“Fitneja (ngatrresa) është më e keqe sesa vrasja“

2797

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet dhe paqja e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: “Fitneja (ngatrresa) është më e keqe sesa vrasja“

Një nga gjërat më të këqija që mund t’i ndodhin një bashkësie (xhemati) është fitneja (ngatërresa), domethënë, përhapja e informatave të rrejshme, zhvillimi i propagandës dhe shkaktimi i rrëmujës. Ajo është aq e rrezikshme, sa që Allahu i Plotfuqishëm, në dy vende në Kuran (në suren el-Bekare) ka thënë se fitneja – ngatërresa është më e keqe dhe më e rëndë sesa vrasja. Me fjalë të tjera, ta vrasësh një njeri është një mëkat i madh dhe një gjë e vështirë, por ta vrasësh një bashkësi (xhemat), është një gjë shumë më e keqe dhe më e vështirë. Sepse xhemati është institucion.

Prandaj, Allahu i Madhëruar, ata njerëz që shkaktojnë ngatërresa në xhematë, si dhe ata që i ndjekin ato, i paralajmëron që të ndalohen nga këto veprime, sepse, në të kundërtën, do të pësojnë pasoja fatale. Kështu që Ai porosit: [1])

“Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq, dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” (el-Enfal, 25)

Në lidhje me këtë, sot do të doja ta ndaj me ju tregimin për një rast, të një bashkësie, e cila jetonte në një fortesë. Ajo kishte armiq jashtë fortesës, të cilët e sulmonin çdo ditë në përpjekje për ta pushtuar. Mirëpo, nuk po ju shkonte për dore, sepse Allahu i Madhëruar ishte në anën e robërve të Tij.

Atëherë njëri prej armiqve tha: ‘Unë e kam një ide. Më lejoni të hyj brenda!’ Ai hyri në fortesë dhe u tha muslimanëve: ‘Unë dëshiroj ta pranoj Islamin. Çka duhet të bëj?’

Ata i thanë: ‘Thuaje shehadetin!’ dhe ai e tha atë, e pastaj u ul në rreth me të tjerët.

Një natë në mbrëmje, shejhu i tyre mbajti një ligjëratë mbi suren el-Kehf, ku foli për djelmoshat e rinj të cilët besuan në Zotin e tyre, dhe të cilët Allahu i Madhëruar i vuri në gjumë në shpellë, bashkë me ta edhe qenin e tyre që ishte jashtë, duke mbetur kështu për 309 vjet.

Pas ligjëratës, të pranishmit filluan të bëjnë pyetje, dhe kështu i erdhi radha edhe këtij muslimanit të ri, i cili si me turp tha: ‘Pyetja ime është pak e çuditshme, dhe ju ndoshta nuk e dini përgjigjen për të!’

Shejhu tha: ‘Sigurisht që unë e di! Eja, pyet.’

Ai tha: ‘Zotëri, çfarë ngjyre ishte qeni?’

Shejhu e gjeti veten në siklet. Si mund të thotë tash ai që nuk e di përgjigjen, kur pak më parë kishte thënë se i di të gjitha përgjigjet? Turp! ’Hm, çfarë ngjyre ishte qeni? Epo, ai ishte … Ishte i bardhë. Po, ishte një qen i bardhë!’ u përgjigj shejhu, kurse muslimani i ri, me mirësjellje i tha: ‘Faleminderit zotëri!’

Të nesërmen ky djaloshi i ri, shkoi në skajin tjetër të qytetit, te një shejh tjetër në ligjëratë. Pas ligjëratës, kërkoi leje për ta bërë një pyetje, kështu që edhe këtë shejhun e pyeti se çfarë ngjyre ishte qeni. Ky shejhu, gjithashtu u gjend në siklet, por nuk donte ta pranonte se nuk e dinte përgjigjen, andaj i tha: ‘Qeni ishte … Ai ishte i zi.’

‘A jeni i sigurt, zotëri, se ai ishte i zi?’, e pyeti i riu, kurse shejhu tha: ‘Natyrisht, se jam i sigurt!’

‘Po sikur dikush të thoshte se qeni ishte me një ngjyrë tjetër? – pyeti i riu, kurse shejhu tha: ‘Ai që thotë këtë, ai nuk ka lidhje, dhe ti mos e dëgjo atë!’

‘Faleminderit zotëri.’ – përfundoi përsëri me mirësjellje, muslimani i ri.

Të nesërmen, i riu shkoi përsëri në anën e parë të qytetit, ku pas ligjëratës, përsëri iu drejtua shejhut: ‘Zotëri, çka do të thoni ju, nëse dikush do të thoshte se qeni ishte i zi dhe jo i bardhë?’

‘Çka? Këtë mund ta thotë vetëm një idiot dhe një budalla, i cili nuk di asgjë!’

Të gjithë të pranishmit qeshën, kurse i riu përsëri tha me edukatë: ‘Mirë, faleminderit!’

Ditën tjetër, muslimani i ri shkoi përsëri në skajin tjetër të qytetit dhe pyeti shejhun tjetër: ‘Çka do të thoni për një njeri, i cili tha për juve se ju jeni idiot dhe budalla?’

‘Çka?! Kush e tha këtë?’, pyeti shejhu, kurse i riu vazhdoi: ‘Shejhu në anën tjetër të qytetit. Ai tha se është idiot dhe budalla ai që thotë se qeni ishte i zi.’

‘Ai është idiot dhe budalla, jo unë!’ – Pastaj turma u ngrit dhe vrapoi për tek ai shejhu i parë duke bërtitur: ‘A ti e ke quajtur shejhun tonë idiot dhe budalla?! Eja këtu!’

Pas konfrontimit verbal, filloi edhe rrahja në të cilën u vranë disa njerëz!

Ai djaloshi, ‘muslimani i ri’, u tërhoq ngadalë dhe doli nga fortesa, pastaj u tha njerëzve të tij: ‘Le të shkojmë, djem, tani ata janë tanët!’

Ata i sulmuan pa mëshirë dhe pa vështirësi e pushtuan fortesën. Kurse muslimanët, të cilët, sigurisht që nuk e kishin më mbështetjen e Allahut, ranë dhe humbën gjithçka. Ata humbën nga armiku, jo nga armiku i jashtëm, por nga armiku i brendshëm, i cili është shumë më i fortë dhe më e rrezikshëm sesa i jashtmi.

Vëllezër të dashur!

Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar na paralajmëron: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, analizoni mirë, për të mos i bërë dëm ndokujt nga mosdijenia, e të pendoheni pastaj për atë që keni punuar.“ (el-Huxhurat, 6)

Prandaj, nëse kemi ndonjë pyetje, ose nëse na nevojitet ndonjë informacion, atëherë nuk duhet t’i dëgjojmë thashethemet, por duhet të kontaktojmë direkt me personin apo me institucionin, për ta mësuar të vërtetën.

LUTJE: I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëj prej atyre që i ndjekin mësimet e Kuranit dhe të sunetit, që nga detajet më të vogla deri te ato më të mëdhatë.

O Allah, me mëshirën Tënde na ruaj nga kjo semundje qe ka kapluar gjithë boten!

O Allah, të sëmurëve tanë jepu shërim, halleve dhe vështirësive tona jepu lehtësim, kurse frikës sonë jepi çlirim!

O Allah, ruaje vendin tonë dhe gjithë botën mbarë nga fatkeqësitë, të këqijat dhe sëmundjet epidemike!

O Allah, na i lehteso neve sprovat e kësaj bote dhe na jep force t’i përballojmë!

O Allah, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Allah, çliroje umetin nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Allah, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët, dhe na shpërble me xhenet në shoqëri me pejgamberët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.            

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)


[1])   وَاتَّقُوا فِتْنَةً لَّا تُصِيبَنَّ الَّذِينَ ظَلَمُوا مِنكُمْ خَاصَّةً ۖ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ ﴿٢٥