DAVUT DEMIRCAN
Ndërsa njerëzit janë duke qëndruar në shtëpi në gjithë botën dhe qeveritë e tyre kërkojnë që të mos dalin në ambiente jashtë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekspertët thonë se njerëzit duhet të jenë aktivë për të mbrojtur shëndetin mendor, shkruan Anadolu Agency (AA).
Deri më tani janë raportuar 339 mijë raste të konfirmuara me koronavirus dhe më shumë se 14.700 të vdekur në gjithë botën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila shpërthimin e ka shpallur pandemi, si epiqendër të re shpalli Evropën më 13 mars.
Situata në Evropë përkeqësohet çdo ditë, veçanërisht në Itali, e cila tani ka më shumë vdekje sesa Kina, ku virusi u zbulua për herë të parë në dhjetor.
Shumë vende kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ose orë policore, duke kufizuar gjithashtu transportin dhe tregtinë.
Qeveritë, organizatat joqeveritare dhe ekspertët kanë këshilluar njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi për të ndaluar përhapjen e virusit.
Por si do të ndikojë karantina në shëndetin mendor të njerëzve dhe çfarë duhet bërë për ta mbrojtur atë?
Ayşe Sena Sarıdoğan, psikologe në Spitalin Gaziosmanpasha të Parkut Mjekësor të Universitetit Istinye në Stamboll, thotë se socializimi është nevojë thelbësore e njeriut.
“Pamundësia për të dalë nga shtëpia do ta parandalojë këtë. Kështu që kur të kemi nevojë, do të jetë e dobishme të flasim me të dashurit tanë përmes telefonit, online ose me video”, tha ajo.
Duke folur lidhur me mbrojtjen e shëndetit mendor, ajo tha se të rinjtë ose të moshuarit mund të bëjnë gjëra që më parë nuk ishin në gjendje t’i bënin për shkak të mungesës së kohës.
“Ne mund të jemi më të fortë nëse mund t’i mbajmë burimet tona të jashtme (hobin, sportin, etj.) më të larmishme dhe më të forta kundër stresit”, tha ajo.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se duhet t’i kushtohet vëmendje mënyrës së gjumit dhe një diete të ekuilibruar dhe të shëndetshme.
Sarıdoğan këshilloi të moshuarit të zgjedhin enigma dhe të lexojnë libra për të zvogëluar rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit.
Ndërkaq, psikologia Gamze Dağar theksoi se dallimi midis “marrjes së masave” dhe “kufizimeve të papërmbajtshme” është shumë i rëndësishëm për shëndetin mendor.
“Për shembull, metoda më paraprake e dezinfektimit të sipërfaqes së lëkurës është ajo se duhet të pastroni duart me sapun dhe ujë. Mirëpo, kur nivelet e ankthit janë jashtë kontrollit, njerëzit mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme të lëkurës duke përdorur dezinfektues të tepërt”, tha ajo.
Për këtë arsye, Dağar theksoi se mbajtja nën kontroll e niveleve të ankthit është shumë e rëndësishme për shëndetin mendor dhe fizik.
“Dëgjimi i trupit tuaj pasi të keni marrë të gjitha masat e higjienës nëse keni simptoma të koronavirusit dhe kur të kuptoni se nuk ka indikacione të COVID-19, do të ndihmojë në uljen e nivelit të ankthit tuaj”, shtoi ajo.
Ajo tha se nivelet e ankthit mund të jenë më të larta te njerëzit e moshuar në krahasim me të tjerët dhe veçanërisht në mënyrë më negative mund të preken pacientët me çmenduri.
“Në këtë rast, ndryshimi i axhendës dhe kryerja e aktiviteteve të ndryshme me anëtarët e tjerë të familjes dhe të afërmit do të ketë një efekt pozitiv”, tha ajo.
Dağar tha se gjatë ditëve të karantinës, shumë aktivitete mund të bëhen në shtëpi sipas karakteristikave të personalitetit.
“Ata mund të bëjnë aktivitete të tilla si shikimi i serialeve televizive dhe filmave, leximi i librave, aktivitete të ndryshme, si pikturimi, kompozimi, eksplorimi i zonave të reja me receta të ndryshme, bërja e ushtrimeve fizike dhe hartimi i planeve për jetën”, theksoi ajo.
Ajo gjithashtu tha se aspekti psikologjik pozitiv i kësaj pandemie mund të manifestohet në një afat të gjatë.
“Së bashku me ritmin intensiv të jetës së njerëzve, marrëdhëniet me njëri-tjetrin, të kuptuarit e njëri-tjetrit, të jetuarit së bashku, ndërmarrja e veprimeve të përbashkëta dhe vetëdijës sociale mund të gjallërohen”, shtoi ajo.
Virusi, i cili u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, është përhapur në të paktën 167 vende dhe rajone në mbarë globin, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara tejkalon 339 mijë dhe numri i vdekjeve ka arritur në mbi 14.700, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins me qendër në SHBA.
Kina, Italia, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.
Megjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë virusin vuajnë nga simptoma të lehta dhe shërohen.