“Pushteti është përgjegjësi, nuk është privilegj”

2120

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Tema e hutbes së sotme është: “Pushteti është përgjegjësi, nuk është privilegj.”

Kjo temë gjithnjë është aktuale, veçanërisht në këto ditë kur po zhvillohet një fushatë zgjedhore e pamëshirshme.

Që në fillim, le ta kujtojmë ajetin e 26, të sures Alu Imran, ku Allahu i Plotfuqishëm, thotë: “Thuaj (o Muhamed!): “O Zoti im, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti i jep pushtetin kujt të duash, dhe Ti ia heq dorësh pushtetin kujt të duash; Ti e lartëson kënd të duash dhe e poshtëron kënd të duash. E mira është në dorën Tënde! Ti me të vërtetë, për çdo gjë je i Plotfuqishëm.”

Vëllezër të dashur;

Është e nevojshme që njerëzit të kenë sundimtar, i cili do t’i udhëheqë njerëzit. Ndërsa kur bëhet fjalë për muslimanët, ekzistimi i sundimtarit të mirë është detyrim islam, në mënyrë që të zbatohet Ligji i Allahut. Për këtë arsye, sheriati e ka obliguar bashkësinë muslimane që të kenë sundimtar, i cili sipas konsensusit  (ixhma’), daton që nga koha e sahabëve.

Ibni Halduni ka thënë: “Ekzistimi i sunduesit është vaxhib, dhe i njëjti është i njohur sipas sheriatit që nga koha e sahabëve dhe tabiinëve, sepse sahabët pas vdekjes së Pejgamberit (a.s.), ia dhanë besën Ebu Bekrit (r.a.), dhe kështu gjendjen e tyre ia dorëzuan atij, dhe kështu ka ndodhur edhe në periudhën e ardhshme, ashtu që njerëzit nuk lanë hapësirë ​​për çrregullim në asnjë periudhë. Kjo çështje u vendos me ixhma’, gjë që dëshmon detyrimin e caktimit të sundimtarit.”

Sa është pushteti i mirë në krye të Shtetit, në atë masë do të jetë në skenë prosperiteti i shoqërisë, ndërkaq, nëse nuk është pushteti i mirë, atëherë ndodhin krizat dhe fitnet. Kjo është për shkak se ka njerëz të cilëve nuk ju mjafton vetëm tregimi apo rekomandimi për diçka, por kanë nevojë për sanksione, d.m.th. ju nevojitet ligji ose kamxhiku i sunduesit, i cili do ta zbatojë Ligjin Allahut të Plotfuqishëm.

Imam Ahmedi (r.h.) ka thënë: “Do të shfaqen fitnet, nëse nuk ka sundimtar i cili do t’i përfaqësojë interesat e njerëzve. Njerëzit duhet ta kenë një sundimtar, përndryshe do të rrezikohen të drejtat e njerëzve.” (…)

Ka’b El-Ahbar ka thënë: “Shembulli i Islamit dhe sundimtarit është si shembulli i shtyllës dhe kulmit. Kulmi është Islami kurse shtylla mbështetëse është sundimtari, derisa njerëzit janë shtylla, ata janë të padobishëm, përveç së bashku!”

Nëse sundimtari është i mirë dhe për atë post i plotëson kushtet sipas sheriatit, ai në këtë rast është mbështetje e fortë me të cilin mbrohen interesat e Shtetit. Ai e ndihmon atë (Shtetin) në përmbushjen e detyrimeve të tij në mënyrën më të përshtatshme.

Për këtë arsye, besimtarët duhet ta dinë rëndësinë e sundimtarit dhe t’i frikësohen Allahu të Plotfuqishëm, kur i zgjedhin ata që do t’i përfaqësojnë interesat e tyre, dhe duhet të jenë të bindur se Allahu i Plotfuqishëm, do t’i pyesë ata në Ditën e gjykimit: “Pse e keni zgjedhur këtë dhe a e keni zgjedhur për shkak të fesë, devotshmërisë dhe aftësive të tij, apo për përfitime të kësaj bote?”

Si do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, ata që ua japin votën atyre që e shkatërruan dhe po e shkatërrojnë shtetin tonë?

Atyre që kërkojnë armiq në radhët tona.

Atyre që duan ta ndalojnë miqësinë tonë me miqtë tanë.

Atyre që i pengon çdo gjë islame, kurse e promovojnë çdo gjë që është anti islame.

Atyre që i amnistojnë kriminelët ndërsa shpikin armiq.

Atyre që në drejtësi i vendosin kriminelët, kurse patriotët e largojnë nga drejtësia.

Atyre tek të cilët nuk ka vend pune për jetimët dhe veçanërisht për të diplomuarit e talentuar të fakulteteve dhe shkollave, por për dezertorët, për pasardhësit e tyre dhe për ata që japin ryshfet.

Atyre që përkulen para armiqve të dëshmuar.

Atyre që abuzojnë me pozitat, i gëzojnë të gjitha privilegjet dhe e harrojnë popullin!

Përgjegjësia e sundimtarit është e madhe, sepse ajo lidhet me çështje të fesë dhe të dynjasë. Për këtë shkak, është e rëndësishme që sundimtari t’i ketë të gjitha cilësitë (sifatet) për këtë, i vetëdijshëm se ai mbart përgjegjësi të madhe, të cilën duhet ta përmbushë në mënyrën më të mirë, dhe udhëheqja e njerëzve, veçanërisht e umetit, është përgjegjësi e madhe.

Muslimanët në përgjithësi janë të mirë dhe në ta ka shumë hajr, por problemi është se udhëheqja e tyre është e dobët, e cila ua shkel të drejtat dhe nuk lufton për interesat e tyre.

Sundimtari duhet të jetë i bindur se pozita është përgjegjësi, dhe nuk është privilegj. Njerëzit e kanë zgjedhë atë në atë pozitë, me qëllim të përfaqësimit të interesave të tyre, dhe ata e kanë autorizuar që t’i përfaqësojë ata dhe të angazhohet për ta. Prandaj, ata kanë të drejtë dhe detyrim që ta monitorojnë punën e tij, dhe ta mbajnë atë përgjegjës nëse abuzon me pozitën e tij, dhe nëse e meriton edhe ta ndërrojnë.

Ebu Bekri (r.a.), pas zgjedhjes së tij për halif, ka thënë: “Nëse punoj mirë, më ndihmoni, kurse nëse nuk punoj mirë, atëherë më ndërroni! Dhe më dëgjoni, derisa unë i bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s.)!”

Në një rast është Omer ibn el-Hattabi (r.a.), ka thënë: “Nëse vini re se e kam humbur rrugën, më pengoni!” Meqë rast, një nga të pranishmit u ngrit dhe tha: “Pasha Allahun, nëse vërejmë se e ke humbur rrugën, do të parandalojmë me shpatat tona!”

Atëherë, Omer ibn el-Hattabi (r.a.), tha:  “Falënderoj Allahun, që ka dhënë midis jush të ketë të atillë që do t’i korrigjojnë gabimet e Omerit!”

Një njeri i tha Omer ibn El-Hattabit (r.a.): “Ki frikë Allahun, o Omer!” Njëri nga të pranishmit i tha: “Si po i thuash kështu sunduesit të besimtarëve?”

Omer ibn El-Hattabi (r.a.), e ndërpreu atë dhe tha: “Nuk do të ketë dobi tek ju, nëse nuk na flisni kështu, dhe nuk do të ketë dobi tek ne, nëse nuk ju dëgjojmë!”

Në një rast, muslimanët kishin kapur plaçkë të luftës, në të cilën kishte shumë mantela, dhe Omer ibn el-Hattabi, (r.a.), e ndau atë plaçkë me drejtësi, nga e cila atij i takoi një mantel, si edhe birit të tij Abdullahut dhe muslimanëve të tjerë. Meqenëse Omer ibn el-Hattabi (r.a.), ishte trupmadh, djali i tij Abdullahu i dha atij mantelin e tij, derisa mantelin e vet (Omeri), ta zgjerojë dhe ta zgjatë në një masë që i përshtatej, kështu që ai me atë mantel të ri u ngjit për ta mbajtur hutben. Pasi e falënderoi Allahun e Plotfuqishëm dhe dërgoi salavate për Pejgamberin (savs): “O njerëz, më dëgjoni dhe binduni!”

U ngrit Selman el-Farisiu (r.a.), sahabiu i mirënjohur, dhe tha: “O Omer, ne nuk do të dëgjojmë dhe nuk do të bindemi ty!”

Omeri (r.a.), e pyeti: “Përse, o Selman?”

Selman el-Farisiu, tha: “Ku e more ti atë mantel? Edhe ti ke marrë vetëm një mantel, sikur edhe ne?!”

Omer ibn el-Hattabi (r.a.), i tha: “Mos nxito!”Me atë rast, e thirri djalin e tij Abdullahun, i cili tha: “Si urdhëroni, të përgjigjem, o sundimtar i besimtarëve!”

Omer ibn el-Hattabi (r.a.), e pyeti: “O biri im, a ma ke dhënë ti mantelin tënd për ta përdorur, derisa ta rregulloj mantelin tim?” Ai tha: “Po.”

Atëherë Selman el-Farisiu (r.a.), tha: “Tani urdhëro! Se ne do të dëgjojmë ty dhe do të bindemi!”

Pasi që Omer ibn Abdulazizi u bë halif, një ditë prej ditësh, ai qau një kohë të gjatë. Gruaja e tij Fatimja tregon për këtë: “Unë hyra një ditë tek ai dhe e gjeta sesi e kishte mbuluar fytyrën me shuplakat e tij, kurse lotët i rridhnin poshtë fytyrës. E pyeta: ‘Çka ke?’ Ai duke qarë më tha: ‘I mjeri unë, oj Fatime! E kam marrë përsipër këtë Umet, andaj po mendoj: për të varfrin e uritur, për të sëmurin pa shpresë për shërim, për nevojtarin e zhveshur, për jetimin e pikëlluar, për të vejen e vetmuar, për të dëmtuarin e pambrojtur, për të huajin, për të robëruarin, për plakun, për atë që ka familje shumë anëtarëshe dhe ka pasuri të paktë dhe të ngjashëm me ta në mbarë Shtetin Islamik! jam i vetëdijshëm që Zoti im i Plotfuqishëm, do të më pyes për ta në Ditën e Gjykimit. Dhe, përveç Tij, të Plotfuqishmit, do të më pyes edhe Muhamedi (a.s.), andaj kisha frikë se nuk do të mund të përgjigjem dhe më erdhi keq për veten, andaj po qaj!”

Vëllezër besimtarë;

Në zgjedhjet e ardhshme, le t’ua japim votën atyre që kanë frikë nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe që i bien në sexhde Atij, sepse ata e meritojnë besimin tonë! Pastaj, pasiqë t’i zgjedhim (me vullnetin e Allahut), le tu ndihmojmë që ta përmbushin emanetin e marrë, dhe të punojmë të gjithë së bashku për të mirën tonë të përbashkët, si dhe të përpiqemi që brenda ligjit, secili ta sigurojë të drejtën e tij!

Vëllezër të dashur;

Mos të lakmojmë për pushtet dhe për pozitë, kurse ata që zgjidhen ose emërohen në ndonjë detyrë, le ta kryejnë me ndërgjegje dhe më mirë sesa që kërkohet prej tyre!

Le të garojmë në të mirë dhe le ta dëshirojmë xhenetin, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe Toka!

O Zot! Na forco në rrugën e Islamit!

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!

Mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tanë, të cilët na e sollën dritën e fesë islame!

Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri ata udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të Fesë dhe të Atdheut dhe bëri gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

O Allah! Na i fal mëkatet tona, na i fshih turpet tona dhe na i prano veprat tona të mira!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe na ndero në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

Hatib: Nezim ef Haliloviq Muderris

(Islampress.ch)