I Dërguari i Allahut na këshillon dhe thotë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos refuzoni”.
Ky hadith është një nga hadithet themelore në lidhje në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Urdhrat dhe rekomandimet e të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, janë më se të qarta. Kudo që të jetë e mundur lehtësoni të tjerëve, ky është një prej qëllimeve islame. Vetë i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, sa herë që ka pasur mundësi të zgjedhë midis dy gjërave, e ka zgjedhur më të lehtën, derisa të mos ketë ndonjë gjë të ndaluar në të.
Allahu i Madhëruar thotë:
“…Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë…” [El Bekare, 185]
Gjithashtu, përhapja e gëzimit dhe e lumturisë, lajmi i mirë sa herë që keni mundësi, atmosfera pozitive, etj., janë parime të sjelljes islame ndaj të tjerëve dhe hyrje në kuptimin e hadithit në fjalë.
Kur i Dërguari i Allahut u pyet cilat vepra janë më të mira dhe më të vlefshme, ka thënë:
“Gëzimi i besimtarit: ta ushqejë atë nëse është i uritur, ta veshë nëse nuk ka rroba, ose t’ia plotësojë nevojën e tij.” (Taberani).
Fjala Islam rrjedhë nga fjala selam. Selam domethënë paqe. Gjatë përshëndetjes së njerëzve me selam, e përhapim paqen në nivel verbal, ndërsa kjo është e kundërta e grindjes, urrejtjes, xhelozisë, zilisë dhe gjithë gjërave negative. Në hadithe të shumta i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem e ka theksuar përhapjen e selamit/paqes, dhe mu ashtu duhet kuptuar Islamin në kontekst më të gjerë. Kjo domethënë paqe me vetveten, paqe me Krijuesin e Madhëruar dhe me të gjithë njerëzit!
Allahu i Madhëruar na urdhëron që të gjithë të hyjmë dhe jetojmë në paqe! Sepse pa mënyrat e përmendura të paqes, nuk mund të ketë fat dhe lumturi në këtë botë!
Feja jonë duhet të shihet në jetën tonë private. Por gjithashtu, dhe akoma më me rëndësi është të shihet edhe në jetën publike dhe mesin ku jetojmë. Kjo është fe e vërtetë e cila është e pranishme si në botën shpirtërore ashtu edhe materiale, si në jetën private dhe atë publike.
Ajo më së tepërmi pasqyrohet në sjelljen dhe ahlakun tonë.
Ibën Kajjimi ka thënë:
“E gjithë feja është në ahlakun/sjelljen e mirë. Kush ta kalon me ahlak, ta ka kaluar me fe!”
Kjo ka të bëjë veçanërisht me paqen, lumturinë dhe gëzimin. Për të qenë të gëzuar dhe të kënaqur, duhet ta pajtojmë të kaluarën me të tashmen tonë. Duhet ta dimë se si të jetojmë “këtu dhe tani”. Plotësisht të pjekur dhe të përgjegjshëm!
Në këtë mënyrë, ne do ta vlerësojmë çdo bekim – pa marrë parasysh sa është i vogël, dhe ajo do të na lumturojë dhe do të na rris kënaqësinë dhe lumturinë tonë, dhe duke vepruar kështu do ta përhapim gëzimin tek njerëzit përreth nesh.
Autor: Esmir M. Halilović
Përktheu: Lutfi Muaremi
[Isl@mpress.ch]