Dhikri ‘rafal’ pas namazit (mjerisht!)

1210

Begatitë të cilat na i ka dhuruar Allahu pasqyrohen në pasuri, shëndet, forcë…, kurse më e madhja nga të gjitha begatitë, është begatia e bindjes ndaj Allahut. Për të gjitha begatitë ne e falënderojmë Allahun pas çdo namazi, n falënderojmë duke shprehur qartë 33 herë ‘elhamdulil-lah’. Kështu, të paktën, do të duhej t’i falënderohemi.

Por, a e shqiptojmë ne dhikrin pas namazit në mënyrë të qartë, apo fjalët tona të falënderimit ndaj Allahut, reduktohen në një shqiptim të tillë, pas të cilit shprehim diçka si ‘elhamdulilahamdulila’ duke i thënë të gjitha derisa të mbarojnë gishtat (tesbihet)… Kur të mbarojnë gishtat (tesbihet), a e dimë ne përafërsisht, se çka kemi thënë dhe sa herë e kemi shprehur, kjo është pyetja. Por, nëse dikush do ta regjistronte vetveten dhe më vonë do ta lëshonte ​​atë regjistrim, do të shihte se nuk ka thënë ‘elhamdulil-lah’, por diçka krejtësisht ndryshe.

Ekziston dallim i madh midis atij, i cili e fal namazin vetëm për të shpëtuar nga detyrimi, vetëm për t’ia hequr gajlen, siç thonë disa, dhe namazit të atij, i cili ndien kënaqësi në namazin e tij.

Ekziston dallim i madh – midis personit, i cili e lavdëron Allahun pas namazit, e falënderon dhe e madhëron Atë, duke menduar për fjalët që i shqipton – dhe midis atij, i cili nuk e bën këtë, por, derisa bën dhikër, ai i shikon të gjithë ata që kanë ardhur për namaz, dhe kur e sheh dikë mendon: ‘Po, ja ku është, kam pak nevojë për të’, ‘Po, edhe ai është aty, do ta pres, nëse do Zoti, kur ta përfundoje dhikrin…’

Ai që e bën dhikrin në këtë mënyrë, duhet ta dijë se ky dhikër ka vetëm rëndësi formale, se fjalët e dhikrit i shqipton në mënyrë motorike, nga shprehia, sepse me vite kështu është mësuar për të bërë dhikër.

Ndoshta krejt në fillim, kur ka filluar të falet, ndryshe është pozicionuar ndaj dhikrit, dhe me mirëkuptim e nga thellësia e zemrës i ka shqiptuar fjalët ‘elhamdulil-lah’, ‘elhamdulil-lah’, por me kalimin e kohës, kjo i është bërë rutinë dhe kështu ka humbur esenca e dhikrit.

Nga ne kërkohet, që pas çdo namazi, duke i thënë 33 herë fjalët e dhikrit, ta falënderojmë Allahun për begatinë e namazit, për atë që na ka lehtësuar të falemi, duke e ditur se namazi dhe agjërimi ynë, se të gjitha ibadetet tona, se jeta dhe vdekja jonë, dhe fakti që ne jemi muslimanë – gjenden në duart e Allahut. Mos e dhashtë Allahu, një ditë njeriu mund t’i humbë këto, prandaj, është shumë e rëndësishme ta falënderojmë Allahun për këto begati, në mënyrë që Ai të mos na privojë prej tyre.

Përkthim: Miftar Ajdini