Allahu është i butë dhe i mëshirshëm, dhe i do të butët dhe të mëshirshmit

1360

Allahu është i Butë dhe i Mëshirshëm, dhe Ai i do të butët dhe të mëshirshmit. Edhe në xhenet hyhet vetëm me mëshirën e Tij. Allahu i Plotfuqishëm, së pari do t’i mëshirojë ata që janë të mëshirshëm. Vetëm le ta kujtojmë shembullin e famshëm të një prostitute, e cila shprehu keqardhje për një qen, zbriti në një pus, mori ujë prej aty me mestet e saj dhe i dha të pijë një qeni të etur. A nuk e mëshiroi edhe atë Allahu?

Tregohet se një rob i Allahut e kishte parë në ëndërr Husrev-beun (r.h.) pasi që ai kishte ndërruar jetë, duke e pyetur se a kishte shpëtuar, kurse ai ishte përgjigjur: “Asgjë nuk do të më ndihmonin të gjitha ato hajrate që kam bërë, nëse nuk do ta kisha mëshiruar një djalosh, i cili po qante për shkak se kishte thyer një bardak dhe kishte frikë të shkonte në shtëpi, dhe unë ia bleva një bardak të ri. Ja pra, kjo ishte vepra ime më e mirë.”

Shikoni, kjo vepër nuk është në përmasa të mëdha, por është e madhe deri në qiell, sepse në momentin më të rëndësishëm, e ka bërë të lumtur zemrën me vajë të një djaloshi.

Kjo është mëshira. Kjo është lumturia e shpirtit.

Njerëzit koprrac nuk mund të jenë të mëshirshëm dhe nuk mund t’i falin njerëzit. Zemra e tyre është më e fortë se guri, dhe sa të pakënaqur që janë ata? Koprraci e ka të ndaluar xhenetin!

Në një tregim, përmendet një rob i Allahut, i cili kishte qenë i butë dhe i mëshirshëm. Me një rast ai kishte kaluar pranë një grupi njerëzish, të cilët ishin duke vdekur nga uria dhe, duke e shikuar një kodër prej rërës, ai mendoi: “Ah sikur të kisha fatin që kjo rërë të ishte miell, dhe me të t’i ushqeja këta njerëz?” Atëherë, Allahu i Plotfuqishëm e informoi pejgamberin e atëhershëm, se Allahu e mëshiroi atë njeriun dhe ia shkroi sadakë, sikur tu kishte shpërndarë njerëzve miell në sasinë e asaj kodre. Sa shumë e do Allahu zemrën e pastër dhe të mëshirshme. Të lumit ata që janë të mëshirshëm.

Transmetohet se një herë hz. Aliu (r.a.) ishte nisur herët për namaz të sabahut. Gjatë rrugës, e kishte takuar një çifut të moshuar, i cili po ecte ngadalë. Ai nuk deshi ta parakalonte atë, edhepse rrezikonte të vonohej për xhemat. Ai këtë e bëri, nga arsyeja që mos t’i shkaktonte keqardhje plakut për rininë e tij, kur ta shihte të riun, Aliun, duke ecur me shpejtësi. Atëherë, gjatë namazit në përkulje (ruku’), Pejgamberi (savs) e priti Aliun (r.a.) aq shumë, sa që sahabët menduan se mos i kishte ndodhur ndonjë gjë Pejgamberit (savs). Pejgamberi ynë i dashur, (savs), ishte mishërim i butësisë dhe mëshirës.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)