Hutbeja e javës: Kujdesi ndaj jetimëve

1647

Falënderimi është për Allahun e Plotfuqishëm, Zotin e të gjitha botëve. Salavati dhe selami qoftë për pejgamberin Muhamed (a.s.), për familjen e tij të nderuar, për sahabët dhe të gjithë pasuesit.

Vëllezër të respektuar!

Me rastin e 12 rebiul-evvelit, kur tradicionalisht e shënojmë ditëlindjen e Muhamedit (savs), është një mundësi e mirë që ta shfrytëzojmë për tu njohur edhe më tepër me njëri-tjetrin dhe me xhematet tjera, dhe për tu kënaqur dhe relaksuar duke dëgjuar Kuran, mevlud, salavate dhe ligjërata, të cilat mbahen nga ana e imamëve tanë të nderuar.

Një imam në një xhemat tonin në Evropë, ka treguar se me rastin e mevludit, në atë javë kishte organizuar në shkolla orë të mësimit në temën e lindjes dhe fëmijërisë së Muhamedit (savs), por pak ishte zhgënjyer, sepse vetëm rreth 5% e nxënësve i kishin ditur emrat e prindërve të Pejgamberit, pastaj të nënës tij sipas qumësht, të gjyshit, të mixhës dhe të gruas tij të parë. Besohet se pas kësaj jave, përqindja e nxënësve të përmendur do të jetë pak më e lartë, dhe mendoj se do të ishte shumë interesante të shikohet rezultati i provimit, nëse sot do të na bënte edhe neve dikush një provim në lidhje me këtë temë.

Sidoqoftë, me rastin e mevludit sot dua ta kujtojmë ne të gjithë një fakt shumë domethënës, për të cilin flet edhe Kurani i Shenjtë, e që është se Muhamedi (savs), është lindur jetim (bonjak), sepse babai i tij, Abdullahu para lindjes tij kishte vdekur, por, këtu nuk mbarojnë problemet e fëmijërisë së Muhamedit (savs). Pasi që vitet e para të jetës i kaloi jashtë shtëpisë së tij, në familjen e gjysmë nënës tij Halimes, dhe larg përqafimit të nënës së tij, Emines, ai gjithashtu në moshën 6 vjeç mbeti edhe pa nënën, e cila, gjatë udhëtimit të tyre të përbashkët në Jethrib (Medine) u sëmur rëndë dhe së shpejti vdiq.
Këtë fakt, si dhe faktin që ai deri në martesën me hz. Hatixhen ishte i varfër, e përmend surja ed-Duha, në të cilën Allahu i Madhëruar e ngushëllon Muhamedin (savs), pas gjithë sulmeve ndaj tij dhe provokimeve nga ana e mushrikëve në Mekë, pastaj ia kujton atij begatitë të cilat ia ka dhënë, si dhe e inkurajon që të këmbëngulë në misionin e tij, duke i premtuar sukses edhe dynja edhe në ahiret.

Vetë fundi i sures, për neve sot, është veçanërisht interesant dhe i rëndësishëm, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e nënçmo jetimin, – e lypsin mos e refuzo me ashpërsi, – dhe dhuntitë e Zotit tënd, shprehi!” (ed-Duha, 9-11).

Prandaj Pejgamberi (savs) ju kushtoi vëmendje të madhe jetimëve dhe nënave të tyre, si dhe të varfërve, duke ju premtuar shpërblime të mëdha atyre që kujdesen për ta. Dhe, ku ka shpërblim më të mirë se xheneti?!
Në lidhje me këtë, sot dua t’i ndaj me juve dy tregime të vërteta, për njerëzit të cilët ju ndihmuan grave të veja – nënave të jetimëve, për të cilën vepër ata u shpërblyen fisnikërisht nga Allahu i Plotfuqishëm.

1. Tregimi i parë është për një njeri të pasur, i cili papritmas ishte sëmurë dhe kishte shkuar në spital, meqë rast i konstatohet se është i sëmurë nga kanceri dhe nuk do të jetojë gjatë. Natyrisht, ai shumë u mërzit dhe u pikëllua, posaçërisht atëherë kur të afërmit dhe miqtë, filluan ta vizitojnë dhe t’i shprehin keqardhje.

Në mesin e vizitorëve të tij ishte edhe imami i tij, i cili i sugjeroi që ta provonte këtë metodë: të jepte sadakë, sepse sipas hadithit sadaka i shëron të sëmurët. Por jo një sadakë i vogël dhe të zakonshme, por një sadakë të bollshme dhe mundësisht, t’ia japë një gruaje të vejë me jetimë.

Duke e kuptuar se me të ai nuk kishte çka të humbiste, sepse kur të vdesë, paratë nuk kanë asnjë vlerë, sepse trashëgimtarët do ta rrëmbejnë atë, ky pasaniku e dërgoi një nga punëtorët e tij, me dy shuma të mëdha parash, për ta gjetur një grua të veje me jetimë, që me njërën sasi të parave menjëherë t’u blejë atyre gjithçka që ju nevojitet në shtëpi, kurse shumën tjetër t’ua japë atyre që ta kenë për më vonë.

Ai punëtori, ashtu edhe veproi. Gruaja e veje, të cilës ia dhuroi sadakën, i bëri lutje Allahut të Plotfuqishëm, që ta mëshirojë dhënësin e sadakës. Dhe pikërisht atëherë, u dëgjua ezani për namaz të ikindisë. Kur punëtori u kthye në spital për të raportuar, pasanikun e gjeti të buzëqeshur dhe në këmbë. Ai e pyeti se çfarë kishte ndodhur, kurse pasaniku iu përgjigj: “Nuk e di. Por, kur thirri ezani për namaz të ikindisë, unë u ndjeva sikur dora e dikujt më kaloi nëpër gjoksin tim dhe ma mori dhimbjen.”
Pas kontrollit të ri, mjekët konstatuan se kanceri ishte zhdukur.

2. Tregimi i dytë na çon në Marok, ku një dijetar për tri net rresht, e kishte parë në ëndërr Muhamedin (savs), i cili e kishte porositur: “Shko në Mekë te filan njeriu dhe thuaji se ai është për xhenet.”

Atëherë, dijetari i paketoi sendet e tij, dhe me aeroplanin e parë fluturoi për në Mekë, ku, pasi e kryen umren, kontakton me dijetarët e Mekës, dhe iu lut atyre që ta ndihmojnë për ta gjetur atë burrin. Pas disa pyetjeve të shkurtra, ata erdhën në lagjen e tij, ku të gjithë u çuditen se përse dijetarët po e kërkojnë këtë burrë, i cili njihej aty si mëkatari më i madh në lagje. Kur ky dijetari e gjeti atë dhe ia tregoi ëndrrën e tij, ky nuk po mund ta besonte dhe mendoi se dijetari po tallej me të. Mirëpo, dijetari i tha se ta shohësh Pejgamberin (savs), në ëndërr është njësoj si ta shohësh në realitet, insistoi me ngulm që të kuptojë se për çfarë veprimi i është premtuar xheneti.
Ky njeri, tani me lot pendimi për mëkatet që kishte bërë, por edhe me lot gëzimi për premtimin e xhenetit, nuk po mund të kujtonte asnjë nga veprat e mira që kishte bërë, përveç se disa vjet të fundit, kur i kishte vdekur fqinji i tij, kishte vendosur që gjysmën e rrogës ta mbante për vete, kurse gjysmën tjetër t’ia jepte të vejes së fqinjit dhe jetimëve të tyre. Atëherë dijetari e ftoi të shkojnë në Qabe që ta falin namazin, të cilën ai e pranoi, me lutje që dijetari ta presë, derisa të lahej dhe të rregullohej. Ata arritën në farz, dhe u falen pas imamit. Kur imami jep selam, dijetari vuri re se ky njeriu ishte ende në sexhde. Ai kishte vdekur.

Vëllezër të dashur!

Le të kujdesemi për jetimët! Është më mirë që vetë t’i gjejmë në familjet e tilla, në lagjen apo në qytetin tonë. Dhe nëse ne nuk mund t’i gjejmë ato, atëherë mund t’i kërkojmë përmes organizatave bamirëse islame, sepse, për fat të keq, në botë ka shumë jetimë nga vëllezërit dhe motrat tona. Ata kanë nevojë për ne. Ata na presin neve.

I lutem Allahut të Plotfuqishëm që të na mundësojë të jemi prej atyre që kujdesen për jetimët! Gjithashtu, i lutem që t’i mëshirojë jetimët dhe familjet e tyre, si dhe ata të cilët kujdesen për ta. Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)