Imam Ibnul-Xhevzij ka thënë:
“Ai i cili jepet pas kënaqësisë së ndaluar,
– të cilin shikimi në haram e largon nga mendimi për pasojat dhe dënimin,
– i cili e dëgjon zërin e arsyes duke i thënë: i mjeri ti, mos e bëj këtë, sepse nëse e bën këtë do të ndalosh së ngrituri, dhe do të fillosh të biesh, dhe do t’i thotë: – qëndro në atë që ke zgjedhur,
– i cili pushtohet dhe mposhtet nga pasioni, ashtu që nuk i kushton vëmendje asaj për të cilën paralajmërohet, i tilli, gjithnjë e më shumë do të bie dhe do të shkatërrohet.
Shembulli i tij, për sa i përket zgjedhjes së keqe, është si shembulli i qenit, i cili njëherë i tha luanit: ‘O mbreti i kafshëve! Dua që të ma ndryshosh emrin tim, sepse emri ‘qen’, në fakt, është i shëmtuar.’
Luani i tha: ‘Ti je tradhtar dhe ty të shkon vetëm ai emër.’
Qeni i tha: ‘Nëse nuk më beson, më sprovo!’
Luani u pajtua, ia dha një copë mishi dhe i tha: ‘Ma ruaj këtë copë mishi deri në mëngjes, dhe nëse e bën këtë, unë do ta ndryshoj ty emrin.’
Qeni e mori copën e mishit dhe u largua. Pas një kohe qeni u ndje i uritur dhe filloi ta shikojë copën e mishit. Kur lakmia dhe dëshira për copën e mishit e mposhtën, ai tha me vete: ‘Çka ka të keqe në emrin tim. ‘Qeni’ është emër mjaftë i bukur’, dhe e hëngri copën e mishit.
E tillë është situata edhe me njerëzit që kanë aspirata të ulëta, të cilët janë të kënaqur me shkallën më të ulët dhe më të përbuzur, të cilët e favorizojnë pasionin e çastit dhe të përkohshëm mbi virtytet dhe vlerat e vërteta.
Prandaj kini kujdes nga flaka e pasionit dhe shikoni sesi ta shuani. Qëndroni larg nga shkaqet e konfuzionit, sepse, është e vështirë për njeriun që ta shpëtojë veten nëse i afrohet flakës së konfuzionit dhe sprovës.” (Ibnul-Xhevzij, Sajdul-hatir, fq. 189)
Përkthim: Miftar Ajdini
(islampress)