Lubibratiqit[43] dhe të Ilo M. Qafëzezit, sepse duke e njohur sa më afër punën e Lubibratiqit, do të kuptojmë edhe qëllimin e Qafëzezit.[44] Në veprën e tij “Tefsir-hyrje në shkencën e tefsirit”, botim i “Bosanska knjiga”, Sarajevë 1995, faqe 264, në kapitullin mbi përkthimet e Kur’anit, që nga Miqo Lubobratiqi, deri te Besim Korkuti, autori na jep profilin e vërtetë të përkthyesit Lubobratiq, i cili e ka përkthyer Kur’anin nga frëngjishtja[45] ose nga rusishtja[46] dhe atë për t’i pajtuar serbët “me muhamedanët e kombësisë serbe”. Ai njihej si udhëheqës i kryengritësve hercegovianë dhe person që proklamonte “bashkëpunimin vëllazëror të serbëve dhe myslimanëve boshnjakë”. Ky gjest i Lubobratiqit u trajtua si hap antiislam par exellence nga ana e ulemave të kohës.[47]
Akademiku Dr. Feti Mehdiu, thotë se është shumë interesant fakti se dy përkthimet e para, në dy gjuhët e dy etniteteve të ndryshme në Ballkan, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën sllave jugore, janë nga dy përkthyes, të cilët nuk i përkasin fesë islame. Ai që e përktheu i pari në gjuhën serbokroate M. Lubibratiq ishte një person politik publik, ndërsa ai që e përktheu, megjithëse jo në tërësi, Kur’anin në gjuhën shqipe, Ilo Mitko Qafëzezi, ishte një punëtor kulturor publik. Arsyet përse ka ndodhur kështu mund të jenë të ndryshme. Kjo nuk është objekt shqyrtimi me këtë rast, por kjo mund të jetë një dëshmi më tepër se librat e shenjtë në Ballkan janë respektuar edhe nga ithtarët e librit tjetër. Në rastin konkret dy ithtarë të Ungjillit i rreken dhe përkthejnë Kur’anin në gjuhën e tyre amtare, njëri serbisht e tjetri shqip, siç thoshte Qafëzezi për vëllezërit e tij të një gjuhe.[48]
Duke marrë parasysh faktet historike dhe fatin e përjetuar nga popujt e Ballkanit; duke përfshirë edhe shqiptarët, që fituan pavarësinë në vitin 1912, konsiderojmë se konstatimi gojor është se Kur’ani është përkthyer më herët në gjuhët e njerëzve, të cilët fituan më vonë pavarësinë dhe duke filluar lirshëm zhvillimin shkencor e kulturor në të gjitha fushat.[49]
Fati i përkthimit të parë shqiptar të Kur’anit në shumë aspekte është i ngjashëm me përkthimin serbo-kroat të Kur’anit:
– Duhet të theksohet menjëherë se përkthimi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe dhe serbo-kroate është realizuar nga jomyslimanët, pra nga të krishterët ortodoksë. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u përmendur kur bëhet fjalë për mjedisin mysliman, siç është shembulli i Bosnje e Hercegovinës dhe Shqipërisë. Është një rast tjetër me zona gjuhësore angleze dhe franceze; [50]
– Një ngjashmëri tjetër është në qëllimin me të cilin përkthyesit iu afruan punës së përkthimit të Kur’anit. Ljubibratiq me qëllim të “pajtimin me muhamedanët e kombësisë serbe”, kurse Qafëzezi “vëllezërve të mi, vëllezërve muhamedanë… të kombësisë shqiptare”.
– Ngjashmëria e tretë është në aspektin e pajisjeve teknike dhe esencës thelbësore, pasi që të dy, gjatë përkthimit të Kur’anit, ishin të disponueshëm kombtaro-politikisht kur iu përveshën kësaj pune;[51]
– Karakteristika e katërt është se Qafëzezi Kur’anin nuk e përktheu nga origjinali (gjuha arabe), por e përktheu nga anglishtja (George Sale); ndërsa Ljubibratiq e bëri atë nga gjuha frënge (Kazimirski). [52]
– Si përkthyesi i parë ashtu edhe përkthyesi i dytë e kishin shkelur rregullin midis Ulemasë myslimane lidhur me përkthimin e Kur’anit, i cili ishte: “përkthimi i Kur’anit në gjuhë të tjera është një mëkat i madh …”.
Konkluzione
Nga sa u paraqit më parë në këtë punim, mund të konkludojmë si në vijim:
– Përkthimi i Kur’anit nga origjinali në gjuhët e botës është një nga nevojat më të rëndësishme të njerëzve – kryesisht myslimanë;
– pas të gjitha diskutimeve në lidhje me problematikën e përkthimit të Kur’anin është sjell rregulli i artë në këtë çështje, i cili thotë: “Kur’ani nuk mund të përkthehet, por ai duhet të përkthehet”;
– shqiptarët, sikurse edhe kombet e tjera të botës, kanë pasur një nevojë të ngutshme për përkthimin e Kur’anit në gjuhën e tyre amtare edhe pse një shtresë e shoqërisë veç i kishte përdorur përkthimet e Kur’anit në gjuhën angleze ose turke;
– përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe u bë shumë vonë, d.m.th. në fund të shek. XIX edhe pse jo edhe shumë më vonë se përkthimi i Kur’anit në gjuhët sllave;
– Ilo M. Qafëzezi dha përpjekjen e parë paksa më serioze në fushën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, një përpjekje që duhet vlerësuar dhe dhënë rëndësinë e vlerën e duhur në shoqëri;
– ky përkthim i Kur’anit edhe pse jo i tërë, me një gjuhë të veçantë vizuale dhe mangësitë teknike, duke pasur parasysh se ishte përkthimi i përkthimit të Kur’anit, është një nga kontributet e para dhe më të rëndësishme në fushën e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, një ndërmarrje e cila i dha frytet e veta për përkthime të mëvonshme të Kur’anit.
– përkthimi i Kur’anit nga Ilo Mitko Qafëzezi në gjuhën shqipe ndan shumë ngjashmëri me përkthimin e Kur’anit nga Miqo Lubibratiq në gjuhën serbo-kroate, por me gjithë ato që përmendëm, e veçanta, është se këto përkthime janë bërë nga gjuhë të tjera (frëngjisht, anglisht) dhe se atë e bënë pasuesit e besimit të krishterë (ortodoks).
Literatura dhe burimet:
- Bardhi, Ismail (1998), Ibrahim Dalliu dhe egzegjeza e tij Kur’anore, Logos – A, 1998, Shkup.
- Busuladžić, Mustafa (1945), Prvi prievodi Kur’ana u svietu i kod nas, 1945, Sarajevë.
- Gudžević, Sinan (2012), “Koja riječ o dvojici prevodilaca”, Godišnjak 2012, BZK Preporod, Godina XII, 2012, Sarajevë.
- Hadžijahić, Muhamed (1967), “Bibliografske bilješke o prijevodima Kur’ana kod nas”, Bibliotekarstvo (Časopis društva bibliotekara bosne i hercegovine), Viti XIII, nr. 3, 1967, Sarajevë.
- Hondozi, Jahja (2010), “Jehona e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe në shtypin e huaj”, Edukata Islame, nr. 93, 2010, Prishtinë.
- Hoxha, Hajrullah (2010), “Një vështrim kritik punimit me titull: ‘Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe’”, Edukata Islame, nr. 92, 2010, Prishtinë.
- Hysa, Mahmud (2000), Alamiada shqiptare II, Logos-A, 2000, Shkup
- Ismaili, Elez (2016), “Disa tema dhe dilema rreth përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, Kur’ani te shqiptarët, Botues: Bashkësia Islame e Kosovës, 2016, Pishtinë.
- Karić, Enes (1995), Tefsir – Uvod u tefsirske znanosti, izdavač: Bosanska knjiga, 1995, Sarajevë.
- Karić, Enes (2005), Kako tumačiti Kur’an, Tugra, 2005, Sarajevë.
- Karić, Enes (2016), “Koran – prijevod Kur’ana Miće Ljubibratića Hercegovca”, Preporod, nr. 8/1066, 15. Prill 2016, Sarajevë.
- Kico, Mehmed (2006), “Historijski pogled u teorije prevođenja”, Glasnik, nr. 7-8., korrik – gusht, 2006., Sarajevë.
- Kico, Mehmed (2006), “Povezanost prevođenja s drugim disciplinama”, Glasnik, nr. 11-12, nëntor – djetor, 2006, Sarajevë.
- Mehdiu, Feti (1978), “O albanskim prevodima Kur’ana”, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, Knjiga V-VI, 1978, Sarajevë.
- Mehdiu, Feti (1996), Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Logos-A, Shkup.
- Mehdiu, Feti (2008), “Koegzistenca e tre librave të shenjtë dhe ardhmëria e tyre në Ballkan”, URA, nr. 1, Vjeshtë-Dimër, 2008, Tiranë.
- Mehdiu, Feti (2009), “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, Edukata Islame, nr. 90, 2009, Prishtinë.
- Morina, Qemajl (2003), “Identiteti fetar i shqiptarëve” në: Shtresimet e identitetit kulturor shqiptar, Shoqata Kulturore “Zëri Ynë”, Zëri Ynë, 2003, Prishtinë.
- Selhanović, Selman, “Svaki slijedeći prijevod Kur’ana trebalo bi da bude korak naprijed”, Novi Horizonti, f. 65.Shkarkuar nga ueb-faqja: http://www.iltizam.org/tekstovi/read/2472.
- Shehu, Hajri (2006), Një përkthim i Kur’anit i vitit 1921 në gjuhën shqipe, PERLA, Viti. , 2006., No. 2 (41), Botues: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë.
- Shkodra, Ramadan (2016), “Kontributi i qarkut fetar islam të Kosovës pas luftës së dytë botërore në shqipërimin e Kur’anit”, Kur’ani te shqiptarët, Botues: Bashkësia islame e Kosovës, 2016, Prishtinë.
- Shkodra, Ramadan, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”: http://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/perkthimet-e-Kur’anit-ne-gjuhen-shqipe/.
- Shpuza, Gazmend (1995), Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, në: Drita islame, dhjetor 1995, Tiranë.
- Shpuza, Gazmend, “Kur’ani në gjuhën shqipe”: http://Kur’anifisnik.com/Kur’aniFisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273.
- Yvejsi, Mexhid (2010), “Pse u vonuan shqiptarët me përkthimin e Kur’anit”, URA, 1, 2010, “Qendra Shqiptare për Studime Orientale”, Tiranë.
[1]. Kico, Mehmed, “Povezanost prevođenja s drugim disciplinama”, Glasnik, nr. 11-12, Sarajevë, nëntor – dhjetor, 2006:1113.
[2]. Kico, Mehmed, “Historijski pogled u teorije prevođenja”, Glasnik, nr. 7-8, Sarajevë, korrik – gusht, 2006:745.
[3] Shënim i redaksisë.
[4]. Tupja, Edmond, Këshilla një përkthyesi të ri, (Botimi i dytë), Tiranë, 2000:8.
[5]. Traduktologji – përkthim, transferim në ndonjë gjuhë tjetër. Shih: Marijan Filipović, Rječnik stranih riječi, Medicinska knjiga Zagreb, Zagreb, 1995:399.
[6]. Tupja, vep. cit., f. 12.
[7]. Selhanović, Selman, “Svaki slijedeći prijevod Kur’ana trebalo bi da bude korak naprijed”, Novi Horizonti, f. 65. Shkarkuar nga ueb – faqja: http://www.iltizam.org/tekstovi/read/2472, (shkarkuar më: 15.11.2014).
[8]. Kazazi, Gilman,“Rreth përkthimeve të Kur’anit”, nga ueb-faqja: http://www.progresibotime.com/artikuj/120-rreth-perkthimeve-te-Kur’anit.html, (shkarkuar më: 15.08.2014).
[9]. Hondozi, Jahja, “Jehona e përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe në shtypin e huaj”, Edukata Islame, nr. 93, Prishtinë, 2010:165.
[10]. Yvejsi, Mexhid, vep. cit., f. 71-75. Po ashtu: Akademik dr. Feti Mehdiu, “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, Edukata Islame, nr. 90., Prishtinë, 2009:77.
[11]. Hajrullah Hoxha pajtohet me fjalët e Mexhid Yvejsit dhe të Akademikut Feti Mehdiu, kur është fjala për Shqipërinë, mirëpo, ai thotë se ateizmi zyrtar nuk pengoi përkthimin e Kur’anit në Kosovë. Për më shumë shih: Hajrullah Hoxha, “Një vështrim kritik punimit me titull: ‘Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe’”, Edukata Islame, nr. 92, Prishtinë, 2010:244.
[12]. Morina, Qemajl, “Identiteti fetar i shqiptarëve” në: Shtresimet e identitetit kulturor shqiptar, Shoqata Kulturore “Zëri Ynë”, Zëri Ynë, Prishtinë, 2003, f. 25-31.
[13]. Ky është mendim i Akademikut Feti Mehdiut të cilin e përmend në punimin e tij me titull: “Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe”, vep. cit., f. 77. Rreth kësaj, Hajrullah Hoxha nuk pajtohet me mendimin e Feti Mehdiut dhe thotë se përkthimi i Kuranit nuk ishte temë tabu tek shqiptarët, sepse kishte prej atyre që e përkthenin Kuranin. Shih: Hajrullah Hoxha, “Një vështrim kritik punimit me titull: ‘Më shumë kujdes për botimin e përkthimit dhe interpretimit të Kur’anit në gjuhën shqipe’”, vep. cit. , f. 244.
Po ashtu, edhe prof. Nexhat Ibrahimi nuk pajtohet me mendimin se përkthimi i Kuranit ishte temë tabu tek shqiptarët dhe thotë: “Për disa arsye ishte vonuar përkthimi i Kuranit. Por nuk ishte temë tabu…”.
[14]. Po aty, f. 244. Këtu mendohet për përkthimin tekstual të Kuranit e jo për ndalimin e përkthimit të tij në përgjithësi.
[15]. Shih: Ramadan Shkodra, “Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe”. Shkarkuar nga ueb-faqja: http://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/perkthimet-e-Kur’anit-ne-gjuhen-shqipe/, (shkarkuar më: 16.11.2014).
[16]. Mehdiu, Feti, “O albanskim prevodima Kur’ana”, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, Libri V-VI, Sarajevë, 1978, f. 238.
[17]. Shpuza, Gazmend, “Kurani në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://kuranifisnik.com/KuraniFisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273
[18]. Po aty, f. 71-75.
[19]. Shpuza, Gazmend, “Kurani në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://kuranifisnik.com/KuraniFisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273
[20]. Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985:886.
[21]. Shpuza, Gazmend, “Kurani në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://kuranifisnik.com/KuraniFisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273
[22]. Shih: G. Shpuza, Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, në “Drita islame”, dhjetor 1995:4.
[23]. Ismaili, Elez, “Disa tema dhe dilema rreth përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3185
[24]. Thelb i Kuranit, pjesë përbërëse e veprës Mësime në botimin e kompletit të veprave të Naimit, si në Tiranë po ashtu edhe në Prishtinë, nuk përmendet fare. Botimin e parë të kësaj vepre e ka bërë vetë Naimi në Bukuresht më 1894. Studimin më të plotë të këtij kontributi e ka bërë dr. Mahmud Hysa. Më gjerësisht shih studimin me titull Naim Frashëri si përkthyes i një varianti të Kuranit të këtij autori në veprën: Alamiada shqiptare II, Logos-A, Shkup 2000:39-79.
[25]. Shehu, Hajri, “Një përkthim i Kuranit i vitit 1921 në gjuhën shqipe”, PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti XI , Nr. 2 (41), Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë, 2006:85-92.
[26]. Po aty, f. 85-92.
[27]. Po aty.
[28]. Shkodra, Ramadan, “Kontributi i qarkut fetar islam të Kosovës pas luftës së dytë botërore në shqipërimin e Kuranit”, Kurani te shqiptarët, Botues: Bashkësia islame e Kosovës, Prishtinë, 2016:113.
[29]. Shih: Kurani (Këndimi), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q, Shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921, f. 5. Ose shih në ueb-faqe: https://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/80-vjet-te-perkthimit-te-kur%E2%80%99anit-ne-gjuhen-shqipe-1921-2001/.
[30]. Shehu, Hajri, “Një përkthim i Kuranit i vitit 1921 në gjuhën shqipe”, vep. cit., f. 85-92.
[31]. Po aty, 85-92.
[32]. Po aty, 85-92.
[33]. Shih: Kurani (Këndimi), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q., Shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921, f. 3. Ose shih në ueb-faqe : https://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/80-vjet-te-perkthimit-te-kur%E2%80%99anit-ne-gjuhen-shqipe-1921-2001/
[34]. Shpuza, Gazmend, Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, në: “Drita islame”, dhjetor 1995:4.
[35]. Samara, M., Histori e gjuhës letrare shqipe, Tiranë, 2005:104.
[36]. Shpuza, Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe, vep. cit., f. 4.
[37]. Po aty., f. 4.
[38]. Shih: Kurani (Këndimi), pjesa e parë, përkthyer në shqip prej: I. M. Q., Shtypur në Rumani, Ploeshti, 1921, f. 3. Ose shih në ueb-faqe: https://shkodrar.wordpress.com/2009/04/16/80-vjet-te-perkthimit-te-kur%E2%80%99anit-ne-gjuhen-shqipe-1921-2001/
[39]. Kurani (Këndimi), vep. cit., f. 4 (fusnota nr. 15).
[40]. Mehdiu, Feti, “O albanskim prevodima Kur’ana”, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, LibriV-VI, Sarajevë, 1978:240.
[41]. Deklaratë e Krye Muftiut, Zani i Naltë, nr. 12, Shtator 1924, f. 384.
[42]. Enes Karić, Kako tumačiti Kur’an, Tugra, 2005, f. 50.
[43]. Më shumë informacione për Miqo Lubibratiqin dhe përkthimin e tij të Kuranit në gjuhën serbo-kroate shih në: Enes Karić, „Koran – prijevod Kur’ana Miće Ljubibratića Hercegovca“, Preporod, nr. 8/1066, 15. Prill 2016, f. 32. Po ashtu shih: Sinan Gudžević, „Koja riječ o dvojici prevodilaca“, Godišnjak 2012, BZK Preporod, Viti XII, Sarajevë, 2012, f. 222-230. Po ashtu: Dr. Muhamed Hadžijahić, „Bibliografske bilješke o prijevodima Kur’ana kod nas“, Bibliotekarstvo (Časopis društva bibliotekara Bosne i Hercegovine), Viti XIII, nr. 3., Sarajevë, 1967, f. 43-44.
[44]. Shih në ueb-faqet: http://islampress.info/2016/03/03/disa-tema-dhe-dilema-rreth-perkthimit-te-kuranit-ne-gjuhen-shqipe/, ose shih në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=3185.
[45]. Siç pretendon Dragutin Iliqi në librin e tij „Poslenji prorok“, u fusnotën në f. 91. Shih: Prof. dr. Enes Karić, Tefsir – Uvod u tefsirske znanosti, Bosanska knjiga, Sarajevë, 1995, f. 266.
[46]. Shih: Dr. Muhamed Hadžijahić, „Bibliografske bilješke o prijevodima Kur’ana kod nas“, vep. cit., f. 44.
[47]. Shih në ueb-faqe: http://www.foltash.com/disa-tema-dhe-dilema-rreth-perkthimit-te-kuranit-ne-gjuhen-shqipe/.
[48]. Mehdiu, Feti, “Koegzistenca e tre librave të shenjtë dhe ardhmëria e tyre në Ballkan”, URA, nr. 1, Vjeshtë-Dimër 2008, Tiranë.
[49]. Mehdiu, Feti, “O albanskim prevodima Kur’ana”, Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, vep. cit., f. 238.
[50]. Po aty, f. 239.
[51]. Shehu, Hajri, “Një përkthim i Kuranit i vitit 1921 në gjuhën shqipe”, f. 239.
[52]. Po aty, f. 239.