Autor: Walid Phares
Pasi që Trumpi dha urdhër për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, një shumicë nxituan ta akuzojnë atë për keq menaxhimin e politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare. Kundërshtimi u bë me shpjegimin, se do ta linte një boshllëk të madh në një zonë të rëndësishme gjeografike përgjatë kufirit turko-sirian, dhe se ishte një tregues i lënies së forcave kurde në lëndinë. Analistët, gjithashtu, drejtuan pyetjen, nëse SHBA do ta linin bazën e tyre ushtarake në Tenef, në jug të Sirisë.
Në këtë atmosferë që krijoi përshtypjen se roli i SHBA në rajon po bëhej margjinal, vëmendja u përqendrua në mundësinë që ushtria turke dhe siriane t’i marrin përsipër territoret kurde.
Unë kam shkruar, se tërheqja në këtë mënyrë e SHBA, do të bënte që ta humbnin kartën e tyre në luftën kundër zgjerimit iranian, dhe do ta shtonin presionin ndaj forcave amerikane në Irak, gjë që gjithashtu, mund të çonte në tërheqjen e tyre nga ai vend. Zhvillime të tilla do të çonin në krijimin e një gjeografie të re në Siri, Irak dhe Liban, kurse Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit, do të gjendeshin nën presion.
Kam biseduar me anëtarët e Kongresit dhe gjeneralët për Planin A, i cili përfshin vazhdimin e angazhimit të SHBA në anën e YPG në zonën kufitare, dhe Planin B, i cili përfshin tërheqjen e forcave amerikane nga Siria dhe Iraku.
Mirëpo, presionet ndikuan në ndryshimin e planit B, dhe rivlerësimin e vendimit të tërheqjes, pas të cilit u konkludua se pjesa tjetër e forcave amerikane në Siri ishte e nevojshme, që do të thotë, rizhvendosje e forcave amerikane në zonë, tani me intensitet më të madh.
Plani i ri, Plani C, përfshin tërheqjen e forcave amerikane nga zona kufitare dhe pranimin e një zone të sigurt, në të cilën Rusia dhe regjimi (sirian) do të kryejnë patrulla formale për të parandaluar përparimin e forcave turke. Ky plan përqendrohet në tërheqjen e YPG, në një zonë të paktën 30 kilometra larg nga kufiri me Turqinë, ku do të lihet hapësirë për një zonë të sigurt, në të cilën, në të ardhmen do të vendosen forcat ndërkombëtare, me shumë mundësi forcat evropiane.
Rëndësia e Planit C është, se ai do të sigurojë që kurdët të mbeten në zonë, ndërsa refugjatët do t’i lejojë që të kthehen. Kurdët nën komandën e gjeneralit Mazllum Abadi, e pranojnë këtë plan, me të cilin do të kishte një zonë, ku do të mblidheshin kurdët, arabët dhe asirianët, dhe do të ishin të ndarë nga Turqia.
Forcave kurde që ishin në prag të kolapsit, Trumpi u dha një rol strategjik të rëndësishëm që nuk ishte parë më herët: në vend që të vendoseshin përgjatë kufirit me Turqinë, atyre iu dha një rol tjetër, i cili mund të jetë shumë më i rëndësishëm për Amerikën, përkatësisht, për t’u vendosur përgjatë kufirit me Irakun dhe rreth fushave të naftës. Sipas informacioneve ekzistuese, Trumpi i ofroi gjeneralit Mazllum Abadi përqindje të konsiderueshme nga shfrytëzimi i naftës, për ta financuar administratën e ‘Kurdistanit në Siri’, pastaj u hap mundësia e armatosjes së këtyre forcave me armë të përparuara, si dhe riorganizimi i tyre për t’u bërë një forcë e rregullt e armatosur kurde në rajon. Qëllimi i gjithë kësaj është, që nga këto forca kurde, të krijohet një aleat strategjik amerikan, në luftën kundër mbetjeve të ISIS-it, si dhe të parandalohet përparimi i milicive shiite të kontrolluara nga Irani.
Duke folur për vrasjen e liderit të ISIS-it, el-Bagdadi, Trumpi theksoi dy pika kryesore:
Pika e parë, është se forcat kurde kanë mbështetje të pakufizuar dhe janë në gjendje t’i kontrollojnë kufijtë veriorë dhe lindorë të Sirisë, se këto forca janë shtylla kryesore në luftën kundër Iranit në rajon. Trumpi, gjithashtu, përmendi mundësinë që disa forca arabe të jenë të armatosura. Në këtë mënyrë krijohen parakushtet për prerjen e rrugës së shpejtë, me të cilën Irani dëshiron të lidhet me Bejrutin.
Pika e dytë, në fjalimin e Trumpit, është krijimi i dy bazave amerikane në rajon: bazën ajrore në Irbil dhe bazën ajrore – tokësore në lindje të Sirisë, ku menaxhimi i bazave do të ishte nga një kombinim kurdo-amerikan.
Kjo do të thotë, vendosje e sërishme. Dhe, pavarësisht tërheqjes së forcave amerikane nga një zonë e madhe gjeografike, ato do të vendosen përsëri, për të formuar zona të forta nën kontrollin e tyre, në Sirinë lindore dhe Irakun perëndimor, ku trupat amerikane do të mbrohen nga prania e forcave kurde mbi një zonë të gjerë.$
(Islampress)