Hutbe – Reflektim para provimeve

1582

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.

Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi (a.s.) është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin atë me mirësi deri në Ditën e Kiametit.

Të nderuar xhemat,

Sa i çuditshëm është njeriu: kur i ofrohet e përhershmja, ai e dëshiron kalimtaren, e kur e godet kalimtarja, ai shpreh keqardhje për të përhershmen. Njeriu e di se kjo botë është kalimtare, por sillet sikur të jetë e përhershme. Dhe, e di që bota tjetër është e përhershme, por për të flet sikur të jetë kalimtare. I ndodhur ashtu ndërmjet dëshirës së lirë për kalimtaren, dhe domosdonë e besimit për të përhershmen, njeriu në fund, megjithatë, e kupton shembullin që Zoti e jep në Kuran, kur thotë:

“Krahasoju atyre shembullin e jetës së kësaj bote, me ujin që e lëshojmë Ne nga qielli, e me të përzihet bima në tokë, e (më vonë) bëhet bar i thatë, të cilin e shpërndanë era. E, Allahu është i fuqishëm për çdo gjë! – Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, fryti i të cilave është i përjetshëm, janë më mirë të shpërblyera te Zoti dhe janë shpresë më e mirë.” (el-Kehf, 45-46)

Këtu fshihen të gjitha sekretet:

– Prej nga kemi ardhur këtu dhe ku do të shkojmë?

– Sa do të qëndrojmë këtu dhe kur do të shkojmë atje?

– Çka është më e rëndësishme: ta duam kalimtaren, apo të besojmë në botën e përhershme?

– Kush na ka sjellë në jetën kalimtare dhe kush do të na shpie në jetën e përhershme?

– Kujt i kthehemi dhe çka duhet të marrim për atje ku përfundojnë të gjitha fshehtësitë, ku çdo gjë do të shihet, çdo gjë do të dëgjohet dhe do të dihet?

Natyrisht, ai që di se kush e ka sjellë në këtë jetë kalimtare, e di edhe kush do ta kthejë në të përhershmen. Dhe ai që beson në atë i Cili e ka pru këtu, beson se Ai edhe do ta kthej atje, ku shpirti i tij kalimtar do të shkrihet në shpirtin e përhershëm të krijimit të Allahut. Dhe, natyrisht, ai i cili e di kujt i kthehet, e di se çka duhet të merr me vete.

Përgjigje të qarta duhet të japë në këto 4 pyetjet:

E para, për jetën e tij, në çka e ka harxhuar?

E dyta, për diturinë e tij, si e ka shfrytëzuar?

E treta, për trupin e tij, si e ka përdorur?

E katërta, për pasurinë e tij, si e ka fituar dhe në çka e ka shpenzuar?

Po pra, ai i cili i di përgjigjet e këtyre 4 pyetjeve në këtë botë, do t’i dijë edhe në botën tjetër. Sepse, ai që beson dhe jeton me moral, e di se qëllimi i jetës është në nënshtrim ndaj Allahut, sepse ky është qëllimi i jetës së xhinëve dhe njerëzve (Unë i kam krijuar xhinët dhe njerëzit, që Mua të më bëjnë ibadet /nënshtrohen/);

Ai që ka besim dhe jeton në moral, e di që është mëkat të flitet një gjë, e të veprohet një tjetër (Është e urrejtur, që të flisni, atë që vetë nuk e veproni);

Ai i cili ka besim dhe jeton në moral, e di se kënaqësia trupore kalimtare nuk mund të matet me kënaqësinë e përhershme shpirtërore (Bota tjetër e përhershme është më e mirë për atë që beson dhe jeton me moral);

Ai i cili ka besim dhe jeton në moral, e di se pasuria është dhuratë nga Allahu, andaj duhet atë ta ndajë edhe me njerëzit tjerë (Në pasurit tuaja është një pjesë që u takon të varfërve dhe të ngratëve).

Vëllezër të nderuar

Këtu qëndron fshehtësia e bukurisë së Islamit; në diturinë dhe besimin tonë, se jeta në këtë botë ka kuptim aq sa ne jemi në gjendje të dimë, se të besohet dhe jetohet me moral, do të thotë, të jetohet në përhershmëri, do të thotë, të jesh në gjendje të lumturisë e cila na pret, sepse i dimë përgjigjet në pyetjet e rëndësishme të fatit dhe shpëtimit tonë njerëzor.

Po, ashtu është, Islami e shlyen kufirin ndërmjet kalimtares dhe të përhershmes, sepse të gjitha pyetjet të cilat na presin atje, më me rëndësi është të dimë tu përgjigjemi atyre këtu, sepse kur të shkojmë atje, është me rëndësi të dimë të themi ku kemi qenë dhe çka kemi bërë këtu. Prandaj, të gjitha pyetjet që na presin në botën tjetër nuk shtrohen vetëm që të dimë të përgjigjemi atje, por edhe për atë që të mund t’i kuptojmë këtu, dhe për to seriozisht të mendojmë.

Sepse, derisa jemi këtu, në këtë botë, është me rëndësi të dimë;

– ku ta harxhojmë jetën tonë – në kotësi apo në punë dhe angazhim;

– si ta shfrytëzojmë diturinë tonë – për mirë apo për keq;

– si t’i përballojmë kërkesat e trupit të cilat na tërheqin në imoralitet; pastaj,

– si e fitojmë pasurinë – me haram apo me hallall, dhe

– si e shpenzojmë pasurinë  – në rrugë të drejtë apo në rrugë të shtrembër.

E nderuara rini,

Kjo hutbe me të madhe ju kushtohet juve, sepse këto ditë i keni provimet e afatit të janarit, ku duhet të tregoni pjekurinë tuaj dhe aftësinë për të marrë detyra në shoqëri.

I bëj lutje Allahut të Madhërishëm, që të ju ndihmojë për dhënien e provimeve, dhe me diturinë tuaj ta dëshmoni se jeni aftësuar për angazhime të reja.

Por, kini kujdes që, krahas të gjitha pyetjeve që – in sha Allah – do t’i jepni,  t’i keni ndërmend edhe këto 4 pyetjet e lartpërmendura.  

(1) Për qëllimin e jetës suaj, definicionin e së cilës Allahu e di më së miri;

(2) Për qëllimin e diturisë suaj, e cila duhet t’i shërbejë njeriut;

(3) Për trupin tuaj, i cili nuk guxon të ju mashtrojë; dhe

(4) Për mënyrën e fitimit të pasurisë suaj, e cila duhet të jetë pasuri hallall si rrugë e fatit tuaj në këtë botë dhe e shpëtimit në botën tjetër.

E lusim Allahun e Plotfuqishëm;

– që të na e bëjë të dashur jetën në të cilën gjithmonë Allahun do ta kemi në ndihmë;

– që të na dhurojë dituri e cila do të na sjellë sukses;

– që të bëhemi të fortë para sfidave të shejtanit, i cili dëshiron të na bind, se kënaqësitë trupore kalimtare janë më të mira se kënaqësitë e përhershme shpirtërore.

E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që të na e tregojë rrugën deri te pasuria hallall, dhe të na e bëjë të dashur, që atë pasuri ta harxhojmë për kënaqësi të Allahut!! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

(islampress)