Kush dëshiron që t’i shtohet nafaka dhe t’i zgjatet jeta, le të…

1413

Në kuadër të bamirësisë bën pjesë edhe sjellja dashamirëse ndaj të afërmve. Mirësjellja me të afërmit është një lloj i veçantë i bamirësisë (ihsanit).

Kjo do të thotë, se ndaj të afërmve, jo vetëm që duhet të sillemi mirë, ta ndajmë me ta gëzimin dhe pikëllimin dhe tu ndihmojmë në kuadër të drejtësisë, por me ta duhet ta ndajmë edhe pasurinë tonë, në përputhje me mundësitë tona dhe me nevojat e të afërmve.

Në shumë vende në Kuran theksohet kujdesi ndaj të afërmve. Nëpërmjet raportit fisnik dhe humanizmit ndaj të afërmve, Islami na tërheq në një raport solidar me njerëzit e tjerë. Sepse, nëse mungon humanizmi me të afërmit, është e vështirë të shpresohet me njerëzit e tjerë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon…” (el-Isra, 26)

Për kujdesin e treguar ndaj të afërmve, Allahu i Plotfuqishëm shpërblen pa masë, siç kuptohet nga një numër i konsiderueshëm i haditheve.

Pejgamberi (savs), ndër të tjera, ka thënë: “O njerëz, përhapeni selamin, ndani ushqim (të varfërve), ndihmoni dhe kujdesuni për të afërmit, dhe falni namaz derisa njerëzit tjerë janë në gjumë – do të hyni në xhenet të sigurtë dhe të ruajtur.” (Tirmidhiu)

Jeta shpesh imponon situata konfliktuoze mes njerëzve, po kështu edhe në mesin e të afërmve.

Është mëkat që muslimanët t’i ndërprejnë kontaktet me muslimanët e tjerë më shumë se tri ditë, dhe sigurisht kjo është mëkat nëse bëhet me të afërmit.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Nuk ka mëkat për të cilin është më e rëndësishme që fajtori të dënohet qysh në këtë botë – përveç dënimit të parashikuar në botën tjetër – sesa dhuna dhe ndërprerja e lidhjeve familjare.” (Buhariu dhe Muslimi)

Xhabir bin Abdullahu ka thënë: “I Dërguari i Allahut na ka këshilluar: “O muslimanë, kini frikë Allahun dhe kujdesuni për të afërmit tuaj, sepse për asgjë njeriu nuk do të shpërblehet më shpejt sesa për kujdesin ndaj të afërmve;

– ruhuni mos i bëni askujt zullum, sepse për asgjë nuk vjen dënimi më shpejt sesa për zullum;

– ruhuni nga mosrespekti i prindërve, sepse as nuk do ta ndjej aromën e xhenetit, ai i cili nuk i respekton prindërit e tij, si dhe ai i cili i ndërpret lidhjet familjare dhe ka sjellje  arrogante.” (Taberani)

Ruajtja e lidhjeve familjare është shenjë e besimit të sinqertë dhe rrugë drejt mbrojtjes dhe ndihmës së Allahut të Plotfuqishëm.

Transmeton Ebu Hurejre se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin (savs): “O i Dërguari i Allahut, unë kam të afërm të cilët i vizitoj kurse ata më braktisin, jam i mirësjellshëm ndaj tyre, kurse ata veprojnë të kundërtën, më merr malli për ta, kurse ata me injorojnë.” Pejgamberi (savs), i tha: “Nëse je ashtu siç thua, atëherë ti do ta kesh ndihmën dhe mbështetjen e Zotit.” (Muslimi)

Sahabiu eminent, Ebu Dherri (r.a.), ka thënë:

“I Dërguari i Allahut (savs) më ka porositur për shtatë (gjëra):

1. Që t’i dua të varfrit dhe të shoqërohem me ta.

2. Që mos t’i shikoj ata që janë më të pasur, më të famshëm dhe më të shëndetshëm.

3. Që të kujdesem dhe t’i vizitoj të afërmit e mi, edhe nëse ata më shqetësojnë.

4. Që ta flas vetëm të vërtetën, edhe nëse ajo është e hidhur.

5. Që për shkak të së vërtetës mos të frikësohem nga qortimi i asnjë qortuesi.

6. Që nga njerëzit (pa ndonjë zor të madh) mos të kërkoj asgjë.

7. Që sa më shumë ta lexoj La havle ve la kuvvete il-la bil-lah! /’S’ka ndryshues të situatës e as fuqi përpos Allahut’/” (Ahmedi dhe Taberaniu)

Mbajtja dhe kujdesi i lidhjeve familjare, përveç tjerash, rezulton edhe nga ky hadith: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet nafaka dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë marrëdhëniet e mira me të afërmit e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)

(Domethënia e fjalisë (t’i zgjatet jeta) është ajo që e kanë komentuar dijetarët duke thënë: jetëgjatësia (ymri) nuk ndryshon, mirëpo jetëgjatësia (ymri) rritet-pasurohet me vepra të mira dhe zvogëlohet me vepra të liga. Shembulli më i mirë për këtë është shembulli i një njeriu i cili e hap dyqanin e tij vetëm një orë gjatë ditës dhe, gjatë kësaj periudhe, ai ka shitur mall në shumë për një mijë euro, e një tjetri, i cili e ka hapur dyqanin e tij për dymbëdhjetë orë dhe ka bërë shitje në shumën një qind euro, koha nuk ka vlerë, vlera qëndron në shumën e mallit që është shitur.)

Përshtati:[1] Miftar Ajdini

(Islampress)


[1] ) Referencë: Dr. Hfz. Halil Mehtiq; Akos.ba