Muslimanët dhe të krishterët në Etiopi filluan programin e agjërimit dhe kryerjen e lutjeve për një muaj për ti dhënë fund koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Këshilli Fetar i Etiopisë, i cili nën çatinë e tij mbledh grupe të feve dhe sekteve të ndryshme në vend, i bëri thirrje popullatës që të lutet dhe të agjërojë për t‘i dhënë fund epidemisë.
Kësaj fushate i ka dhënë mbështetje edhe presidentja e Etiopisë, Sahle-Work Zewde, e cila tha se institucionet fetare kanë ndërmarrë detyrën për ndërgjegjësimin e popullit në luftën me epideminë dhe se ka nevojë për vendosmëri dhe unitet për të mposhtur problemin.
Muslimanët dhe të krishterët ortodoksë të cilët mbajnë një agjërim në pjesën më të madhe të vitit ku nuk konsumohen produkte shtazore, janë dy grupet më të mëdha fetare në vend.
Në Etiopi deri më tani janë shënuar 2 vdekje dhe 44 raste me COVID-19.